PAJTOHUNI ME HYJIN!

Categories HomeliPosted on

E DIELA IV E KREZHMËVE – Viti C

Joz 5, 9.10-12; Ps 34 (33); 2 Kor 5, 17-21; Lk 15, 1-3.11-32

«Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit», u kishte thënë Zoti izraelitëve, me shumë dashuri e solemnitet, pasi i kishte bërë të hynin përfundimisht në tokën e premtuar. Ajo tokë ishte një shenjë e dashurisë së Tij për ta. Por, në leximin e dytë, Shën Pali na thotë se tani dikush tjetër – Krishti – është shenja e dashurisë së pamasë të Hyjit për ne: «Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete»  dhe shton: «Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të, ne të bëhemi drejtësi e Hyjit». «E bëri mëkat», kjo shprehje që ka futur në mendime teologët, do të thotë se, Hyji Atë, e trajtoi Jezusin, Birin e vet, si të ishte një mëkatar. Prandaj Shën Pali thotë vërtet shumë bukur: «Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin».

E, «pajtohuni me Hyjin», duket sikur e bërtet me të madhe edhe Jezusi në Ungjillin e sotëm.

Shëmbëlltyra që dëgjuam sot, ka në qendër figurën e atit dhe jo edhe aq atë të djalit të vogël, apo të djalit të madh. Fytyrën e Atit Jezusi ka dëshirë të zbulojë në veprën e Tij shëlbimprurëse. Por, para se të fillojë ta zbulojë me fjalë, Ai e ka dëshmuar tashmë me sjelljen e Tij ndaj njerëzve: «Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar», thotë Ungjilli i sotëm në rreshtin e parë. Jo vetëm kaq, por e zbulon fytyrën e Atit edhe kur u drejtohet farisenjve e skribëve, të cilët rrijnë jashtë e nynykasin. Jezusi dëshiron që edhe ata të hyjnë brenda e të gëzojnë me Atin e tyre. Të gjithëve, pra, Jezusi duket sikur u thotë: «Pajtohuni me Hyjin».

Pasi foli me gjestet e veta, tani Jezusi flet edhe me fjalë. «Për Zotin mund të flitet edhe me fjalë», thoshte Shën Françeksu i Asizit, për të thënë se, për Zotin, duhet të flasim më shumë me vepra sesa me fjalë.

Jezusi fillon të tregojë këtu atë që është quajtur shëmbëlltyra më e bukur që Ai na ka lënë. Kjo shëmbëlltyrë është e mbushur me ngjarje e me pasion. Flet për një baba që ka dy djem. Babai simbo­lizon Hyjin, djemtë simbolizojnë dy kategoritë e njerëzve që e rrethonin Jezusin atë çast. Sikurse dy djemtë për të atin, ashtu edhe këto dy katëgori të ndryshme njerëzish kishin të përbashkët një ide të gabuar mbi Zotin, të cilin e mendonin si pengesë të lirisë së tyre. Si njëri bir, ashtu edhe tjetri, ishin të bindur se liria ishte e mundur vetëm larg babait. Babai, me rregulloret që kërkonte jetesa me të, shihej si pengesa e lumturisë së tyre. A nuk është pikërisht kjo ideja e gabuar që shpesh rrezikojmë të kemi edhe ne për Hyjin? Urdhërimet e Zotit jo rrallë i shohim si pengesë për të qenë të lirë.

«Ma jep pjesën e pasurisë që më takon!», i thotë djali i vogël të atit dhe ne na mahnit reagimi i atit, i cili, pa më të voglën ankesë, ia jep pasurinë që ky i kërkon. Ishte shumë e padrejtë një kërkesë e tillë, sepse, në kulturën e asaj zone, aso kohe, ishte e pamundur të kërkohej ndarja e pasurisë mes djemve, derisa i ati të ishte gjallë. Djali i vogël po i thoshte të atit, pra, se e donte të vdekur. Por i ati, gjithë këtë, e “kapërdiu” poshtë dhe ia ndau pasurinë. Sa seriozisht e merr Zoti lirinë që na e ka dhënë! 

Por, për fat të mirë, djalit të vogël «i erdhën mendtë» kur preku kulmin e poshtërimit të vet në mjerimin e skajshëm që arriti pasi shpenzoi të gjitha paratë e veta «i dhënë pas vesesh». Për fat të mirë që e kuptoi se në vetvete e kishte ende një dinjitet prej biri dhe vendosi që të merrte rrugën e kthimit. Duhet ta themi me plot gojë «për fat të mirë», sepse mund të ndodhte që të shtyhej në ndonjë vepër edhe më të rrezikshme, që mund t’i hiqte edhe jetën. Kështu ndodh edhe me shumë njerëz që, në kulmin e ndonjë poshtërimi të arritur për faj të vet, nuk është e thënë se i thërrasin gjithnjë mendjes e kthehen kah e mira. Të shumtë janë ata që shtyhen edhe më tej në të keqen e tyre nga dëshpërimi dhe nga bindja se, tashmë, as tek Zoti nuk do të gjejnë falje. Babai i shëmbëlltyrës e dinte mirë se djalit, herët a vonë, do t’i mbaronin paratë dhe, kur do ta gjente veten ngusht, i druhej ndonjë situate edhe më të rëndë, që mund ta çonte të birin drejt vdekjes apo vetëvrasjes. Jo më kot, në përgjigjen që i jep djalit të madh, thotë: «Ishte i vdekur e u ngjall». Sa pezm paska pasur shpirti i tij gjatë pritjes së ankthshme!

Prandaj, kur ia afrua shtëpisë, djalin e priti habia e madhe. Gjashtë foljet që Jezusi ka përdorur për të përshkruar këtë çast të kthimit të djalit të vogël, kineasti i njohur italian, Pino Pelegrino, i ka quajtur «gjashtë shkrepje prej artisti për të fotografuar Hyjin Atë»: «Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi». Jezusi është i vetmi “artist” që mund të na e zbulonte në mënyrë të saktë fytyrën e Hyjit: «Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet», thotë Shën Gjoni në Ungjillin e tij (1, 18).

Fakti që i ati e sheh kur ende është larg, tregon se po shikonte përditë kah rruga, me shpresën që i biri t’i kthehej. Ngashërimin e tij të brendshëm ai nuk e fsheh dot dhe, kundër zakoneve të kohës, sipas të cilave një burrë nuk ishte normale të vraponte kah fëmija i vet ashtu, ai lëshohet vrap dhe, kundër pritshmërisë së të birit, «e mori ngrykë dhe e puthi». Djali shpresonte të pranohej aty të paktën si «njëri ndër shërbëtorët» e tij, por e priti puthja e të atit dhe dëfrimi me këngë e valle. «Sot ta hoqa çnderimin e mëkatit», i thotë Zoti atij që kthehet sinqerisht, sikurse dikur i kishte thënë Izraelit kur ia hoqi «çnderimin e skllavërisë së Egjiptit».

Por pikërisht «dëfrimi» që priti djalin e vogël me këngë e valle, ia ndali hapin djalit të madh që po vinte në shtëpi në ato çaste. Ai, në vend që të hynte brenda e të shihte, u ndal jashtë dhe pyeti shërbëtorët se çfarë po ndodhte. Është në shtëpi si bir, por jeton me drojën e të atit si të ishte shërbëtor. Gjen më shumë konfidencë me një shërbëtor sesa me të atin. Djali i madh përfaqëson atë kategori besim­tarësh që gërryhen përbrenda nga smira e indinjata. I kryejnë të gjitha rregulloret, por nuk ndihen kurrë bijtë e bijat e Hyjit dhe madje indinjohen lehtë kur Hyji sillet si Atë. Prandaj, duke iu kthyer shëmbëlltyrës, kur i ati del jashtë t’i lutet që të hyjë brenda, ai e nxjerr në atë çast tërë helmin që e mundonte prej kohësh: «Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tëndin. E ti kurrë nuk më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por kur të erdhi ky, djali yt, (nuk e pranon as si vëlla), që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majmë.»

«Nuk më dhe as një edh.» Ka gjithçka, por është fiksuar se i ati nuk i paska thënë ta merrte një edh! Sa të çuditshme qenkan fiksimet që lënë në kokën tonë të vogël gatishmëria për smirë e indinjatë?!…

Por djali i madh përfaqëson edhe të gjithë ata besimtarë që marrëdhënien e tyre me Hyjin e shohin si tregti: zbatojnë gjithçka, por me shpresën që të fitojnë «edhin». Kështu janë të gjithë ata që bëjnë çmosin t’i kenë të gjitha sakramentet në rregull, që u ruhen mëkateve, por i bëjnë me qëllim që kështu të fitojnë ndonjë bekim nga Zoti. As lutja për ta nuk është kohë bashkimi të përzemërt me Zotin, por «sakrifica që duhet kryer», për të fituar «edhin».

Prandaj, nëse ne, në lutjet tona, kërkojmë vetëm «edhin» (pra mbarësinë, bekimin), do të pëlcasim nga smira se për tjetrin u pre «viçi i majmë» e nuk do të dimë të gëzojmë për dashurinë që Ati qiellor tregoi ndaj tij. Por, nëse në lutjet tona i kërkojmë Atit qiellor që të na përsosë në dashuri, atëherë do ta vërejmë se jemi të rrethuar nga vëllezër e motra të shumtë e, kështu, do të «gëzojmë e ngazë­llejmë» edhe ne si Ati kur të shohim se ndonjëri prej tyre përparon në bashkimin me Atin tonë.

Përgjigjja që i ati i jep këtij biri të gatshëm për rebelim, nxjerr në pah vogëlsinë e shpirtit të tij: «Biro, ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është e jotja…». Si t’i thoshte: «Biro, po sa herë që unë kam bërë ndonjë festë në këtë shtëpi, ka qenë edhe për ty. Ti ishe i vetmi gëzim e ngushëllim që më mbeti. Gjithçka që më rrethon mua, të rrethon edhe ty. A nuk e ke vënë re këtë?».

«U desh të gëzohemi e ngazëllehemi, sepse ky, vëllai yt, (ia kujton se e ka vëlla) pati vdekur e u ngjall», e shfryn i ati tërë shtrëngimin që kishte ndryrë brenda shpirtit të vet në ato ditë mungese të të birit.

Nuk dihet nëse djali i madh hyri brenda në festë apo jo, por e sigurt është se i ati u përpoq ta bindte edhe atë të hynte. Po ashtu po bënte edhe Jezusi, që po përpiqej t’i bindte edhe farisenjtë e skribët që të gëzonin si Ai për kthimin e mëkatarëve.

Jezusi ka ardhur të na i heqë idetë e gabuara mbi Hyjin. Ai na thotë të gjithëve: «Pajtohuni me Hyjin!» Kjo sepse bashkimi i gjallë e i përzemërt me Hyjin, në përngjasimin e të cilit jemi krijuar, nuk është pengesa e lirisë sonë, por është liria jonë më e madhe, kushti ynë i vetëm për të jetuar vërtet si njerëz. Atëherë do të dimë të jetojmë jo vetëm si «bijë e bija», por edhe si «vëllezër e motra».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *