ZOTËRIA U DHA TALENTET.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXXIII GJATË VITIT A

Fu 31, 10-13. 19-20. 30-31; Ps 128 (127); 1 Sel 5, 1-6; Mt 25, 14-30

Në mes të shumë detajeve të tjera që thuhet se ndikuan në “kthimin” e Shenjtes Terezë të Avilës, ishte edhe një bisedë që ajo kishte bërë me një meshtar gjatë një rrëfimi. Tereza, tashmë e kushtuar Hyjit prej rreth njëzet vjetësh, me skrupolozitet shqetësohej shumë që të rrëfente mëkatet e bëra. Por rrëfyesi, me shumë dritë shpirtërore, i tha: «Më fort se të shqetësohesh për të keqen që ke bërë, duhet të shqetësohesh për të mirat që mund të kishe bërë e nuk i ke bërë». Kjo përspektivë e re e të shikuarit gjërat e vuri Shenjtëreshën në një udhë të re. Falë edhe shumë detajeve të tjera, ajo pastaj filloi të “kthehej kah Zoti”. Jo se kishte bërë mëkate të rënda, por aty e tutje filloi të perqendrohej tek prania e gjallë e Jezusit në jetën e saj, prani e cila i mundësonte shumë e shumë raste për ta dëshmuar dashurinë ndaj Tij e ndaj të tjerëve. Pastaj, në rrëmujën shpirtërore, teologjike e politike që po ndodhte në Kishën e shekullit XVI (për shkak të zbulimit të Amerikës dhe për shkak të herezive luterane), ajo filloi të pyeste veten se çfarë mund të bënte në gjithë këtë. Ia nisi me bindjen që të jepte ndihmesën e saj të vogël në të mirën e Kishës me ripërtëritjen e murgeshave Karmelitane, por ajo ndihmesë «e vogël» u shndërrua në njërën prej kolonave më të forta të Kishës së asaj kohe dhe e tillë vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite.

Kështu e kuptojmë rëndësinë e shëmbëlltyrës së sotme, ku Jezusi flet për talentet të cilët duhet të futen medoemos në punë.

Talenti ishte një masë paraje në atë kohë. Jezusi tregon për një njeri shumë të pasur i cili «deshi të nisej për dhe të largët» e, para se të nisej, «i thirri shërbëtorët e vet dhe ua dorëzoi pasuritë e veta». Secilit i dha «sipas zotësisë së tij»: «njërit pesë, tjetrit dy e të tretit vetëm një». Duhet theksuar se në këtë rast bëhej fjalë për shuma vërtetë kolosale, duke qenë se një talent ishte i barazvlefshëm me pagën e gjashtëmijë ditëve punë. E llogaritur në vite, shkon diku rreth njëzet vite rrogë normale.

Kur zotëria u kthye nga udhëtimi i tij, u kërkoi llogari për mënyrën se si i kishin përdorur paratë e tij. Dy të parët i kishin dyfishuar talentet e besuara. Ishte i treti ai që kishte bërë diçka shumë të çuditshme: e kishte fshehur këtë pasuri të mëdha nën tokë. Pikërisht këtë gjest zotëria ia qorton rëndë e nuk kursehet t’u thotë shërbëtorëve të tjerë: «Merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë… E shërbëtorin e pavlefshëm qiteni përjashta!». Nga ana tjetër, fjalë tejet të bukura ky zotëri kishte thënë për dy shërbëtorët e tjerë, të cilët ia shumuan paratë e besuara: «Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!».

Çfarë nuk kishte shkuar mirë, pra, me shërbëtorin e tretë, që nuk e shumoi talentin e vet? Në përgjigjen e tij, ky shërbëtor kishte dhënë këtë justifikim: «Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbodhe e mbledh ku nuk hodhe, u frikësova». Por Zotëria nuk e kapërdiu këtë justifikim hileqar. E kuptoi përpjekjen e tij për ta mashtruar. Prandaj ia ktheu menjëherë: «Shërbëtor i keq dhe përtac». Shkaku i vërtetë i asaj zgjedhjeje të çuditshme nga ky shërbëtor ishte, pra, dembelizmi e jo frika e ndonjë falimentimi të mundshëm. Kot nuk e thotë një proverb se «nëna e të gjitha veseve është dembelizmi».

Sikur shkaku i vërtetë të kishte qenë frika, së paku, ia kujton Zotëria: «të është dashur ta shtish paranë time në bankë e në kthim kisha marrë gjënë time me kamatë». Pra e kishte një mënyrë për t’i shumuar paratë, nëse vërtet do ta kërkonte atë mënyrë.

Në fillim të Meshës, të penduar për mëkatet tona, themi gjithmonë «Po i rrëfehem…», si përgatitje për ta vazhduar denjësisht Meshën e Shenjtë. Ndër të tjera, aty i kërkojmë Hyjit falje edhe për mëkatet që kemi bërë «me lëshime». Këto lloj mëkatesh janë të mirat që do të kishim mundur t’i bënim, por, me justifikime të ndryshme, nuk i kemi bërë. Përshembull, shumë të rinj thonë se nuk kanë kohë të luten, por nga ana tjetër, kalojnë kohë vërtet të tepërt në rrjetet sociale. Rrijnë deri në dymbëdhjetë të natës (e shpesh edhe më gjatë) duke çatuar gjëra gati boshe me shoqërinë (për të mos folur këtu për ata që kalojnë çdo lloj kufiri etik) e, nga ana tjetër, ankohen se i merr gjumi kur duan të thonë ndonjë uratë.

Kjo në lidhje me lutjen. Po me gjërat e tjera të jetës? Edhe këtu referimin më të përshtatshëm do të mund ta gjenim në lidhje me të rinjtë. Të gjithë, në një formë apo në një tjetër, kanë aftësi vërtet mahnitëse. Por jo të gjithë i kultivojnë e i zhvillojnë ato aftësi. Shumë prej tyre kanë ëndrra të bëhen kushedi se kush në jetë, por jo të gjithë angazhohen seriozisht në studime, në kultivimin e aftësive dhe pasioneve të ndryshme që ndiejnë brenda vetes. Kanë dëshira të mëdha, por flenë gjumë me ëndje në djepin e dembelizmit të tyre. Por, siç ka shkruar shkrimtari francez i shekullit të kaluar, Paul Valèry: «Mënyra më e mirë për ta bërë një ëndërr realitet, është që të zgjohesh nga gjumi». Edhe Shën Pali, në leximin e dytë, e qorton fuqimisht dembelizmin në lidhje me shenjtërimin e përditshëm që na kërkohet në jetë: «Të mos flejmë si të tjerët, por të rrijmë zgjuar!». I Lumi Dom Ndre Zadeja, ka lënë të shkruar në «Katekizmi në vjersha» të tij një shprehje shumë domethënëse: «Për dembel s’u ba Parrizi, por për at që fort çalltisi». E kishte kuptuar shumë mirë ky meshtar tejet aktiv se i krishteri e ka për detyrë ta shfrytëzojë e ta përdorë për të bërë mirë çdo rast që Provania i vë përpara. Dembeli i lë t’i shkojnë kot shumë raste të tilla, kurse punëtori, shpejton, («çalltis») t’i shfytëzojë ato.

Pra, për t’u rritur në shenjtëri, nuk qenka e rëndësishme nëse kemi shumë apo pak talente, por nëse i vëmë apo jo në punë ata që kemi. Po ta vërejmë me kujdes, rastet për të bërë mirë janë vërtet të shumta në jetën e secilit, por varet se sa urti shpirtërore kemi për t’i dalluar ato.

Në leximin e parë na flitet në një formë shumë origjinale për urtinë. Autori i shenjtë në këto rreshta e krahason urtinë me një grua: «Ku mund të gjendet një grua vëretet burrëreshë? Është më e çmeshme se gurët e paçmueshëm. Ajo gjen lesh e li e punon hareshëm me duart e veta. Furkën merr në dorë e me gishta e sjell boshtin». Përshkruan këtu një grua shumë punëtore, të aftë të bëjë njëherësh punë të shumta nëpër shtëpi, siç bëjnë të gjitha nënat e botës dhe, për të rritur fëmijët e saj, ajo arrin të përdorë deri edhe gjërat më të thjeshta që i bien në dorë. Urtia e saj qëndron jo në faktin se ka shumë, por në aftësinë e saj që t’i dallojë ato mundësi që ka përreth vetes. Këtë lloj urtie na kërkon Hyji edhe neve: të dimë t’i shohim «talentet» që Ai na jep dhe mundësitë që na i krijon në jetë për të bërë të mirën. Të mos zgjedhim edhe ne të jemi «përtacë». Nuk është faji ynë nëse Hyji na ka dhënë «pesë, dy, apo një talent», por është faj i ynë nëse nuk i vëmë ata në punë. Shërbëtori «përtac» nuk qortohet se «bëri diçka të keqe», por qortohet se «nuk bëri asgjë».

Shenjtërit, të cilët me besim në Zotin i vunë në punë talentet e veta, na mësojnë se sa e vërtetë është se Hyji, pastaj, i shton edhe më shumë këta talente, duke vërtetuar kështu fjalët e Jezusit: «Atij që ka do t’i jepet më e do të ketë me shumicë». Ndërsa përtacët, kopracët dhe ata që nuk deshën t’i hapen me bujari Hirit Hyjnor në përdorimin e talenteve, vërtetojnë ato fjalët e tjera të Jezusit: «Atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka».

Një herë një njeri doli para Zotit dhe, i kënaqur me vetveten, i shtriu duart e tha: «Shiko, o Zot, sa të pastra i kam duart e mia!». Por Zoti, buzëqeshi me trishtim dhe i tha: «Po, të pastra i paske, por i paske bosh». Kjo përrallë nuk përfundon duke treguar nëse ai meritoi Ferrin apo Parajsën, por, duke e parë përfundimin e shëmbëllyrës së sotme, mund ta imagjinojmë vetë.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *