E DIELA XXXIII GJATË VITIT B
Dan 12, 1-3; Ps 16 (15); Heb 10, 11-14, 18; Mk 13, 24-32
Leximi i parë dhe Ungjilli i sotëm flasin për fundit e botës. Të folurit për fundit e botës është një fenomen që gjendet në shumë besime. Gjithashtu edhe shkenca flet për një fund të sigurt të botës. Por mënyra se si përdoret koncepti «fund i botës», është mjaft i ndryshëm mes shkencës dhe besimit, si edhe mes besimeve të tjera me krishterimin.
Shkenca nënkupton një fund të natyrshëm të globit tokësor, të planeteve të tjera, të diellit e të galaktikave, duke u bazuar tek fakti se edhe shumë planete e yje të tjerë tashmë janë shpërbërë, si edhe tek fakti se vetë përbërja e tokës, e planeteve dhe e diellit është e një natyre të kufizueshme, që ka një jetëgjatësi të caktuar e jo të përjetshme.
Ndërsa besimet që flasin për fundin e botës nënkuptojnë jo një fund të natyrshëm të saj, por një ndërhyrje të mbinatyrshme të perëndive.
Në këtë aspekt edhe krishterimi ngjan me këto besime, por duke na treguar se Ai që do t’i japë fundin gjithçkaje është Jezu Krishti, Biri i Hyjit. Ndoshta më fort se të themi «fundi i botës», ishte dashur të përdornim fjalët «fundi i kohëve». Koha do të mbarojë e do të fillojë amshimi.
E këtu ka diçka shumë të rëndësishme. Kur flet për fundin e kohës, Jezusi është i qartë se këtë fund do të jetë pikërisht Ai që do ta vendosë. Do të na dukej shumë normale sikur Jezusi të fliste për një fund të vendosur nga të Tre Personat Hyjnorë, por, në fakt, Ai thotë se këtë fund do ta vendosë Ai vetë: «Atëherë do ta shohin “Birin e njeriut duke ardhur mbi re” me fuqi të madhe e me lavdi.» Do të jetë pikërisht Jezusi Ai që «do t’i dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës, prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.»
Po përse kjo ngjarje përfundimtare e historisë do të lihet në dorën e Birit? Kjo ngaqë Shkrimi Shenjtë thotë se pikërisht nëpërmjet Birit «u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë» (Gjn 1, 2) dhe se «çdo gjë qëndron në Të» (Kol 1, 17)? Jo vetëm kaq, por edhe ngaqë pikërisht nëpërmjet Tij Hyji na e tregoi dashurinë e vet dhe na shëlboi. Atëherë është e drejtë që, pikërisht nëpërmjet Birit, Ati ta mbyllë kohën.
Në ardhjen e Tij të parë, Jezusi erdhi si shërbëtor i njerëzimit, ndërsa atëherë do të vijë duke treguar se është Zotëruesi i gjithësisë dhe i historisë. Prandaj ata që i përkasin Jezusit, kur Ai të vijë, do të galdojnë në praninë e Tij. Ata që e ndoqën Jezusin shërbëtor në këtë jetë, do ta ndjekin edhe si Zotërues të gjithësisë në amshim. Ndërsa ata që nuk e bënë këtë, kur të gjenden para Tij, do ta kuptojnë se paskan ndjekur zotërinj të rrejshëm. Ardhja e Jezusit do të vërë në pah edhe kotësinë e jetës së tyre. Në këtë kuptim, Ai jo vetëm se do të mbyllë kohën, por do të jetë edhe gjykatësi i të gjallëve dhe i të vdekurve.
Sot në Ungjill Jezusi përdor disa fjalë që duken mjaft të frikshme. Thotë: «Në ato ditë, pas aso vështirësish, “dielli do të terratiset, hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet, yjet do të bien prej qiellit e trupat qiellorë do të lëkunden”.» Duket sikur Jezusi i përdor këto fjalë për të frikësuar, por është thjesht duke treguar kalueshmërinë e krijesave. Nëse, kur je duke dalë nga shtëpia, nëna jote të thotë se po vjen shtrëngata, nuk po ta thotë për të të frikësuar, për për të ta kujtuar se duhet të marrësh një çadër. Po ashtu edhe Jezusi dëshiron të na e kujtojë se krijesat do të mbarojnë, por kush beson në Të, nuk ka pse të ketë frikë. Mjafton që të strehohet nën pushtetin e Birit, pra të ndjekë fjalën e Tij.
Për më tepër, në kohën e Jezusit, dielli, hëna, yjet, ishin të konsideruara si perëndi nga jo pak popuj. Jezusi kështu dëshiron të nxjerrë në pah kotësinë e tyre në krahasim me Të. Po ashtu edhe ato gjëra që ne mund t’i quajmë si «diej» apo «yje» të jetës sonë, përballë Jezusit do të dalë në pah se në fakt nuk ishin të tillë. Prandaj na duhet të bëjmë kujdes kur i japim tepër rëndësi gjërave të tjera më fort se Jezusit dhe fjalës së Tij.
Të gjitha do të kalojnë, por vetëm fjala e Tij nuk do të kalojë: ideologjitë, besimet, kulturat, strukturat e ndryshme shoqërore, familja, shëndeti, jeta, nëse nuk kanë brenda tyre fjalën e Jezusit do të bien poshtë, do të kuptohet se sa boshe ishin. Ndërsa gjërat që do të triumfojnë do të jenë ato që brenda tyre kanë fjalën e Jezusit. Prandaj Jezusi na thotë në Ungjill këto fjalë vërtet madhështore: «Qielli e toka do të kalojnë e fjalët e mia nuk do të kalojnë.»
Sa keq do ta ndjejnë veten para Krishtit ata që e kanë mohuar atë në këtë jetë, ata që kanë jetuar me mashtrime, me intriga, apo ata që kanë drejtuar struktura shoqërore që nuk iu hapën Atij e që nuk e kishin përzemër të vërtetën e drejtësinë. Do ta shohin me sytë e vet zbrazëtinë e mendjes së tyre.
Ja pra cili është kuptimi i jetës sonë, i jetës së botës, i jetë së historisë: orientimi kah Ungjilli. Çdo gjë tjetër kalon e vetëm ajo lloj jete që jetohet sipas Ungjillit të Krishtit, nuk do ta humbasë kurrë shkëlqimin e vet. Siç thotë edhe leximi i parë: «Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore e ata që ua kanë mësuar shumëve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm.»
«Dijetari» sipas Biblës është ai njeri që beson në Hyjin. Ja pra: ai që beson në Hyjin dhe që ua mëson këtë edhe të tjerëve, do të jetë trashëgimtari i jetës së Hyjit. Të tjerët jo.
Këtë, pra, na mëson sot Shkrimi Shenjt: ta ndjekim çdo ditë Krishtin dhe t’ia shpallim Atë botës! Çdo ditë e jetës sonë duhet të orientohet kah Ai! Gjithçka tjetër është e kalueshme dhe boshe, sado e shkëlqyeshme që mund të duket.
Jezusi thotë: «Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.» Zoti nuk ka dashur të na e thoshte se kur do të ndodhte fundi i kohëve, por, po ta mendojmë mirë, nuk do të duhej të kishte rëndësi ta dinim apo jo ditën dhe orën, sepse çdo ditë dhe çdo orë ne do të duhej të ishim duke jetuar sipas fjalëve të Jezusit. Mbase për këtë arsye Ati i amshuar nuk na e ka treguar, sepse kjo nuk ishte e domosdoshme për shëlbimin tonë. Psalmi e thotë shumë bukur: «Zotin e kam gjithmonë para sysh.»
Të jetojmë, pra, sipas fjalëve të Jezusit, t’ua mësojmë ato edhe të tjerëve, ta presim me bindje, gëzim dhe plot dëshirë ardhjen e Tij të dytë! Ta dijmë se jemi të krijuar vetëm për Të! Po ndoqëm dikë apo diçka tjetër, një ditë do ta shohim se sa boshe ishte. Vetëm Jezusi është drita e vërtetë e prandaj edhe ta presim me gëzim amshimin e lum që na pret në Të.
Psalmisti i sotëm i thotë Zotit: «Ti do të ma tregosh udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate, kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.»
Dom Dritan Ndoci