DASHURIA E BËRË NJERI DHE LYPSARËT E DASHURISË!

Categories FamulliaPosted on

Festa e Krishtlindjes që po afron, na ndihmon edhe një herë të hyjmë më thellë në misterin e pamasë të Mishërimit të Zotit tonë. Thuhet në jetën e Shën Françeskut të Asizit se kishte ndodhur një herë që, gjatë ngrënies, ishte përhumbur aq shumë saqë e kishte ndërprerë të ngrënët. Bashkëvëllëzërit e tij, duke e shkundur pak, e pyetën: «Atë Françesk, çfarë ndodhi?». E ai: «Jo asgjë. Po mendoja vetëm se si ka mundësi që Zoti është bërë njeri». E jo rastësisht ishte pikërisht ky Shenjt që “shpiku” i pari punimin e Betlehemit, që sot gjendet në çdo kishë.

Mbase nuk është nevoja të përhumbemi edhe ne gjatë ngrënies, por patjetër mund ta lejojmë veten të mbështillemi nga ngrohtësia e misterit të Mishërimit të Birit të Hyjit.

Duke qenë se Hyji-Trini është Dashuri, atëherë kjo do të thotë se Biri, duke u bërë njeri, ka bërë të mundur që vetë Dashuria të bëhet njeri në personin e tij.

Fatkeqësisht ne njerëzit (e këtu nuk dua ta përjashtoj as veten time) jemi shumë të aftë të shndërrohemi në lypsarë. Edhe atëherë kur nuk kemi nevojë. Lypsarët që shohim rrugëve, jo të gjithë janë në atë gjendje ngaqë vërtet nuk e patën bekimin të kenë një jetë ndryshe, por ngaqë vetë zgjodhën – e vazhdojnë të zgjedhin – ta sigurojnë bukën e përditshme në atë mënyrë. Por, në një nivel shumë të fshehtë shpirtëror, të gjithë ne, tepër shpesh madje, shndërrohemi, si pa e vënë re, në lypsarë: lypim pak pushtet, lypim pak autoritet, lypim pak mirënjohje e, më e shpeshta, lypim pak dashuri. Tjetër gjë është të mirëpresësh e ta shijosh mirënjohjen, përzëmërsinë e dashurinë e të tjerëve kur të dhurohen e tjetër gjë është të shndërrohesh në lypsar të tyre. Të shndërrohemi në lypsarë nënkupton t’ia lejojmë vetes të tjetërsohemi, të heqim dorë nga gjërat që edhe ne vetë e dimë mirë se janë me vlerë e me kuptim. E përse? Sepse egon tonë tashmë e kemi lejuar të sëmuret.

E prandaj shpesh ne rendim pas pak dashurie, pas pak vëmendjeje, pas pak pushteti. Prandaj shpesh lejojmë të mashtrohemi, edhe atëherë kur e nuhasim se jemi duke u mashtruar. Shpesh ia lejojmë vetes të jemi mashtrues, edhe atëherë kur vazhdon të na vrasë ndërgjegja. Shumë shpesh ndokush vetëm për pak pushtet shitet. Shumë veta, vetëm e vetëm me qëllim që të dëgjojnë dy fjalë të ngrohta e të përzemërta dashuriçkash, lëshohen në aventura afektive të rrezikshme. E edhe vetë e dinë shumë mirë se sa të rrezikshme dhe se sa të pafryte janë, por nuk janë në gjendje ta marrin në dorë jetën e tyre, sepse vazhdojnë të zgjedhin të mbeten lypsarë. Vazhdojnë të enden me dorën e shtrirë e të thonë: «Më jepni 100 lekë dashuri».

Ndonjë shembull bashkëkohor të këtij lloji lypsarësh? Ata që fiksohen pas “pëlqimeve” në facebook, instagram a ku e di unë, duke hedhur çdo ditë – e shpesh edhe tri apo katër herë në ditë – statuse ose foto absolutisht të pa kuptimta. Nën maskën e një intelegjence apo lumturie fallso, shpesh fshehin vetëm identitetin prej lypsari që kanë filluar të zgjedhin në jetë. Por kjo është e mjerueshme.

Kemi dëshirë të dukemi të pëlqyeshëm, të mençur, të pazëvendësueshëm, jo ngaqë duam t’i dhurojmë diçka botës që na rrethon, por ngaqë duam të mbledhim sadopak mirënjohje, duartrokitje, adhurim. Shumë saktë e ka thënë Blejz Paskal qysh në shek. XVII: «Jemi kaq mendjemëdhenj, sa do të donim që të na njihte mbarë bota dhe jemi kaq mendjelehtë, saqë vlerësimi i pesë apo e gjashtë personave rreth nesh na gëzon e na kënaq». Shumë pak kush e di se Paskali ishte një i krishterë i bindur. Prandaj ndoshta arrinte ta shihte më mirë mendjelehtësinë që shpesh ne njerëzit ia lejojmë vetes.

Krishtlindja nuk na e lejon të harrojmë se Dashuria, vetë Dashuria, është bërë Njeri dhe se e ka emrin JEZUS, se ka jetuar në këtë botë, se ka folur me njerëzit.

Të hysh në komunikim me Jezusin në jetën tënde, do të thotë të shkosh direkt tek burimi i dashurisë e jo të shkosh ta kërkosh ujin nëpër kanale. Burimi garanton pastërtinë, kanalet shumë shpesh jo. Prandaj hape Ungjillin e do të kuptosh çfarë ka thënë e çfarë ka bërë Jezusi.

Është e vërtetë se, të kërkosh dashuri, mirënjohje e përzemërsi, nuk ka ndonjë gjë të keqe, por kujdes sepse mund të rendim pas dashurive që na shndërrojnë në skllevër. Ndërsa dashuria e pastër, e matur dhe e painters, të bën të lirë. Disa thonë se dashuria e vërtetë është si e verbër. Këto janë përralla. A i keni vënë re se sa vigjilentë janë prindërit ndaj nesh, duke u kujdesur për ne deri në detajet më të imta? Po të ishte e verbër ajo dashuri, nuk do t’i vërenin këto detaje. Nuk ndalen tek gabimet tona jo nga marrëzia, por nga largpamësia që kanë. Dashuria e vërtetë të bën shumë vigjilent e shumë largpamës.

Hape Ungjillin, lutu (mundësisht të kesh ndonjë çast sado të shkurtër lutjeje çdo ditë), mos e lër pas dore meshën e së dielës, mos e lër pas dore sakramentin e rrëfimit. Gjej kohë herë pas here edhe për vetmi. Të rrish vetëm me Jezusin. Kështu do të kapesh fort pas Burimit të Dashurisë.

Ki kurajon të mësosh nga dashuria e Jezusit, fillo edhe ti të duash vërtet, pa interes, si Zotin ashtu edhe njerëzit. Ki kurajon të falësh ata që të fyejnë. Ki kurajon të shfaqësh mirësi ndaj njerëzve. Gjej mënyrën të qortosh, por pa fyer e pa poshtëruar. Bëhu i fortë e filloja sërish këtyre gjëra kur të lodhesh apo kur ta kesh vënë re se përsëri je shndërruar në lypsar. Në lidhje me mëkatet e tua, beso se Jezusi të do e të fal po ia kërkove këtë sinqerisht. Mëso t’i kesh përzemër veprat e mira, gjërat me vlerë.

Kështu Krishtlindja nuk do të kalojë pa fryte edhe për ty. Kështu ti vetë do të jesh i frytshëm. Atëherë do ta vësh re se sa keq ishte gjendja e mëparshme prej lypsari të dashurisë. Ke për ta parë se lypsarët e përjetshëm të dashurisë kanë për ta lakmuar shëndetin tënd shpirtëror e, ndoshta, në fshehtësinë e zemrës së tyre do të përpiqen edhe ata të shërohen.

A e shikon se sa shumë të mira ka sjellur në botë Jezusi, Dashuria e bërë Njeri?

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *