E DËFTOI LAVDINË E VET DHE NXËNËSIT E TIJ BESUAN NË TË!

Categories HomeliPosted on

E DIELA II GJATË VITIT C

Is 62, 1-5; Ps 96 (95); 1 Kor 12, 4-11; Gjn 2, 1-12

Duket sikur e tepron ungjilltari sot kur, në përfundim të tregimit të kësaj mrekullie, shkruan: «Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.» Sidomos bien në sy shprehje si «e dëftoi lavdinë e vet», thuajse kishte ndodhur ndonjë mrekulli tepër e bujshme dhe shprehja «nxënësit e tij besuan në të», duke na çuditur të gjithë se si ishte e mundur që mjafoi aq, që nxënësit të besonin se Jezusi ishte Mesia i premtuar. Pastaj pse ungjilltari ngulë këmbë të theksojë se «Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit.»? Por është pikërisht kjo “tepri” përshkrimi dhe kjo këmbëngulje, ajo që shpjegon rëndësinë e mrekullisë së shndërrimit të ujit në verë.

Vera është mbajtur gjithnjë si pija e mbretërve. Vera ishte gjithnjë pija që simbolizonte mirëqenien dhe harenë. «Vera, që e gëzon zemrën e njeriut», thotë psalmi 104, 5, duke mos u larguar nga kjo bindje e gjithmonshme e njerëzimit. Gjërat pastaj merrnin edhe ngjyrime teologjike kur ishte vetë Hyji ai që, ndërkohë që i premtonte Izraelit lumturinë e kohëve mesianike, përdorte pikërisht verën si pijen që simbolizonte harenë që do të përmbushej me ardhjen e Mesisë: «Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme, me mish të majmë plot palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti.» Prandaj Shën Gjoni ungjilltar, kur kujton këtë mrekulli të parë të Jezusit, nuk mund të mos e lidhë atë mrekulli me këto tekste të njohura për të gjithë hebrenjtë, të cilët plot ankth e zell prisnin Mesinë. Duke thënë «e dëftoi lavdinë e vet», nënkupton dëftimin e mesianizmit të Jezusit dhe, duke thënë «nxënësit e tij besuan në të», nënkupton se nxënësit menjëherë e kuptuan këtë mesianizëm dhe iu hapën atij.

Por, për ta kuptuar më mirë domethënien e kësaj mrekullie të Jezusit, na vjen në ndihmë sot leximi i parë, i cili përshkruan gjithashtu një klimë martesore. Është Hyji Ai që i premton Izraelit se do ta përtërinte sërish popullin e Tij: «Nuk do të quhesh më “E lëna”, toka jote më s’do të quhet “E shkretuar”, por do të quhesh “Kënaqësia ime” e toka jote “E martuara.”». Hyji shumë shpesh ka përdorur shprehje të tilla që kanë të bëjnë me martesën, për të treguar dashurinë e tij për Izraelin. Nuk është rasti këtu ta trajtojmë si tematikë, por, Hyji, duke e përdorur martesën për të shpjeguar dashurinë e Tij për këtë popull, e ndihmonte ndërkohë këtë popull që të kuptonte edhe martesën në vetvete, duke i ofruar atij shembullin më të fortë që duhej të kishte parasysh çdo martesë në Izrael, shembull i cili, pra, ishte pikërisht dashuria e Hyjit ndaj tyre.

Por është mbi të gjitha rreshti i fundit i leximit të parë ai që na hap një dritare vërtet të rëndësishme në kuptimin e Ungjillit të sotëm. Aty Hyji paraqitet si dhëndri i popullit të zgjedhur, kurse Izraeli si nujsa e Tij: «Sikurse i riu që martohet me të fejuarën, kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt, sikurse dhëndri që i gëzohet nuses, kështu do të të gëzohet ty Hyji yt.». Kështu tani mund ta kuptojmë edhe rëndësinë që ka për ungjilltarin të theksojë se «kjo ishte mrekullia e parë e Jezusit», si për të na vënë përballë një premtimi që po shkon drejt përmbushjes, që do të thotë se Hyji, në Jezusin, vërtet u bë dhëndri i gjinisë njerëzore. Shën Gjon Pagëzuesi vetë e quan Jezusin Dhëndri. «Unë nuk jam Mesia ­– thoshte Gjoni – por jam i Dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i cili i rri pranë dhe e dëgjon, kënaqet kur e dëgjon zërin e dhëndrit. I tillë është, pra, gëzimi i im: arriti në kulm.»

 «Gëzimi im arrini në kulm.», thoshte profeti i fundit i Izraelit, i fundmi ndër ata që prisnin ardhjen e Mesisë. Tani që Mesia erdhi, gëzimi arriti «në kulm». Mrekullia e shndërrimit të ujit në verë në dasmën e Kanës, pra, ishte mrekulli që po ndodhte brenda një mrekullie tjetër edhe më të madhe, që ishte përmbushja e një profecie që premtonte se Hyji do të vinte si dhëndër për popullin e tij dhe ashtu po bënte tani në Jezusin.

Kështu e kuptojmë se, për ungjilltarin, të përshkruante këtë mrekulli të Jezusit, donte të thoshte të matej mirë sepse po për­shkruante një mister që po i përmbushej para syve, përballë të cilit ai vetë kishte mbetur i mahnitur kur e kishte parë se po ndodhte me të vërtetë. Prandaj detajet këtu marrin një vlerë tepër të rë­ndësishme.

Në atë dasmë rrethanat kishin bërë që Jezusi të shkonte falë ndonjë afërsie gjaku që Maria duhet të kishte me atë familje, përderisa ungjilltari e thekson menjëherë në fillim se «aty ishte edhe nëna e Jezusit». Por, e parë me sytë e fesë, edhe kjo rrethanë e Provanisë Hyjnore nuk mund të mos na bëjë të mendojmë se ishte pikërisht nga Mara që Biri i Hyjit zgjodhi të merrte trupin njerëzor e të vinte në botë. Kështu, më vonë, të krishterët do të kuptonin se roli i Marisë në shëlbimin e njerëzimit, nuk duhej të anashkalohej asnjëherë, sepse përndryshe do të rrezikohej të mos kuptohej mirë edhe vetë misteri i Birit të amshuar.

Maria nuk ishte sa për numër në atë dasmë, sepse e kuptoi e para se një vështirësi e rëndë ishte në horizont për të zotin e shtëpisë. «Nuk kanë më verë.», i thotë ajo Jezusit, duke u bërë kështu ndër­mjetësja e parë e një nevoje reale të të pranishëmve në dasmë, të cilëve duhej t’u kthehej gëzimi që po rrezikonin ta humbisnin. Kështu, Maria, gjithnjë do ta vazhdonte ndër shekuj këtë mision ndërmjetësimi para Birit të vet, duke ia paraqitur Atij nevojat e Kishës dhe të mbarë njerëzimit dhe, falë pastërtisë e thjeshtësisë së saj të padiskutueshme, vazhdimisht nxjerr hire e bekime që çojnë kah shëlbimi i amshuar, shëlbim cili shpesh rrezikon seriozisht të humbasë sikur të mos ishte ndërmjetësia e saj prej Nëne.

«Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!», i përgjigjet Jezusi me këto fjalë që kanë futur jo pak në mendime biblistë e teologë, për shkak të ftohtësisë që aty Jezusi duket se shpreh përballë asaj situate vërtet të rënduar. Por biblistë e teologë janë bashkë së paku në një pikë: se Jezusi ka dashur të kujtojë se shëlbimin e vërtetë, martesën e vërtetë me njerëzimit, Ai do ta realizonte në «kohën» e Vdekjes dhe Ngjalljes së Tij e jo në atë mre­kulli shndërrimi të ujit në verë. Vetëm atje Jezusi do të dëshmohej përfundimisht si «Dhëndri».

Megjithatë, Jezusi pranon ta bëjë atë mrekullie e kështu të gjithë do të kuptonim se, të gjitha mrekullitë e tjera të Jezusit, do të shërbenin për të kuptuar atë mister të pambarim të Vdekjes e të Ngjalljes së Tij dhe, më pas, në kohën e Kishës, të gjitha mrekullitë që do të ndodhnin, do të ishin shenjë e atij Misteri të pashtershëm pashkor.

«Bëni gjithçka t’ju thotë!» u thotë shërbëtorëve Maria, ajo që, pak para çastit kur Jezusi do të ngjizej në kraharorin e saj, kishte thënë: «Unë jam shërbëtorja e Zotit.». Sa i lartë është ky autoritet që Maria ka në Kishën e Hyjit! Ajo gjithnjë i thotë Kishës që të bëjë përballë Jezusit pikërisht ashtu si ka bërë edhe ajo vetë gjithnjë. Sa shumë kanë për të mësuar nga Maria të gjithë ata që mendojnë se kanë ndonjë autoritet përballë të krishterëve të tjerë! Autoriteti i tyre do të pranohet nga turmat vetëm nëse ata më parë do ta kenë dëshmuar se janë ata vetë shërbëtorë të Hyjit.

Jezusi i bindet me plot butësi nënës së vet dhe e shndërron në verë ujin që gjendej në «gjashtë enë guri, që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve». Nuk ishin enë paklitërshe, por gati-gati çister­na të vërteta, sepse sasia e ujit që nevojitej për mbarëvajtjen e një dasme ishte vërtet e madhe. Kjo tregon se hareja që Jezusi po i sillte botës nuk është “pak litërshe”, por e pamasë.

E, sikurse vera që Jezusi e “nxori” nga uji, ishte më e mirë se vera e parë që kishte dhënë i zoti i shtëpisë, ashtu edhe hareja që tani Jezusi po i sillte Izraelit e, më anë të tij, mbarë njerëzimit, ishte pafundësisht më e madhe.

Tani e shohim, pra, përse Shën Gjoni ungjilltar e “teproi” me dashje përfundimin e kësaj mrekullie kur përshkroi madhështinë e saj dhe reagimin e nxënësve përballë saj: «E dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *