E DIELA XVIII GJATË VITIT B
Dal 16, 2-4. 12-15; Ps 78 (77); Ef 4, 17.20-24; Gjn 6, 24-35
Në Ungjillin e së dielës së kaluar kemi dëgjuar se si Jezusi shumon pesë bukët dhe dy peshqit, duke i bërë të mjaftojnë për pesëmijë burra, pa llogaritur gratë e fëmijët dhe madje duke tepruar dymbëdhjetë shporta plot me bukë. E kemi parë se sa mrekulli e bujshme ajo ishte për popullin e Izraelit. Kurse në Ungjillin e kësaj të diele dëgjuam një pjesë që vijon menjëherë pas kësaj mrekullie në Ungjillin e Gjonit. Pjesa tregon se si turmat, kur e vënë re se Jezusi nuk është në lundra me nxënës, niset ta kërkojë dhe, çuditërisht, e gjejnë në anën tjetër të liqenit. Prandaj edhe e pyesin: «Rabbi, kur erdhe këtu?» Jezusi u përgjigjet: «Përnjëmend, përnjëmend po u them: më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë…»
Për t’i kuptuar këto fjalë të Jezusit, na vjen në ndihmë leximi i parë i cili flet për një ngjarje tejet të rëndësishme në Besëlidhjen e Vjetër. Është fjala për kohën kur Izraeli po endej nëpër shkretëtirë, fill pasi kishte dalë nga skllavëria e Egjiptit.
Jeta nëpër shkretëtirë ishte e vështirë dhe kishte filluar t’i mundonte pa masë uria dhe etja. Prandaj ata fillojnë të ankohen kundër Moisiut dhe Aronit: «Oh, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në dheun e Egjiptit, kur rrinim mbi vegsha mishi e hanim bukë derisa s’u ngopnim! Po pse na nxorët dhe na sollët në këtë shkretëtirë, të vdesë urie mbarë bashkësia?!» Ankesa do të kishte qenë e pranueshme sikur të mos kishte qenë pikërisht Zoti ai që i kishte nxjerrë nga skllavëria e Egjiptit dhe sikur Zoti të mos u kishte premtuar se do t’i çonte në tokën e premtuar. Por kishin filluar ta humbisnin besimin në Të.
Megjithatë Hyji e tregon përsëri mirësinë e vet dhe i thotë Moisiut: «Ja, unë po bëj t’ju bjerë bukë prej qiellit…» Premton edhe mish: «Sonte do të hani mish e nesër në mëngjes do të ngiheni me bukë…» E menjëherë premtimet Hyjnore realizohen: «Posa u bë mbrëmje, ia behën shkurtat dhe e mbuluan tëbanishtën, kurse në mëngjes, një shtresë vese rreth e rrotull tëbanishtës e kishte mbuluar sipërfaqen e shkretëtirës. Atëherë u duk një kokrrizë e hollë porsi brymë. Kur e panë bijtë e Izraelit, i thanë njëri-tjetrit: ‘Manhu’ [që do të thotë: ‘Çka është kjo?’]. Sepse nuk dinin se çka ishte.» Moisiu u tha që të mos kishin frikë ta hanin, sepse ajo ishte buka që Zoti ua kishte premtuar.
Një mrekulli vërtetë e madhe që flet qartë për Gjithëpushtetësinë Hyjnore e që, nga ana tjetër, izraelitët i siguronte përsëri se Hyji nuk e kishte braktisur popullin e Vet. Kjo «manë» ishte garancia e dashurisë dhe e përkujdesjes së Hyjit ndaj tyre.
Kështu kuptojmë se për ç’arsye mrekullia e shumimit të bukëve nga Jezusi nuk ishte thjesht një gjest që tregonte pushtetin e Tij Hyjnor, por për turmën ishte shumë më shumë se një mrekulli. U dukej sikur koha e përkujdesjes së madhe të Hyjit ndaj popullit të Vet po përsëritej.
Në Jezusin po përsëriteshin gjestet e kohës së artë të Moisiut e të popullit të Izraelit kur po dilnin nga skllavëria e Egjiptit. Mos vallë ky ishte «Profeti» të cilin Moisiu e kishte premtuar se do të vinte pas tij? Mos vallë ky do t’i lironte nga skllavëria e Romës?
Jezusi e vëren se në këtë mrekulli populli ka parë diçka më shumë, e vëren se e kanë kuptuar se kjo mrekulli është një shenjë mesianike, pra një gjest që i lajmëron popullit praninë e Mesisë së premtuar. Prandaj Ai u thotë: «Më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë.»
Këto fjalë të Jezusit nuk duhet t’i kuptojmë si fyese ndaj njerëzve që po rendnin pas Tij. Është e vërtetë se populli shpesh e kuptonte mbrapsht Jezusin, por është e vërtetë edhe se Jezusi nuk i kishte përçmuar kurrë ata. Por, edhe pse i ka pranuar, Jezusi gjithnjë i ka ftuar të shkojnë më thellë në jetën e tyre me Hyjin. Kështu – si një ftesë për të shkuar më thellë – mund të kuptohet edhe fjalia që vijon: «Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’ua japë Biri i njeriut, sepse këtë e vulosi Ati-Hyj.»
Pra nuk bëjnë keq që tek Jezusi shohin dikë më tepër se një mrekullibërës – që shohin Mesinë e premtuar –, por duhet edhe që, këtë Mesi, ta kuptojnë në mënyrën e duhur. Nuk duhet të presin prej tij «një ushqim që prishet», as mbretëri që kalojnë e stile jete që në fund të fundit nuk janë as e mira e vërtetë e njeriut, por duhet të kërkojnë prej Tij «një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme».
Jezusi i fton që të mos e shohin atë bukë të cilën Ai e kishte shumëzuar, si garanci të pranisë e të dashurisë së Hyjit, sepse një tjetër «bukë» do të jetë garancia e vërtetë e Hyjit për dashurinë e Tij: është fjala për Eukaristinë.
Kjo mrekulli e shumimit të bukëve e ka vendin e saj në mes dy mrekullive të tjera, shumë të largëta në kohë nga njëra-tjetra. Pikësëpari ajo kujton mrekullinë e «manës» e, së dyti, ajo paralajmëron edhe «themelimin e Eukaristisë», e cila është «ushqimi që qëndron për jetën e amshueshme», duke qenë se është prania e vetë Jezusit në mesin tonë.
Prandaj Jezusi u thotë: «Nuk ua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: sepse buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën.»
Shën Toma i Akuinit, Mësues i Kishës, e shpjegon këtë të vërtetë kështu në himnin e tij të famshëm «Pange lingua», të cilin pjesërisht e këndojmë gjatë çdo adhurimi Eukaristik: «Sakrament, pra, kaq t’madhnuem / le t’adhrojmë me fytyrë për dhe, / edhe dokja e motit të shkuem, / t’ia lëshoj vendin sjelljes së re.»
«Moti i shkuem» nënkupton Besëlidhjen e Vjetër, e cila tani duhet t’ia lëshojë vendin «sjelljes se re», pra Eukaristisë së Shenjtë, Besëlidhjes së Re në Jezu Krishtin. Këtë po u thoshte Jezusi judenjve kur po u paralajmëronte themelimin e Eukaristisë dhe rëndësinë e saj.
Por, siç ndodh shpesh në jetën e Jezusit – por edhe të Kishës së Tij – përsëri keqkuptohen Fjalët e Tij. E keqkuptimi ndodh pikërisht nga fakti se Jezusi dhe bashkëfolësit e Vet kanë dy pikëpamje krejt të ndryshme në mes tyre: Jezusi fliste duke shikuar planin e Atit dhe kriteret e Tij, kurse ata flisnin duke shikuar planet e veta dhe kriteret e tyre vetëm materiale. Prandaj edhe niveli i bisedës bie deri në një kërkesë të këtij lloji: «Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!» Meqë qenka një bukë më e veçantë, “shpejtojnë” që ta marrim prej saj, që kështu të ngihen një herë e mirë.
Shën Gjoni në Ungjillin e vet shpesh na bën ta shohim këtë ndryshim të madh kriteresh mes Jezusit dhe bashkëfolësve të Vet. Një rast tjetër është biseda me samaritanen, e cila, kur Jezusi i fliste për «ujin e gjallë» që Ai mund të jepte e që njeriut mund t’ia shuante etjen për gjithmonë (e kishte fjalën për Hirin e pagëzimit, hir i cili na zhyt në jetën me Hyjin), gruaja kujton se po i fliste për ndonjë ujë të veçantë dhe i thotë: «Më jep edhe mua prej atij uji.»
Por edhe këtu Jezusi ua thotë qartë se për çfarë po flet. U thotë: «Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë, nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.» Eukaristia është ushqimi më i dobishëm e më i domosdoshëm për njeriun. Prandaj nuk duhet ta lëmë pas dore marrjen e kungimit sa herë që të kemi mundësinë.
Shën Toma që e cituam më sipër, thoshte: «Eukaristia është përmbledhja e të gjitha mrekullive.» Kjo sepse në Eukaristi është misteri i Vdekjes e i Ngjalljes së vetë Jezusit. Prandaj jemi në gabim shumë të madh kur nuk i afrohemi kësaj Mrekullie që na shëlbon.
Për ta kuptuar këtë mësim të Jezusit, duhet feja. Kriteret tona duhet t’ia lëshojnë vendin kritereve të Jezusit. Edhe në Ungjillin e sotëm njerëzit i thonë Jezusit: «Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji.» Jezusi u përgjigjet, atyre e neve: «Vepra që Hyji kërkon, është kjo: besoni në atë që Ai e dërgoi!» Për të marrë jetë nga kjo «bukë e jetës», duhet të besojmë në Jezusin. Kjo nuk do të thotë që ta kuptojmë misterin e paarritshëm të pranisë së Tij në Eukaristinë e Shenjtë, por që t’i zëmë besë fjalës së Jezusit dhe t’i hapemi veprimit të Tij në Sakramentin e Eukaristisë.
Si pasojë, duhet edhe largimi i përditshëm nga mëkati, nga e keqja, që kështu Hiri i Eukaristisë të mund të veprojë në ne. Prandaj Shën Pali sot na thotë «Duhet ta flakni tej mënyrën e mëparshme të jetesës, njeriun e vjetër […] dhe të visheni me njeriun e ri!» Për Shën Palin, të vishemi me njeriun e ri do të thotë të vishemi me Krishtin. Vetë Shën Pali e thotë këtë diku tjetër: «Gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin, me Krishtin jeni veshur.» (Gal 3, 27)
Le të vishemi, pra, me Krishtin! Të mbushemi me fjalën e Tij dhe ta pranojmë jetën që vjen nga Jezusi: Ai është vetë «buka e jetës».
Dom Dritan Ndoci