Në Rranxa po zhvillohet një veprimtari sportive ndryshe nga veprimtaritë e tjera argëtuese që zhvillohen në kampet verore. Zhvillohet tri herë në javë (të martën, të enjten dhe të shtunën) nga ora 17:00 deri në orën 19:00 dhe do të zgjasë deri më 17 korrik.
Kjo veprimtari udhëhiqet nga një staf i kualifikuar sportistësh si Kristian Gjoni, Reald Rrotani dhe Nikolin Përzefi dhe nga asistentë mjeksorë si Klotilda Rrotani, infermiere, dhe Marinela Nika studente në degën e Fizioterapisë. Të gjithë janë të bashkuar nga një qëllim i vetëm: edukimi sportive i brezave, i shoqëruar edhe me argëtimin e tyre
Në fakt, kjo lloj veprimtarie ka lindur disa vite më parë në famullinë tonë, por tani po merr zhvillim gjithnjë e më shumë, duke afruar fëmijët dhe rinjtë jo vetëm të Rranxave, por edhe të fshatrave të tjerë të famullisë sonë. Në fakt, në ndryshim me vitet e tjera, këtë vit i janë shtuar kësaj nisme shumë fëmijë nga Bushati. Gjithsej janë të regjistruar më shumë se 30 fëmijë.
Pasi përfundon orari i caktuar për fëmijët e rëgjistruar, zhvillohen edhe lojra të tjera sportive për më të rriturit, për të fuqizuar kështu socializimin mes tyre dhe edukimin e tyre sportiv.
Këtë vit në Rranxa po i kushtohet më shumë vëmendje veprimtarive sportive, sepse janë veprimtari që ndihmojnë shumë në zhvillimin shëndetësor të fëmijëve, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë psikologjik.
Po bëhet një punë shumë e mirë me fëmijët nga stafi, duke ofruar profesionalizëm, disiplinë dhe argëtim, me shpresën që kjo lloj vepritmarie të masivizohet edhe më shumë në të ardhmen.
Ne si staf kemi një këshillë për prindërit: le t’i afrojnë fëmijët e tyre me sportin dhe veprimtaritë e ndryshme sportive që organizohen. Kjo sepse është në të mirën e gjithanshme të fëmijëve të tyre. Sporti zhvillon mendjen dhe trupin, duke e bërë njeriun të ndihet mirë. Largon stresin dhe fuqizon imunitetin. Me kohën që po jetojmë, e kuptojmë se kjo gjë është shumë e rëndësishme.
Nikolin Përzefi