PO QE SE NUK U DËFTUAT BESNIKË NË GJËNË E HUAJ, KUSH DO T’JUA JAPË TUAJËN?

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXV GJATË VITIT C

Am 8, 4-7; Ps 113 (112); 1 Tim 2, 1-8; Lk 16, 1-13

Të dielën e kaluar kemi dëgjuar pjesën ungjillore ku Jezusi tregon tri shëmbëlltyra që na shprehin gëzimin e Hyji për kthimin e një mëkatari. Shëmbëlltyra e fundit ishte ajo e babait që kishte dy djem. Për djalin e vogël, Jezusi thotë vetëm se u kthye tek i ati, por nuk tregon se si ai filloi të sillej aty e tutje në atë shtëpi. Paraja më parë kishte qenë shpresa dhe gëzimi i tij, por e kuptoi se ishte zhgënjyese një ide e tillë. Duke u kthyer tek i ati, iu rikthye edhe kontakti me paranë. Por Ungjilli nuk na e tregon se si ai e shihte tani paranë dhe si e përdorte atë. Prandaj shëmbëlltyra e Ungjillit të sotëm është një lloj përgjigjeje ndaj kësaj pyetjeje.

Aty Jezusi tregon jo vazhdimin e shëmbëlltyrës së mësipërme, por një shëmbëlltyre krejt tjetër. Na flet për një shërbëtor që kishte qenë abuzues me mbarështimin e pasurisë së zotërisë së vet. Kur zotëria i tij e mori vesh këtë, e thirri dhe e bëri të jepte llogari për mbarështimin e tij, pra, të bënte dorëzimet e punës së vet deri atëherë. Por ky, edhe në këtë çast të fundit, vazhdoi të ishte abuzues. Borxhlinjve të zotërisë së vet ai u tha të shkruanin më pak nga sa i kishin borxh. Një veprim vërtet i rëndë, por me anë të të cilit kishte qëllimin që të fitonte miqësinë e tyre. Kështu, kur zotëria i tij do ta nxirrte jashtë, ai do të mund të kishte miq të tjerë që do ta pranonin në punë pranë tyre si për t’ia kthyer nderën e bërë. Veprim shumë i padrejtë, patjetër, po që tregoi një shkathtësi të madhe. Deri edhe vetë zotërinë, të mashtruarin, e befasoi kjo shkathtësi e tij dhe Jezusi thotë se mori lavdërim prej tij: «E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi.» Nuk lëvdohet veprimi, por shkathtësia e treguar.

Edhe vetë Jezusi duket sikur ka dashur ta “lëvdojë” këtë shkath­tësi, me qëllim që të na mësojë ne se si duhet ta përdorim pasurinë që kemi. Djali i vogël, i kthyer në shtëpi, tashmë patjetër se pasurinë nuk e shihte më si përpara. E kishte kuptuar se ajo ishte e rrejshme dhe se në të nuk mund t’i vinte më shpresat. Tashmë i duhej që pasurinë ta vinte në shërbim të diçkaje tjetër më të madhe: në shërbim të bashkimit me të atin, me të vëllain dhe me të gjithë ata që kishte pranë.

E Jezusi vazhdon: «Fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rrejshme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.»

Ka njerëz që për çka nuk u shkon mendja vetëm e vetëm që t’i arrijnë qëllimet e tyre dinake dhe shpesh të padrejta. Dinë ta sjellin e ta përsjellin paranë e tyre dhe s’lënë gur pa lëvizur derisa ia arrijnë qëllimeve të veta. Pse ne të krishterët nuk mund të mësojmë nga ky zell i këtyre njerëz? Patjetër jo për të synuar ëndrra të cekëta, por gjëra që kanë vërtet kuptim në jetë. Pse nuk duhet ta përdorim imagjinatën tonë në përdorimin e pasurisë, me qëllim që të arrijmë gjëra të thella, gjëra të forta, gjëra që e bëjnë njerëzimin të ecë?

Në botën e sotme, ka njerëz që bëjnë kursime të mëdha për të bërë një herë në jetë një orë gjiro me një makinë të shtrenjtë. Apo gjithë ata turistë që japin me mijëra e miliona para vetëm për të parë një vend interesant diku në fund të botës. Me sa pasion disa e përjetojnë një ëndërr të tillë, e cila, në fakt, ngjan me një lojë në disa raste. Pse atëherë ne nuk mund ta përdorim pasurinë tonë, sado e vogël që ajo të jetë, për të realizuar gjëra shumë më të bukura se këto? Ka vende ku një copë rrugë e asfaltuar lehtëson dukshëm jetesën e kushedi se sa familjeve. Për të mos folur për shkollimin, kulturën, mjekësinë, ndriçimin, ujësjellësat, kanalizimet, urat, etj. Në lidhje me ungjillizimin, pastaj, sa padituri ka në botë rreth gjërave të Hyjit, vetëm e vetëm se aty mungojnë librat dhe mjetet e tjera të informimit në këtë aspekt! E kështu atëherë shumëkush gjithnjë e më shumë zhytet në një jetë mëkatare. Mbase do të mjaftonte vetëm një menazhim pak më zemërgjerë i pasurisë nga ana e disave, e shumë nga këto gjëra të bukura do të realizoheshin. Ajo porosia e Jezusit, atëherë, na fton që “të mos flemë”, por të mësojmë nga pasioni që kanë disa njerëz për gjëra të rrejshme. Na fton që ne ta përdorim këtë pasion për gjëra të qëndrueshme. Na qorton rëndë ne të krishterëve shqetësimi i Jezusit në këtë aspekt: «Dhe, njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie të shoqishoqme se bijtë e dritës». Një qortim që sigurisht nuk dëshiron të na shkurajojë, por të na nxisë gjithnjë e më shumë të programojmë përdorimin e pasurive tona materiale, intelektuale e shpirtërore, për të bërë aq sa mundemi që njerëzimi të përparojë në njohjen e vetvetes e në njohjen e Hyjit, «vullneti i të cilit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së të vërtetës», siç thotë Shën Pali sot në leximin e dytë.

Edhe leximi i parë na bën ta shohim pasionin që kanë disa njerëz për të fituar para: «Dëgjoni këtë ju, që e shtypni skamnorin, që shfrytëzoni nevojtarët e vendit, ju që thoni: Kur po kalon më hëna e re, të mund t’i shesim mallrat? Edhe e shtuna e të mund të shesim grurë?» Deri këtu Shkrimi Shenjt dëshiron të vërë në dukje ankthin e atyre njerëz për të arritur ditët e pazarit, ditët e fitimit. Gjithsesi, deri këtu jo detyrimisht ka diçka të keqe. E, në fakt, nuk ka asgjë të keqe në shqetësimin për të krijuar të ardhurat e duhura për jetesë. Vetë mbarëvajtja e jetës së shoqërisë e kërkon një gjë të tillë e këtë mbarëvajtje e do edhe Hyji. Shën Pali në leximin e dytë sqaron shumë bukur se, dëshira e Hyjit është që «ta kalojmë jetën të qetë e të paqtë, në përkushti të plotë dhe në mënyrë të denjë».

Por Jezusi në Ungjill ka kritikuar lakminë e tepruar për pasuri. Edhe në leximin e parë sot gjëja që Hyjin e shqetëson janë hilet që njerëzit i bëjnë njëri-tjetrin në pazaret e ndryshme, hile që çuditërisht edhe sot janë krejtësisht të ngjashme: «Të zvogëlojmë masën e të shtojmë siklin, të përdorim peshore të rrejshme, për t’i blerë skamnorët me para, të vobektin me një palë këpucë, t’i shesim edhe të hedhat e grurit!» Mashtrimi në pazar është një ndër mëkatet që edhe sot vazhdon të bëhet me shumicë. Disa, madje, këto fitime të padrejta i justifikojnë deri edhe teologjikisht: «E ka dhënë Zoti të fitohet bukës e gojës». Por me fjalët «bukën e gojës» nënkuptojnë lukse e tepri të pafund.

«Të blejmë skamnorët … me një palë këpucë»: i varfëri, kur nuk ka alternativë tjetër, mund të punojë me orë të gjata edhe vetëm për një fitim tejet të ulët. S’ka nga shkon tjetër. Si e vënë pasurinë e majme vendet e zhvilluara? E dimë të gjithë se e arrijnë këtë duke shfrytëzuar në kulm vendet e varfra dhe duke ndërtuar atje fabrika për të shfrytëzuar forcën e tyre punëtore kundrej rrogave që, në vendet e tyre, çmohen si qesharake. Kësaj i thonë të «blesh skamnorët». E pastaj thonë se është zhdukur skllavëria!

Ja, pra, se sa shumë rropaten e stërmundohen njerëzit për të fituar atë që, në fakt, është e rrejshme. Shumë më tepër, atëherë, ne të krishterët duhet t’i japim vetes për të arritur (me përdorimin e pasurisë) gjëra të qendrueshme e të përjetshme. Askush nuk duhet të ndjehet i përjashtuar nga kjo ftesë e Jezusit. Ai që ka më pak pasuri, do të thotë që do të bëjë më pak, por jo asgjë. «Nuk jemi të pasur për atë që zotërojmë, por për atë nga e cila jemi të zotët të heqim dorë.», thoshte Emanuel Kant, filozofi i madh gjerman e shekullit XIX.

Nëse do të dimë ta përdorim për qëllime të larta e të shenjta pasurinë materiale e të kalueshme që mund të na e ketë dhënë Zoti, atëherë Ai do të na e besojë edhe pasurinë e përjetshme: «Kush është besnik në sende të vogla, është besnik edhe në sende të mëdha; e kush nuk është besnik në sende të vogla, ai nuk është besnik as në sende të mëdha». Si të thoshte se, sa herë që na është vënë në duar ndonjë pasuri, është si një provë, ku Hyji dëshiron të shohë zemërgjerësinë tonë, për të parë nëse jemi apo jo të denjë për trashëgiminë e pranisë së Tij: «Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rrejshme, kush do t’ua besojë pasurinë e vërtetë? Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’ua japë tuajën?»

Sa bukur: mua personalisht më prek shumë kjo fjali e thellë e Jezusit, në të cilën Ai, pasuritë e kësaj bote, i quan të huaja dhe thotë se pasuria jonë e vërtetë qenka lumturia e Parajsës. Gjithçka që paskemi në këtë jetë, qenka si e huaja, duke qenë se një ditë do të mbetemi pa të! Kurse lumturia e amshuar e Parajsës, trashëgimia e pranisë së Hyjit me të gjithë engjëjt dhe shenjtërit e Tij, qenka e vetmja gjë vërtet e jona, e bërë gati për ne!

Një çift i sapomartuar në Indi, shkoi një ditë te Nënë Tereza dhe i dha asaj gjithë shpenzimet që kishte menduar të bënte për dasmën e vet dhe gjatë muajit të mjaltit, por që tani kishte vendosur t’ia dhuronte asaj për të ndihmuar sadopak të varfrit e saj. E preku shumë Nënën e dashur ky gjest, aq sa shpesh ajo e tregonte publikisht atë. Sa ndryshe do të ishte bota sikur shumëkush do të dhuronte edhe shumë më pak se kaq! Jezusi në Ungjill sot porosit: «Fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rrejshme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara!» Nuk është e sigurt nëse ai çift i ri indian e ka njohur këtë thënie të Jezusit, por patjetër është e sigurt se e ka zbatuar atë.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *