TEMPULLI I SAJ ËSHTË ZOTI!

Categories HomeliPosted on

E DIELA VI E PASHKËS – Viti C

Vap 15, 1-2.22-29; Ps 67 (66); Zb 21, 10-14.22-23; Gjn, 14, 23-29

Pjesa e marrë sot nga libri i Zbulesës së Shën Gjonit apostull, edhe një herë na flet për bukuritë që ai sheh në vegim në lidhje me lumturitë e amshuara të Parrizit: «Engjëlli më kaloi në shpirt në maje të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit. Shkëlqente nga Lavdia e Hyjit». Pastaj fillon të përshkruajë detajet e këtij qyteti. Ndër të tjera ai thekson një detaj mjaft domethënës: «Në qytet tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Hyji, i Gjithëpushtetshmi edhe Qengji. Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse e ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji». Padyshim që Shën Gjonit kështu Hyji i zbuloi fatin e mbramë të Kishës së Tij: Fati i saj është Hyji, prandaj thotë se nuk kishte as dritë dielli, as dritë hëne e as tempull, sepse tashmë ajo gjendej e gjitha në Hyjin, e shndërruar nga prania e Tij e gjallë. Tërë këtë të vërtetë Shën Pali e shpjegon me fjalë të tjera shumë të thella në letrat e tij kur thotë se, në Parajsë «Hyji do të jetë gjithçka në të gjithë» (1 Kor 15, 28).

Kjo është e vërteta e madhe për të cilën jemi të thirrur të “punojmë”. Atje, në lumturinë e pamasë dhe të pashprehshme të jetës me Hyjin, jemi të thirrur të kemi pjesë të gjithë.

Në jetën e Shenjtes Katerinë nga Siena thuhet një ngjarje shumë interesante. Gjatë uratës së vet, ajo pati përjetime aq të forta emocionale, saqë ra e vdekur. Të gjithë menduan se vdiq, por pas pak kohe ajo u rikthye sërish në jetë dhe filloi të tregonte se kishte parë gjëra të mrekullueshme, të cilat nuk arrinte t’i shprehte dot, por thoshte se Ati i amshuar i kishte kërkuar të kthehej sërish në trupin e saj, ngaqë ende nuk kishte përfunduar misioni i saj në tokë. Kur u kthye, thuhet se kaloi ditë të tëra në lot, ngaqë kishte dëshiruar të mos largohej nga tërë ajo bukuri. U kthye në atë lumturi vetëm pas disa vjetësh, shumë e re në moshë, por tashmë me misionin e kryer. Ja, atje jemi të thirrur të shkojmë edhe ne.

Por Shën Gjoni thekson edhe një detaj tjetër nga ky qytet: «Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to – emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit». Ky qytet i lavdishëm, ky Jerusalem qiellor, është Kisha e lavdishme. Është shumë domethënës fakti se, mbi dymbëdhjetë themelet e mureve të këtij qyteti, janë të shkruar emrat e dymbëdhjetë apostujve të Krishtit, Qengjit të Hyjit. Kur themi Besojmën, gjithmonë themi «Besoj një Kishë të vetme, shenjte, katolike dhe apostolike». Fjala «apostolike» do të thotë se ne i besojmë shpalljes së Kishës, e cila bazohet mbi shpalljen e dymbëdhjetë apostujve. Pra, e tërë doktrina që Kisha ka marrë nga Hyji, ka kaluar nëpërmjet shpalljes së këtyre dymbëdhjetë burrave (Juda do të zëvendësohej nga Matia). Numri “dymbëdhjetë” i fiseve prej të cilave përbëhej Izraeli i dikurshëm, u zëvendësua nga këta dymbëdhjetë burra, të cilët, është e vërtetë se do të merren nga Izraeli, por jo më për t’u ndalur vetëm brenda tij. Ata do ta përhapin shpalljen e Lajmit të Mirë në të katër anët e botës. Mbi këtë shpallje do të bazohet besimi i Kishës, i Izraelit të ri. Dymbëdhjetë kryqet që janë të vëna në kolonat apo muret e kishave të kushtuara, kanë për qëllim të tregojnë se ne jemi të bazuar mbi predikimin e dymbëdhjetë apostujve.

Për të ruajtur të pastër Fjalën e Jezusit, duhet medoemos të ruhet e pastër edhe lidhja me të dërguarit e Tij. Të dërguarit e Jezusit ishin apostujt, të cilët do të lënë pasardhës të tyre ipeshkvijtë me në krye Papën, pasardhësin e Shën Pjetrit. Po nuk u ruajt e pastër lidhja me ta, nuk do të jetë e tillë as lidhja me Jezusin. Prandaj leximi i parë sot e tregon mjaft mirë se sa e qartë ishte një bindje e tillë qysh në Kishën fillestare. Në Antioki kishte lindur një debat mjaft i ashpër nëse duhej apo jo që të krishterët t’i zbatonin disa rregullore që ishin themelore në Ligjin e Moisiut, njëra prej të cilave ishte veçanërisht rrethprerja. Duke qenë se debati nuk kishte gjetur zgjidhje, kishin vendosur t’ia parashtronin çështjen dymbëdhjetë apostujve që gjendeshin në Jerusalem e ashtu u bë. Pasi u shqyrtua prej tyre, ata morën si përgjigje se jo të gjitha rregulloret e Ligjit duheshin zba­tuar. As rrethprerja e as disa rregullore të tjera. Por u këshilluan të zbatojnë disa rregullore që, po t’i shqyrtosh mirë, ngjajnë më fort si përkujdesje për jetën, si ruajtje ndaj ndonjë sëmundjeje si dhe kundër shkandujve.

Sot nuk e thotë pjesa e leximit të parë, por më poshtë, në Veprat e Apostujve, vazhdohet duke thënë se «kur (bashkësia e Antiokisë) e lexuan letrën, të gjithë mbetën të kënaqur për fjalët ngushëlluese» (15, 31). Ajo bashkësi e kishte kuptuar se, për të pasur të qartë vullnetin e Jezusit Zot, duhej t’u drejtoheshin apostujve. Jo vetëm kaq, por duhej edhe të mjaftoheshin me përgjigjen që do të merrnin prej tyre. Ja bashkimi me autoritetin kishtar. Të jesh i bashkuar me të, nuk do të thotë vetëm t’i duartrokasësh kur i sheh e pastaj, kur bëhet fjalë për zbatimin e fjalëve të tyre, të justifikohesh duke thënë se «unë kam bindjet e mia, e ata kanë bindjet e veta». A nuk bëjnë kështu me Papën edhe shumë katolikë? E duartrokasin, e thërrasin hareshëm me zë të lartë kur e shohin, por, për të zbatuar porositë e tij, nuk ngurrojnë të thonë «kam bindjet e mia politike, intelektuale, etjerë».

Duhet të bëjmë shumë kujdes kur bindjet tona kanë filluar të orientohen dikah tjetër, ndërkohë që autoriteti kishtar na thotë ndryshe. Përshembull: nëse në një parlament diskutohet të apro­vohet apo jo ligji i abortit, një deputet katolik nuk mund të thotë: «Autoriteti kishtar flet kundër abortit, por unë kam bindjet e mia si nëpunës i shtetit». Fjala e autoritetit kishtar duhet të na ndihmojë të hyjmë brenda vetes e të korrigjojmë bindjet tona, të cilat ka shumë mundësi që të jenë të gabuara.

Le të marrin një shembull tjetër më të përditshëm: kur shkojmë të rrëfehemi, fjalët, porositë dhe këshillat që na thotë rrëfyesi, nuk duhet t’i përjetojmë vetëm si këshilla që po na jep ndonjë shok në kafene, por si fjala e Kishës që, tani, po vjen tek unë për të ma ndriçuar si duhet situatën që po përjetoj. Nëpërmjet fjalës së Kishës, kalon vullnesa e Zotit e kjo nuk është pak.

Në Ungjillin e sotëm Jezusi u thotë apostujve: «Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë». Pra, apostujt do të forcohen nga Shpirtit Shenjt e, kështu, kur t’u predikojnë popujve, do të dijnë të predikojnë atë që Jezusi u ka thënë. Autoriteti i tyre ka për themel jo më Ligjin e Moisiut, por forcën e Shpirtit Shenjt. Shpesh, në Veprat e Apostujve, apostujt shprehen duke thënë këto fjalë solemne: «Ne dhe Shpirti Shenjt kemi vendosur që … ». Ky Shpirt ka vepruar dhe vazhdon të veprojë edhe në pasardhësit e tyre.

Shpirti Shenjt, pastaj, do ta ndihmojë gjithnjë Kishën e Tij që t’i kuptojë gjithnjë e më shumë Fjalët e Krishtit: «Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë». Të ndihmuar nga Shpirti Shenjt, do të bëhemi edhe ne zbatues të fjalës së Jezusit e, edhe në ne, do të realizohet ajo fjalë shumë e bukur që thotë Jezusi sot në Ungjill: «Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë». Kisha, duke zbatuar Fjalën e Krishtit, fillon të jetë Tempull i gjallë i Hyjit qysh këtu në tokë dhe, në fundin e kohëve, ajo do ta zbulojë se, më fort se të ishte e banuar nga Zoti, ishte ajo vetë që kishte banuar në Zotin. Aty do të zbulohet haptas se vetë Hyji është Tempulli i saj: «Në qytet tempull nuk pashë, sepse tempulli i saj është Zoti, Hyj, i Gjithëpushtetshhmi dhe Qengji», thotë Shën Gjoni në leximin e dytë.

Por, për të marrë pjesë në Kishën e lavdishme të cilën Shën Gjoni e përshkruan në vegimin e tij, duhet të përpiqemi të jemi pjesë e gjallë e Kishës shtegtare në tokë, e cila është e themeluar në predi­kimin e apostujve, predikim i cili është trashëguar në pasardhësit e tyre.

T’ia kërkojmë Hyjit këtë Hir vërtet të domosdoshëm për ecjen tonë drejt shenjtërisë!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *