KY FËMIJË DO TË JETË I SHENJTË – BIRI I HYJIT.

Categories HomeliPosted on

LAJMËRIMI I ZOTIT – 25 Mars

Is 7, 10-14; Ps 40 (39); Heb 10, 4-10; Lk 1, 26-38

E kremtja e sotme përkujton atë fillim të lum të pranisë fizike të Jezusit në këtë botë, fillim i cili ndodhi pikërisht në çastin kur Ai u ngjiz në kraharorin e pastër të Zojës së Bekuar. Duke llogaritur nëntë muajt para datës 25 dhjetor, Kisha e përkujton sot këtë të kremte të dashur.

Gjatë shekujsh kjo kremte ndonjë herë është quajtur e kremtja e Lajmërimit të Zotit e ndonjë herë është quajtur e kremtja e Lajmërimit të Zojës së Bekuar. Nga kjo e fundit vjen edhe emri popullor me të cilin njihet shpesh kjo festë në vendin tonë: Zoja Nunciatë. Por Papa Shën Pali VI, në reformën liturgjike të udhëhequr prej tij, vendosi që kjo e kremte të quhej e kremtja e Lajmërimit të Zotit dhe, në Nxi­tjen Apostolike Mariali Cultus, të publikuar në vitin 1974, Papa, shpjegoi: «Në lidhje me të kremten e Mishërimit të Fjalës Hyjnore, në Kalendarin Romak, me arsye të forta, është kthyer sërish emri i saj i hershëm Lajmërimi i Zotit, por kjo e kremte ishte dhe mbetet një e kremte njëherësh e Krishtit dhe e Virgjërës së Bekuar: e Fjalës që është bërë biri i Marisë (Mk 6, 3) dhe e Virgjërës së Bekuar që është bërë Nëna e Hyjit». E gjithë kjo për të na ndihmuar të gjithëve që të kuptojmë më mirë se e kremtja e sotme ka si qendër të veten mishërimin e Krishtit, por, pikërisht për këtë, ajo sjell me vete edhe rëndësinë e Marisë në historinë e Shëlbimit.

Rreshtat e Ungjillit të sotëm kërkojnë shumë shpjegime të hollësishme, për t’ua kuptuar peshën e duhur secilës fjalë, por na duhet të zgjedhim vetëm detajet më të rëndësishme, ata që kanë lidhje më të drejtpërdrejtë me këtë të kremte.

E kemi dëgjuar shpesh herë gjatë vitit liturgjik këtë pjesë ungjillore që dëgjuam sot, por sot ajo është më e përshtatshme se kurrë, sepse sot përkujtohet pikërisht kjo ngjarje që na përshkruhet këtu. Zoti dërgoi te Maria Kryengjëllin e Tij, Gabrielin, për t’i dhënë asaj një lajm shumë të madh: se do të bëhej Nëna e Birit të Hyjit. Duhej një Kryengjëll që të ishte në gjendje ta përcillte e ta shpjegonte këtë lajm kaq të madh. Por ai erdhi jo vetëm për ta lajmëruar Marinë, por edhe për t’i kërkuar asaj nëse e pranonte një mision të tillë.

Fjalët e para të përshëndetjes së Kryengjëllit «Të falem, o Hirëplote! Zoti me ty!» ne i themi kushedi se sa herë kur i drejtohemi Marisë. E ato janë fjalë vërtet të bukura e të përshtatshme vetëm për Zojën e Bekuar, sepse ajo është vërtetë Hirëplote, pra pa asnjë njollë mëkati, falë Ngjizjes së saj të Pamëkat në kraharorin e nënës së saj. Por, gjithë këtë, Maria nuk e dinte. Ajo, me thjeshtësinë e saj prekëse, nuk e kupton një përshëndetje të tillë nga Kryengjëlli: «Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.».

Gjithnjë më ka bërë përshtypje fakti që ungjilltari këtu nuk thotë se Marinë «e shqetësoi» prania e një kyengjëlli, por e shqetësuan më fort fjalët e tij. Një traditë e lashtë e Kishës mëson se Maria, qysh në fëmijërinë e saj, kishte vegime e të dukura të shpeshta engjëjsh. Nuk duhet të na çudisë një e dhënë e tillë, sidomos kur e dimë me siguri se, një dhuratë të tillë, Hyji ia ka bërë edhe shumë shenjtërve të tjerë. Mjafton të përmendim Shën Piun nga Pietrelçina, i cili thuhet se vetëm kur hyri në kuvend e kuptoi se ishte vetëm ai që i shihte pothuajse çdo ditë engjëllin e tij të rojës, shenjtër të tjerë, Zojën dhe vetë Jezusin. Ata njerëz që Hyji ka dashur t’i përgatisë për kryqe tejet të mëdha, ka dashur edhe t’i ngushëllojë e t’i forcojë me familjaritetin me gjërat Hyjnore.

Kryengjëlli thotë: «Mos ki frikë, o Mari!». Zoti shumë shpesh na kërkon të gjithëve, kur na thërret për ndonjë mision të caktuar, që të mos kemi frikë, por të shpresojmë gjithnjë tek prania e Hirit të Tij, prani e cila nuk do të na mungojë kurrë.

Pastaj Kryengjëlli i shpjegon Marisë se ajo do të mbetej shtatzënë dhe se do të lindte «Birin e Hyjit të Tejet të lartë» e, përballë pyetjes së logjikshme të Marisë: «Si do të mund të ngjajë kjo, ndërsa unë jam virgjër?», duke qenë se ajo ende nuk ishte e martuar, Kryengjëlli i shpjegon: «Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të Tejetlartë do të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë, Biri i Hyjit». Është shumë e pasur me teologji përgjigjja e Kryengjëllit Gabriel, sepse ai aty përdorë disa imazhe shumë të njohura të Besëlidhjes së Vjetër. Kur Hyji po udhëtonte me popullin e Izraelit nëpër shkretërirë, Hyji përdorte një re të madhe për të mbuluar lavdinë e Tij përballë popullit. E populli, kur shihte këtë re që zbriste mbi tendën e takimit, aty ku ruhej Arka e Besëlidhjes me dy rrasat prej guri, në të cilat ishin të shkruara nga vetë Zoti Dhjetë Urdhërimet, atëherë populli e kuptonte se, në atë re, ishte prania e Zotit: «Atëherë reja e mbuloi Tënden e takimit dhe Lavdia e Zotit e mbushi banesën» (Dal 40, 34). Sa të ngjashme janë këto fjalë, me ato që i tha Marisë Kryengjëlli Gabriel. Prandaj Kisha i drejtohet Marisë, në litani, edhe me titullin: «Arka e Besëlidhjes», sepse në Marinë, që mbarte në trupin e saj praninë e gjallë të Birit të Hyjit, gjen plotësinë e vet edhe ajo çka simbolizonte dikur për Izraelin Arka e Besëlidhjes.

Por fjalët e Kryengjëllit, njëkohësisht, janë edhe shumë të ndryshme me fjalët e librit të Daljes që cituam, sepse aty ai përmend, për herë të parë për veshët e një njeru, jo vetëm Hyjin, por edhe Birin dhe Shpirtin Shenjt. Pra Maria është njeriu i parë që zbulon se Hyji, të cilin gjithnjë Izraeli e ka nderuar si një të vetëm, është edhe tre Persona Hyjnorë. Kryengjëlli e dinte mirë se Maria, përballë gjithë kësaj zbulese Hyjnore, nuk ishte në gjendje të kuptonte plotësisht, sepse Hyji nuk mund të kuptohet në plotësi nga asnjë krijesë, prandaj, pikërisht për ta ndihmuar në brishtësinë e natyrshme të saj, i solli si shembull shtatëzaninë e vështirë për t’u kuptuar të Elizabetës, kushërirës së saj, dhe e ftoi Marinë që thjesht t’i besohej gjithëpushtetësisë së dashur të Hyjit: «Vërtetë, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin». Përballë gjithë kësaj zbulese të papritur e të pakuptueshme, por të vërtetë, edhe Maria kuptoi se nuk mund ta kuptonte Hyjin, por ndërkaq mund t’i përgjigjej Atij me dashuri të pakushtëzuar. Prandaj iu përgjigj bashkëbiseduesit të saj qiellor: «Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!». Këtu Maria bëhet Nëna e Birit të Hyjit dhe këtu bëhet edhe shembulli më i mirë, pas Krishtit, se si ne të gjithë duhet t’i hapemi Hyjit me fe të gjallë.

Në këtë ngjizje të mrekullueshme të Marisë, u plotësua e gjithë pritja e Izraelit për Mesinë. Maria pranoi të jetë «bija e Sionit», që gëzon për praninë e Hyjit në mesin e populli të vet. Profeti Sofoni, në fakt, i drejtohet Izraelit me fjalët: «Këndo hareshëm, bija e Sionit, thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael. Gëzo e galdo me gjithë zemër, ti, bija e Jerusalemit!» (3, 14). Maria personifikon, në këtë rast, gjithë Izraelin që gëzon për praninë e Hyjit. E, është interesante të dimë se fjalët e Kryengjëllit që janë përkthyer «Të falem, o Hirëplote!», fjalë për fjalë, në greqishten e vjetër, janë «Gëzohu, o Hirëplote!».

Maria plotëson edhe atë profecinë e komplikuar të Isaisë profet që e dëgjuam në leximin e parë, profeci e cila, pa Marinë, nuk kishte si të kuptohej më parë nga teologjia hebraike: «Ja, virgjëra do të ngjizë e do të linde një djalë».

Ineresant edhe është fakti se Isaia kishte profetizuar se ky djalë do të quhej Emanuel, që do të thotë Hyji-me-ne, kurse Kryegjëlli e kishte porositur Marinë që fëmijën ta quante Jezus, që do të thotë Hyji-shpëton. Kështu ne do të kuptonim se, në Jezusin, Birin e Hyjit, Hyji është me ne për të na shpëtuar e jo për të na dënuar: «Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të», do t’i thoshte Jezusi me vonë Nikodemit (Gjn 3, 17).

Kjo është arsyeja për të cilën Biri i Hyjit bëhet njeri: për të na e zbuluar fytyrën e dashur të Hyjit Trini dhe për të na bashkuar me Të, duke na shëlbuar nga mëkatet tona. Flitë dhe kultet e mëparshme në Izrael, me anë të të cilave populli synonte bashkimin me Hyjin, më fort se sa forcë shëlbuese, ata kishin forcën e profecisë: ishin profeci e Jezu Krishtit, i cili, i vetmi, do të mund ta bashkonte njeriun me Hyjin, në Trupin e Tij. Leximi i dytë, duke cituar pikërisht psalmin që dëgjuam sot, e shpjegon shumë bukur këtë të vërtetë: «Vëllezër, është e pamundshme që gjaku i mëzetërve dhe i cjepve t’i shlyejë mëkatet. Për këtë arsye Krishti, duke hyrë në botë, thotë: “Fli e kusht ti nuk deshe, por ma bëre gati trupin; holokaustet dhe flitë për mëkate nuk të pëlqyen”. Atëherë thashë: “Ja, po vij!».

Prandaj e kremtja e sotme ka si qendër të veten Krishtin, më fort se Marinë. Sepse edhe Maria, falë meritave të parapara të Krishtit, pati hirin e Ngjizjes së saj të Pamëkat si edhe të gjitha hiret e tjera. Por Maria na mëson të gjithëve ne që t’i hapemi pranisë së mistershme e të dashur të Krishtit, sepse Ai vjen tek ne jo për të na dëmtuar, por për t’i dhënë jetës sonë plotësi e shëlbimin.

Kur filloi shërbesën e tij si pasardhës i Shën Pjetrit, Papa Shën Gjon Pali II tha përvujtërisht: «Mos kini frikë: hapini, madje shpërthejinin dyert para Krishtit!». Këto fjalë i citoi edhe pasardhësi i tij Papa Benedikti XVI, edhe ai pikërisht në ditën kur filloi shërbesën e tij si Papë, por, plot urti dhe fe ai shtoi edhe këto fjalë: «Krishti nuk heq asgjë dhe dhuron gjithçka. Kush i dhurohet atij, merr njëqindfish. Po, hapini, shpërthejini dyert para Krishtit dhe do të gjeni jetën e vërtetë».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *