TË NGJITURIT E JEZUSIT NË QIELL – SHËLBUEMI, Viti C
Vap 1, 1-11; Ps 47 (46); Heb 9, 24-28. 10, 19-23; Lk 24, 46-53
Nganjëherë, të bindur për gjithëpushtetësinë e Zotit, edhe ne mund të bëjmë gabimin që bënë apostujt, siç dëgjuam në leximin e parë. Apostuj janë së bashku me Jezusin e Ngjallur e, kjo Ngjallje, i ka mbushur me besimin se Ai është vërtet Biri i Hyjit, por ende nuk e kishin kuptuar se shëlbimi, të cilin Ai po përmbushte, ishte i një përmase tjetër. I thonë: «Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?» Duke qenë se Hyji në mes të gjithë popujve kishte zgjedhur Izraelin për të thurur me të historinë e shëlbimit, shumë izraelitë ishin të bindur se kjo nënkuptonte lartësimin e këtij populli mbi të gjithë popujt e tjerë. Por Izraeli nuk ishte zgjedhur që të sundonte kombet, por të ishte shërbëtori i tyre duke ua përcjellur të gjithëve mesazhin shëlbimprurës të Hyjit. Apostujt nuk e kishin kuptuar ende këtë. Edhe ne, shpesh, e keqkuptojmë shëlbimin që na ka sjellë Jezusi dhe i drejtojmë atij kërkesa që kanë të bëjnë me mbretëritë e kësaj bote e jo me Mbretërinë e Hyjit: «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote» (Gjn 18, 36), i ishte përgjigjur Jezusi Pilatit e na përgjigjet edhe neve.
Prandaj, duke qenë se pyetja bazohej mbi një vizion të gabuar, Jezusi ua korrigjon këtë vizion dhe u thotë: «Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe çastin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botë». Jezusi u sqaron se, përmbushja e shëlbimit që Ai ka ardhur të realizojë, është që të mundësojë lidhjen mes Hyjit dhe njerëzve dhe këtë do ta realizonte duke ndërmjetësuar para Atit të vet që Kishës së Tij t’i dhurohej Shpirti Shenjt. Kështu, Kisha do të kishte forcën që ta dëshmonte Ngjalljen e Krishtit «gjer në skajin e botës».
Pyetja e apostujve rreth lavdisë së Izraelit, edhe pse jo krejt e saktë, gjithsesi shpreh një pyetje të thellë të zemrës së njeriut: Kur do të shndrisë lavdia e Zotit mbi popullin e Tij? A nuk e themi shpesh edhe ne: kur do të marrë fund padrejtësia, kur do të shpërblehet i drejti, kur do të vijë mbretëria e paqes dhe e mirësisë, si edhe deri kur do të na duhet të pësojmë pasojat e egoizmit që e gërryen natyrën njerëzore, brenda nesh e përreth nesh? Të gjitha këtyre pyetjeve Jezusi na u përgjigjet: «Nuk ju takon juve ta njihni kohën dhe çastin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet». Ai, përkundrazi, u kërkon apostujve që, me forcën e Shpirtit Shenjt, të jenë dëshmitarët e Tij «gjer në skajin e botës». Duke na kërkuar të jemi dëshmitarët e Tij, Jezusi na fton që të veprojmë në botë me po atë dashuri (për Atin e për njerëzit) me të cilën veproi Ai. Jo vetëm që ta shpallim këtë lloj dashurie, por edhe ta zbatojmë e ta dëshmojmë atë. Ne e pyesim se kur do të marrë fund padrejtësia e Ai na thotë: «Ti mos bëj padrejtësi!»; ne i lutemi që t’i zhdukë armiqtë tanë e Ai na thotë: «Ti duaje armikun tënd!»
Pas këtyre fjalëve Jezusi ngjitet në qiell: «Kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre u ngjit në qiell dhe një re ua zuri para syve të tyre». E, Letra e drejtuar Hebrenjve, shpjegon arsyen e ngjitjes së Jezusit në qiell: «Krishti hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve në qiell, që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit». Ky është misteri që kremtojmë sot. Jezusi nuk është ngjitur në qiell për të na braktisur e as nuk na dërgon në botë duke na lënë të vetëm, por Ai ngjitet në qiell për të ndërmjetësuar gjithnjë para Atit të amshuar për ne që të na mbushë gjithnjë me Shpirtin Shenjt, si edhe për të na e vërtetuar se edhe ne, edhe fizikisht, do ta gëzojmë një ditë lavdinë e Ngjalljes së Tij. Ai na parapriu atje ku edhe ne do të shkojmë.
Shën Pali e thotë shpesh në letrat e tij se Krishti është Kryet e Kishës e kështu, Kisha, është Trupi i Tij. Prandaj, atje ku është Kryet, do të jetë edhe Trupi. Në Jezusin e Ngjitur në qiell është realizuar ajo që përpiqeshin ta realizonin vazhdimisht priftërinjë e Besëlidhjes së Vjetër, domethënë lidhjen e njeriut me Hyjin, por nuk ia dilnin dot asnjëherë ta realizonin plotësisht, sepse edhe ata vetë ishin mëkatarë. E gjithë veprimtaria e tyre ishte mënyra me të cilën Hyji po e përgatiste popullin e zgjedhur që të kuptonte misterin e Priftërisë së amshuar të Krishtit, Birit të vet, i cili tashmë do ta krijonte realisht mundësinë e lidhjes mes Hyjit dhe njerëzve. Letra e drejtuar Hebrenjve që dëgjuam sot na thotë: «Vëllezër, duke pasur hyrje të lirë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve në fuqi të gjakut të Jezusit, nëpër këtë rrugë të re dhe të gjallë që na e hapi Krishti me anë të tisit, që është korpi i tij; dhe duke pasur një Prift të shkëlqyeshëm në krye të Shtëpisë së Hyjit: t’i afrohemi me zemër të çiltër, me fe të plotë, me shpirt të pastruar nga ndërgjegjja e keqe dhe me trup të larë me ujë të pastër».
«Prift i shkëlqyeshëm» është Jezusi, sepse e mundësoi më në fund lidhjen tonë me Hyjin. Por shton edhe: «T’i afrohemi me zemër të çiltër (dashuria), me fe të plotë (feja)…, dhe me trup të larë me ujë të pastër (pagëzimi)»: sakramentet, dashuria dhe feja e gjallë na mundësojnë lidhjen me Hyjin dhe na bëjnë qysh tani të kemi pjesë në lavdinë e Krishtit të Ngjallur.
Por kjo letër sot përfundon në mënyrë shumë interesante: «Ta ruajmë të palëkundshme dëshminë e shpresës, sepse Ai që i dha premtimet, është besnik!» «Dëshminë e shpesës»: ndërsa jemi duke shpresuar se një ditë do të realizohen në ne premtimet e Jezusit, është e pashmangÂshme që kjo të mos dëshmohet me jetën tonë. Nëse, përshembull, unë jam duke pritur që pas një ore të takoj një njeri të cilin ka kohë që e pres, kjo fillon të vihet re edhe përjashta meje. Kështu, pra, nëse vërtet presim që të realizohen në ne premtimet e Jezusit, është pasoja më e natyrshme që këtë shpresë ta shprehim edhe me jetën tonë të përditshme me dashuri, fe dhe marrjen e sakramenteve.
Prandaj të ruhemi që të mos na e plogështojnë shpresën vështirësitë e ndryshme (të pritura apo të papritura), që jeta mund të na rezervojë dhe kurrë të mos lejojmë që të dobësohet kjo shpresë e jona se një ditë do të gëzojmë bashkë me Krishtin! Kur kjo shpresë është e madhe, e madhe do të jetë edhe dëshmia e jetës sonë. Prandaj: «Ta ruajmë të palëkundshme dëshminë e shpresës!»
Këtë gjë e bën të mundur brenda nesh Shpirti Shenjt, të cilin Jezusi në Ungjillin e sotëm e quan «Premtimi i Atit tim». Duhet edhe bashkëpunimi ynë, patjetër, por pa ndihmën e Tij nuk do të ishte asgjë e mundur. Në leximin e parë pamë se Jezusi i Ngjallur u kishte thënë apostujve: «Ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt». Edhe në Ungjillin e sotëm përsëritet ky premtim i Jezusit: «Dhe, ja, unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet deri që të visheni me Fuqinë prej së Larti». Shpirti Shenjt e mëson Kishën të qëndrojë në dëshminë e shpresës së saj dhe të gjejë forma gjithnjë të reja për ta dëshmuar këtë shpresë. Shpirti Shenjt e ndihmon Kishën edhe në lutjen e saj, duke e mësuar të lutet «ashtu si do Hyji» (Rom 8, 27) e jo të fiksohet pas tekave dhe kurioziteteve njerëzore. Ai do të dijë t’i ndërthurë brenda nesh në mënyrë të mrekullueshme shpresën me dëshminë e shpresës. Duke na dërguar Shpirtin Shenjt, i cili na zhyt në jetën Hyjnore, Jezusi tregon se është «Prift i shkëlqyeshëm në krye të shtëpisë së Hyjit».
Është tepër e bukur, pastaj, edhe mënyra se si Ungjilli i sotëm e tregon këtë Priftëri të amshuar të Jezusit, i cili gjithnjë na dhuron Shpirti Shenjt për të na shenjtëruar e për të na forcuar në dëshminë tonë. Ungjilltari tregon: «Atëherë Jezusi i mori me vet deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. E ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngjit në qiell». Gjesti i fundit i Jezusit, para se të zhduket nga shikimi i apostujve të Tij, është shtrirja e duarve, bekimi. Duket sikur ato duar të shtrira të Jezusit vazhdojnë të mbeten ende ashtu, si për të siguruar praninë e Tij të vazhdueshme në mesin e Kishës së Tij të dashur. Ai gjithnjë ndërmjetëson para Atit të vet që Kishës të mos i mungojë kurrë bekimi, domethënë të mos i mungojë kurrë Hiri i Shpirtit Shenjt.
Dom Dritan Ndoci