E DIELA XXXIV GJATË VITIT B
JEZU KRISHTI, MBRET I GJITHËSISË
Dan 7, 13-14; Ps 93 (92); Zb 1, 5-8); Gjn 18, 33-37
Në jetën e Shenjtes Katerinë nga Siena, Shenjtëresha e madhe e shekullit XIV, thuhet se një herë iu shfaq Jezusi me dy kurora në duar. Në njërën dorë mbante një kurorë prej ari, ndërsa në tjetrën një kurorë ferrash dhe e ftoi shenjtëreshën që të zgjidhte se cilën dëshironte të merrte për vete. Shenjtja Katerinë zgjodhi pikërisht atë prej ferrash. Prandaj edhe tradita e kujton atë si shenjtëreshën që gjatë viteve të fundit të jetës së vet, kishte gjithnjë në kokë një kurorë ferrash të padukshme, por që dëshmohej në forma të ndryshme se e kishte.
Si ka mundësi që kjo shenjtëreshë, e cila jetonte një jetë shumë intime me Hyjin, zgjodhi pikërisht këtë lloj kurore? Si ka mundësi që po ashtu kanë vepruar edhe shumë burra e gra të cilët me gjithë shpirt e ndiqnin Jezusin në jetën e tyre? Arsyeja është fakti se ata e kishin kuptuar mënyrën se si Jezusi mbretëron: duke pranuar përvujtërimin.
Edhe në Ungjillin e sotëm kemi një pjesë e cila na e paraqet Jezusin pikërisht në këtë gjendje përvujtërimi. Para Pilatit, Jezusi duket si një dështak, por, njëkohësisht, nuk ngurron të pohojë: «Unë jam Mbret.»
Në Ungjillin e Gjonit, na paraqiten shpesh biseda mes njerëzve të ndryshëm dhe Jezusit dhe ne aty mund të shohim fare qartë ndryshimin e botëkuptimit të tyre me Jezusin.
Përshembull, në atë pjesën ku flitet për bisedën e Jezusit me Nikodemin, shohim se, kur Jezusi fliste për një lindje të re – duke nënkuptuar lindjen prej ujit dhe prej Shpirtit – Nikodemi filloi të vriste mendjen se si ishte e mundur që njeriu të hynte sërish në barkun e nënës e të lindte. Kur Jezusi i tha gruas samaritane se kishte një ujë që ta shuante etjen përgjithnjë – duke nënkuptuar Hirin e fesë – gruaja filloi të mendonte se bëhej fjalë për ndonjë ujë magjik.
Kështu pra, edhe në Ungjillin e sotëm, kur Pilati dëgjon prej Jezusit fjalët: «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote», menjëherë i duket e natyrshme të pyesë: «Pra ti qenke Mbret?» Por mënyra se si këta dy persona e konceptonin mbretërimin, ishte shumë e ndryshme.
Pilati është mbreti i asaj mbretërie që sundimin e vet e bazon mbi pushtetin dhe pasurinë. Kjo lloj mbretërie e ka si të natyrshme që, për hir të pushtetit e të pasurisë, të mos tolerojë asgjë, qoftë as jetën e atij që ia kërcënon ato. Ndërsa Mbretëria e Jezusit, sundimin e vet e bazon mbi shërbimin dhe dashurinë. Kjo lloj Mbretërie e ka si të natyrshme që, për hir të shërbimit e të dashurisë, jo ta marrë jetën e tjetrit, por ta mbrojë atë me çdo kusht, edhe sikur kjo gjë të kërkonte dhurimin e jetës nga ana e Mbretit. Ja, kjo është mënyra se si Jezusi mbretëron, e kjo lloj mbretërie nuk kalon kurrë. Është e vetmja që i reziston çdo sfide. Pikërisht këtë lloj mbretërie kanë zgjedhur edhe shenjtërit.
Duke u nisur nga kjo, atëherë mund të themi se dështaku i vërtetë këtu është Pilati. Kështu edhe ne, sa herë që në jetë mund të na shkojë mendja të themi se jemi fitimtarë, ngaqë shohim se në duart tona po rritet pushteti e pasuria, të mos ngutemi të dalim në përfundimin se po triumfojmë. Mbase jemi dështakët më të këqij.
Përkundrazi, ne duhet të gëzohemi kur shohim se duart tona ofrohen për të shërbyer dhe kur jemi në gjendje të dhurojmë vetveten. Vetëm atëherë mund të themi se jetës sonë po i japim dinjitetin e duhur, dinjitetin e bijve e bijave të Hyjit, të cilët mësojnë prej Atij që shërbimin e ushtron në mënyrën më të përsosur, aq sa përuljen dhe vetëflijimin i quan si kurorën e vet.
Ai që e do këtë kurorë të Jezusit, do të vërtetën e prandaj edhe i bindet fjalës së Tij. Ja përse Jezusi thotë para Pilatit: «Unë jam mbret! E unë linda e erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time.»
«Krishti i kryqëzuar është qendra e kulturës së vërtetë, e kulturës së të vërtetës», – thoshte Papa Benedikti XVI.
Por kjo festë e sotme ka për qëllim edhe diçka tjetër: Jezusi jo vetëm që është Mbreti i dashurisë, por është edhe Mbreti i gjithësisë. Pikërisht kështu quhet edhe e kremtja e sotme.
Prandaj leximi i parë e i dytë janë kaq të ndryshëm me Ungjillin. Aty na tregohet pushteti i pamasë i Jezusit. Leximi i parë na flet për një vegim të Danielit profet i cili thotë: «Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut. Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë.»
Do të bëhej shumë i njohur në traditën hebraike ky vegim i Danjelit profet, aq sa, qysh atëherë, fjalët «Biri i njeriut» do të bëheshin sinonim i Mesisë që pritej. Edhe Jezusi para sinedrit do t’i citojë këto fjalë, duke nënkuptuar se vlenin për të: «Ju do ta shihni Birin e njeriut duke ardhur në anën e djathtë të Hyjit të Gjithëpushtetshëm e duke ardhur me re të qiellit.» Jezusi sapo u kishte pohuar se është Biri i Hyjit e prandaj u tregon se në Të po plotësohej kjo profeci e Besëlidhjes së Vjetër. Prandaj, i tërbuar nga ky guxim “i tepruar” i Jezusit, «kryeprifti i shqeu petkat e veta».
Të krishterët e parë menjëherë e pranuan se pikërisht në Jezusin plotësohej kjo profeci. Prandaj leximi i dytë thotë: «Jezu Krishti është […] Sunduesi i mbretërve të tokës. […] Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy». Pastaj sjell fjalët që i thotë vetë Jezusi: «Unë jam Alfa dhe Omega, Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi.»
Jezusi është Ai nëpër të cilin çdo gjë u krijua, dhe që nëpërmjet Tij mbahet në jetë. Vetë Ati i amshuar ia ka dorëzuar Atij këtë mbretëri. Ai është Sunduesi i larmisë së madhe që gjendet mbi tokë, si edhe i universit madhështor.
Ndoshta do të na pëlqente më fort të mendonim për këtë lloj mbretërimi të Jezusit duke e shkëputur nga ajo mënyra e parë e mbretërimit të Tij që pamë pak më sipër, por të ruhemi fort nga ky tundim. Jezusi është Mbret i dashurisë e njëkohësisht është edhe Mbreti i gjithësisë. Nuk shkojnë njëra pa tjetrën. Dante Alighieri, poeti e shkrimtari më i madh italian i shekullit XIV, e thoshte shumë bukur këtë të vërtetë mbi Zotin në «Komedia Hyjnore»: «Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjera.»
Nga njëra anë kjo na tregon se Jezusi e sundon gjithësinë vetëm brenda logjikës së dashurisë, edhe pse për ne kjo mbetet gjithësesi e mistershme. Por nga ana tjetër na tregon se nuk duhet ta humbasim besimin se Hiri i Tij do të na mbështesë në çdo situatë, sado të brishtë që mund të ndihemi dhe mund të jemi. Edhe atëherë kur gjithçka përreth nesh na thotë se nuk ia vlen ta ndjekim logjikën e Jezusit, të mos harrojmë se ajo është logjika e të Gjithëpushtetshmit: Ai mban në dorë gjithësinë e nuk po qenka në gjendje ta gjejë një rrugëzgjidhje edhe për situatën tënde!
Por, kur në lutjen tonë i kërkojmë Hyjit ndonjë ndërhyrje spektakolare, të mos harrojmë se Ai është mbreti i dashurisë e i përvujtërisë. Brenda kësaj logjike duhet të jetë edhe urata jonë. Edhe neve na duhet të pranojmë përvujtërinë dhe mundimin që kështu mbretërojmë së bashku me Të.
Duke marrë pjesë në këtë lloj mbretërimi të Jezusit në këtë botë, të jemi të sigurtë se një ditë do të marrim pjesë edhe në Mbretërimin e Tij në lumturinë e Parrizit.
E kremtja e sotme dëshiron të na bëjë të kuptojmë se jemi të thirrur të kemi dashuri në këtë botë, ashtu siç na ka mësuar Jezusi. Urrejtja dhe mashtrimet janë të kufizuara, të rreme, edhe nëse për pak kohë duket sikur po triumfojnë. Jezusi, Mbreti i Gjithësisë, një ditë do të vijë me pushtetin e Vet për të marrë tek vetja ata që i qëndruan besnikë në provat e ndryshme të kësaj jete. Pra kjo e kremte dëshiron të na e forcojë fenë dhe shpresën tonë. Kështu na i përtërin edhe forcat tona për të dashur më shumë Hyjin e njëri-tjetrin.
Nxënësve, pra edhe ne, Jezusi u ka thënë: «Ju jeni miqtë e mi.» Shesim shpesh mend kur kemi ndonjë njeri të afërm në ndonjë post politik apo kushedi se çfarë. Pse të mos na e gëzojë zemrën fakti që kemi Mik vetë Mbretin e Gjithësisë?
Domethënia e madhe që ka në vetvete kjo e kremte e sotme, e shoqëroftë gjithnjë jetën tonë, në çdo situatë!
Dom Dritan Ndoci