«PATI MË SHUMË FUQI AJO QË TREGOI MË SHUMË DASHURI.»

Categories FamulliaPosted on

Shkëputur nga libri Dialogjet (II, 33-34), të Shën Gregorit të Madh, Papë.

Motra e Benediktit, që quhej Skolastikë, e kushtuar Hyji të gjithëpushtetshëm qysh në moshë fare të re, e kishte zakon ta takonte vëllain e vet një herë në vit. Njeriu i Hyjit zbriste për ta takuar në një ndërtesë që ishte në varësi të manastirit, jo shumë larg nga dera. Një ditë, pra, ajo erdhi si përherë dhe vëllai i saj i nderuar, i shoqëruar nga disa dishepuj të tij, zbriti tek ajo. E kaluan gjithë ditën me lavde hyjnore e me biseda shpirtërore dhe, kur tashmë po binte errësira e natës, hëngrën ushqim së bashku. Ende ishin të ulur në tryezë duke biseduar për gjëra të shenjta dhe tashmë kishte shkuar vonë, kur motra e tij murgeshë iu përgjërua duke i thënë: «Të lutem, mos më lër vetëm sonte; rri me mua deri në mëngjes që të flasim për gëzimet e qiellit.». Por ai iu përgjigj: «Ç’po thua, moj motër? Nuk mundem kurrsesi të rri jashtë manastirit.»

Qielli ishte ende me një qetësi të shkëlqyeshme: nuk dallohej as edhe një re. Kur dëgjoi refuzimin e të vëllait, murgesha i vuri mbi tryezë duart e veta duke i lidhur në mes tyre gishtat dhe duke përkulur kokën mbi ta për t’iu lutur Hyjit të gjithëpushtetshëm. Kur e ngriti sërish kokën, shpërthyen gjëmë e vetëtima kaq të fuqishme, sa filloi një shi aq i rrëmbyeshëm, saqë as Benedikti i nderuar e as vëllezërit që ishin me të nuk munden të vinin këmbën jashtë shtëpisë ku gjendeshin. Virgjëresha e kushtuar, duke përkulur kokën përmbi duar, kishte derdhur mbi tavolinë një lum të tillë lotësh, saqë, me anë të tyre, e ktheu në shi qiellin e qetë. Dhe shiu i rrëmbyeshëm nuk vonoi të fillonte pas lutjes së saj, por filloi njëherësh me të, deri në atë pikë saqë, ndërkohë që gruaja ende po e çonte kokën nga tavolina, menjëherë shpërtheu bubullima; e gjitha ndodhi në të njëjtin çast: kur e ngriti kokën lart, shiu filloi të binte.

Njeriu i Hyjit, kur e pa se me tërë ato vetëtima, bubullima e me aq shumë ujë që vërshonte nuk mund të kthehej kurrësesi në manastir, filloi të ankohej dhe, i trishtuar, i tha: «Hyji i gjithëpushtetshëm të faltë, moj motër. Çfarë bërë?» Por ajo iu përgjigj: «E shikon? Unë t’u luta ty e ti nuk deshe të më dëgjoje. Iu luta Zotit tim e ai më plotësoi uratën. Tani dil, nëse mundesh: më lër po deshe dhe kthehu në manastir.» Por ai, duke mos e patur të mundur të dilte jashtë, u detyrya të rrinte aty ku nuk deshi të ndalej me vullnetin e tij. Kështu e kaluan gjithë natën zgjuar dhe duke e ushqyer njëri-tjetrin me biseda të shenjta që kishin të bënin me jetën e shpirtit.

E nuk duhet të mrekullohemi nëse në atë rast u tregua më e fortë motra, e cila dëshironte të rrinte më gjatë me të. Sipas fjalëve të Gjonit, në fakt, Hyji është dashuri (1 Gjn 4, 8); me gjyq tejet të drejtë, pra, ndodhi që pati më shumë fuqi ajo që tregoi më shumë dashuri!

Pas tri ditësh, ndërkohë që gjendej në qelën e tij, Benedikti i çoi sytë dhe pa shpirtin e së motrës të dalë prej trupit, tek depërtonte, në formën e një pëllumbi, në thellësitë e mistershme të qiellit. Plot me gëzim për gjithë atë lavdi, ai falënderoi Hyjin e gjithëpushtetshëm me himne lavdie e ia dha edhe vëllezërve të vet lajmin e vdekjes së saj.

Madje dërgoi menjëherë disa prej tyre që ta merrnin trupin e saj e ta sillnin në manastir për ta vënë në varrin që ai e kishte përgatitur për vete. Kështu, duke pas qenë gjithnjë një shpirt i vetëm në Hyjin, as trupat e tyre nuk do të ndaheshin në varr.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *