E DIELA V GJATË VITIT A
Is 58, 7-10; Ps 112 (111); 1 Kor 2, 1-5; Mt 5, 13-16
Që të mos krijojmë komplekse të kota epërsie ndaj atyre që nuk janë të krishterë kur dëgjojmë se Jezusi na thotë: «Ju jeni drita e botës.», Kisha sot, në rreshtin që i paraprin leximit të Ungjillit, na sjell këto fjalë të tjera të Jezusit: «Unë jam drita e botës.» Por, duke qenë se është i njëjti Jezus Ai që thotë «Unë jam drita e botë.» dhe «Ju jeni drita e botës.», me të drejtë mund të na lindë pyetja se kush qenka drita për këtë botë, Jezusi apo ne? Përgjigjja pothuajse spontante që i vjen shumëkujt, është se Jezusi është Drita e madhe, ndërsa ne jemi si dritëza të vogla, por, si në rastin kur flet për veten, ashtu edhe në rastin kur flet për ne, Jezusi flet në njëjës, duke nënkuptuar kështu se po flet vetëm për një dritë. Përgjigjja e duhur në këtë rast është se Drita është vetëm një, Jezu Krishti, por edhe Kisha është dritë, duke qenë se ajo është Trupi Mistik i Krishtit. Kisha, duke qenë se është e bashkuar me Krishtin, rrezaton në botë të vetmen dritë që është Krishti. Kjo është arsyeja për të cilën Shën Pali, i thellë si gjithnjë, shpesh i thërriste të krishterët «bijtë e dritës e të ditës» (1 Sel 5, 5) dhe «dritë në Zotërinë» (Ef 5, 8).
E njëjta gjë vlen edhe për kripën: Krishti thotë: «Ju jeni kripa e tokës.» Sikurse kripa ka aftësinë të ruajë disa ushqime dhe t’u japë shije disa të tjerëve, ashtu edhe Kisha është e thirrur ta ruajë njeriun nga shkatërrimi i natyrës së tij njerëzore dhe t’i japë atij shijen për të cilën ka nevojë. Por Kisha s’ka shije tjetër përveçse asaj të Krishtit. «Unë nuk jam e aftë për virtyte. Virtyti im është Jezusi.», thoshte Shenjtja Terezë e Lizjesë. Jezusi është kripa e vërtetë dhe vetëm duke qëndruar e bashkuar me Të Kisha mund t’i përçojë njerëzimit ruajtjen dhe shijen e nevojshme.
Prandaj këtu nuk ka vend për komplekse të kota epërsie ndaj askujt, sepse ne nuk do të ishim asgjë në këtë botë pa Krishtin. Madje, pikërisht ngaqë e besojmë se jemi drita dhe kripa e botës, komplekset e kota do të duhej të davariteshin e t’ia linin vendin një vetëdije se jemi thjesht shërbëtorë në këtë botë. Sikurse kripa dhe drita kanë si qëllim shërbimin ndaj njeriut, ashtu edhe Kisha ka si qëllim të vetin shërbimin ndaj njerëzimit. Kjo sepse bazohet në shërbimin e Birit të Hyjit i cili, «mori natyrën e shërbëtorit» (Fil 2, 7) për të na shpëtuar nga mëkati. Ai, Drita dhe Kripa e botës, thotë për vete: «Biri i njeriut erdhi për të shërbyer» (Mt 29, 28).
Kështu i kuptojmë fjalët e bukura që Shën Pali na thotë në leximin e dytë: «Edhe unë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t’ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit, dhe Atë të kryqëzuar.» Duhet të ruhemi që predikimi ynë mbi Krishtin të mos dalë jashtë logjikës së shërbimit, sepse as Krishti nuk doli kurrë jashtë kësaj logjike. U kryqëzua për të na liruar nga egoizmi dhe për të na zhytur në jetën Hyjnore e ky ishte shërbimi më i lartë që mund të na bënte. Me të drejtë ndokush ka thënë se shërbimi është «arti i Hyjit». Hyji është shërbëtor e nuk përton të përulet pa asnjë interes që t’i shërbejë njeriut. Askush nuk mund t’ia kalojë Hyjit në këtë art të Tijin. Thoshte i Lumi Sharl de Fuko: «Unë do të doja të zija vendin e fundit në këtë botë në shërbim të njerëzve, por e di se do të arrij të jem gjithnjë vetëm i parafundit, sepse vendin e fundit ma ka zënë Jezusi e askush nuk mund t’ia marrë atë vend.» Biri i Hyjit që përulet deri në vdekjen në kryq, gjithnjë i ka prekur zemrat që janë të hapura ndaj dashurisë. Kështu, pra, ne mundemi vetëm të përpiqemi ta imitojmë përvujtërinë dhe shërbimin plot dashuri të Jezusit. E Kisha s’bën gjë tjetër veçse të vazhdojë ta ushtrojë artin që ka mësuar nga Zoti i vet.
Në leximin e parë kemi dëgjuar disa porosi konkrete që Zoti ua jep besimtarëve të vet: «Ndaje bukën tënde me të uriturin, pranoji në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë! Kur ta shohësh të zhveshurin vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd!» Artin e vet, Hyji po ua mëson edhe bijve të vet. E pasoja e këtij shërbimi është se «atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote e do të përcjellë lavdia e Zotit.»
«Do të të përcjellë lavdia e Zotit»: sytë e Zotit janë mbi atë që shërben. «Lavdia e Zotit» shpesh herë përshkruhet në Besëlidhjen e Vjetër me tipare vërtetë madhështore. Mjafton të lexohet ajo që vetë Isaia profet shkruan në kapitullin e gjashtë të librit të tij, ku madhështia e lavdisë së Hyjit që ai e shikon, përshkruhet si rrallë kund tjetër në Besëlidhjen e Vjetër. E tani, në pjesën që dëgjuam sot, vetë Isai na sjell këto fjalë të Hyjit, i cili nuk “kursehet” të pohojë se «Lavdia e Tij» do ta përcjellë atë që ushtron bamirësinë ndaj të afërmit. Prandaj Hyji thotë menjëherë se «atëherë në errësirë do të shndrisë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita», sepse drita që na vjen prej Hyjit, gjithnjë e mposhtë egoizmin që na mëson bota.
Bota, ai realitet ku Hiri i Zotit nuk lejohet të veprojë, predikon si arrijte sundimin, ndërsa ata që lejojnë të udhëhiqen nga fjala e Zotit, vihen në garë për të shërbyer. Bota e quan normale që t’ia heqësh tjetrit bukën e gojës, ndërsa Zotit mëson «Ndaje bukën tënde me të uriturin!»; shumëkush ka lukse marramendëse në botë e nuk interesohet për ata që nuk kanë strehë, kurse Zoti mëson «pranoji në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë»; bota vihet në garë për të krijuar koleksione të panevojshme veshjesh, kurse Zoti mëson «kur ta shohësh të zhveshurin, vishe». Me një fjalë: degradimit të botës, i kundërvihet arti i Hyjit.
Përmendëm fjalën degradim. Duke u ruajtur që të mos përfundojmë në moralizma, është mirë që të arsyetojmë pak edhe në këtë pikë, sepse është një shqetësim jo i vogël fakti që shpesh herë, edhe ato veprime që sjellin shthurje e humbje për natyrën njerëzore, propagandohen si përparim. Mjafton të mendojmë për propagandimin që i bëhet përdorimit pa vlera të trupit njerëzor. Ajo që arrin të jetë padyshim degradim, ecje mbrapsht, merret si emancipim dhe hapje e mendjes. A nuk ka nevojë njeriu që të jetë i ruajtur nga ky vetëshkatërrim?
Koha do t’i japë të drejtë Kishës. Për të sjellë një shembull, le të kujtojmë se, kur u zbulua Amerika në shekullin XV, nuk u vonua shumë që nga pushtuesit europianë të thuhej se banorët e atyre zonave nuk ishin njerëz, por kafshë. Kështu donin të justifikonin masakrat e shumta që pllakosën mbi vendasit e mjerë dhe trajtimin e tyre si mall përfitimi ekonomik. Kisha përkundrazi e ngrinte zërin me forcë kundër këtij gabimi ideologjik dhe këtyre masakrave, por qe shumë e vështirë t’i vihej veshi. Sot pranohet lehtësisht nga e gjithë bota se Kisha kishte të drejtë.
Po sot, ku mund t’i kenë rrënjët e veta propagandimi i madh që i bëhet degradimit, perversitetit, trajtimit të njeriut më keq se kafshët? Po promovimi dhe nxitja e shumë luftrave me justifikime ideologjike e racore? Po ligjërimi i abortit në mënyrë kaq masive pothuajse në të gjithë planetin? E dimë si i kanë rrënjët tek interesi i madh i një pakice njerëzish për përfitime ekonomike. A nuk ka nevojë për “kripë”, pra, ky njerëzim, për ta ruajtur përballë kërcënimeve të tilla për vetëshkatërrim? Kisha bën pikërisht këtë “ruajtje” kur porosit vlerat të cilat i dikton dashuria, shërbimi, jeta, Hyji. Koha do t’i japë të drejtë Kishës. Koha do t’i japë të drejtë Krishtit, Trup i të Cilit është Kisha.
E, ndërkohë që Kisha pranon të jetë dritë dhe kripë e botës, duhet të ruhet nga tundimi për të rënë në sy: duhet t’i interesojë vetëm ruajtja e botës dhe shndritja e saj. Kripa dhe drita, pikërisht ngaqë shërbejnë, kanë vetinë që të mos e tërheqin vëmendjen tonë tek vetja e tyre. Kur një gjelle i hedhim kripë, themi «sa e shijshme është gjella» e rrallë herë na shkon në mend të lëvdojmë kripën. Edhe më fort në rastin e dritës: kur në një dhomë të errët ndezim një dritë, nuk na shkon mendja më tek drita, por sytë i lëshojmë mbi objektet e tjera që na interesojnë. Drita rri aty si shërbëtore e përvujtë e shikimit tonë. Por, po bëri e mungoi kripa apo drita, menjëherë vihemi në kërkim të tyre, sepse do t’ua ndjejmë thellë mungesën.
Kështu edhe Kisha, si Krishti, duhet të dijë të jetë shërbëtore. Jo me dëshirën që të tërheqë mbi vete shikimin e botës, por me dëshirën që bota të jetojë. Por, po bëri e mungoi ky shërbim i Kishës, bota menjëherë do ta ndiejë thellë mungesën e saj. Prandaj bota shpesh nuk vonon të pyesë: «Përse po hesht Kisha?», mbi ndonjë pikë të caktuar të moralit njerëzor. Prandaj Jezusi vazhdon në Ungjill me fjalët: «Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet?». Kripa prishet dhe nuk mund të përdoret më vetëm atëherë kur përzihet me diçka tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për Kishën: nëse ajo largohet nga Krishti dhe përzihet me mendësinë e botës, Krishti nuk do të ketë më mundësinë që ta përdorë atë si mjet për t’i shërbyer njerëzimit.
«As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, – vazhdon Jezusi, – por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi.» Nëse të krishterët nuk e ndjejnë përgjegjësinë e shndritjes në errësirën e kësaj bote, bota do të mbetej pa Krishtin, pa Dritën. E prandaj Krishti na porosit plot ëmbëlsi: «Ashtu të ndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin verpat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell!» Në leximin e parë dëgjuam disa nga veprat e mira që Ati ynë qiellor na kërkon. Kështu, nëse dikush na lëvdon për ndonjë vepër të mirë, e vetmja gjë që mund të themi, është: «Falënderojmë Zotin.», sepse Ai na e ka mësuar mirësinë, dashurinë, shërbimin. Kështu, veprat tona të mira bëhen për tjetrin ndihmesë e përvujtë për ta lëvduar Atin tonë qiellor dhe për t’iu hapur dashurisë së Tij. Ky është shërbimi të cilin bota e pret prej nesh.
Dom Dritan Ndoci