E DIELA XXIX GJATË VITIT C
Dal 17, 8-13; Ps 121 (120); 2 Tim 3, 14- 4, 2; Lk 18, 1-8
Para se të vazhdojmë të flasim rreth mesazhit kryesor të leximeve të sotme liturgjike, le t’i hedhim një sy, kalimthi, leximit të dytë. Aty Shën Pali, në mënyrë shumë të bukur, të thellë e të qartë mëson diçka shumë të rëndësishme për Shkrimin Shenjt. Thotë: «I tërë Shkrimi Shenjt, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi, që njeriu i Hyjit të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.»
Bibla është njëri prej mjeteve më të forta që na mundëson bashkimin me Hyjin. Aq i fortë, saqë është i shoqëruar me një forcë të veten: i njëjti Shpirt Shenjt që e ka frymëzuar shkrimin e tij, mbështet tani lexuesin apo dëgjuesin në kontaktin me të. Nuk është për t’u habitur nëse shpesh shumëkush e rimodelon jetën e vet vetëm ngaqë është prekur nga ndonjë pjesë a ndonjë rresht i Biblës. Kjo ndodhë ngaqë e ka prekur po ai Shpirt që ka frymëzuar edhe Biblën. Prandaj të mos na duket pak nëse, kur flasim për Hyjin, përdorim kryesisht Shkrimin Shenjt. Do të ishte e çuditshme e kundërta. Po edhe kur dëshirojmë të flasim për njeriun nuk duhet të frikësohemi ta përdorim atë. Kur duam ta orientojmë jetën e dikujt kah disa vlera, nuk është pa vend t’i përmendet Shkrimi Shenjt. I gjithë problemi është se ne shpesh, kur flasim për Biblën, e kemi të vështirë të mos mashtrohemi nga dy ekstreme: nga njëra anë, të flasim për të me fanatizëm apo, në kahun e kundërt, të flasim me ngurrimin e dyshim. Kështu, atëherë, ndodh që dikush, duke na refuzuar ne (me këta mënyrat tona të paekuilibruara) refuzon edhe Shkrimin Shenjt.
Shkrimi Shenjtë «është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukauar në drejtësi». Patjetër që shkencat edukative pasurohen gjithnjë e më shumë me njohuri të reja mbi natyrën njerëzore e prandaj duhen marrë në konsideratë me shumë seriozitet, por Shkrimi Shenjt e ka këtë veti që, edhe pse shekujt kalojnë e shkencat përparojnë, prej Tij ke gjithnjë çfarë të nxjerrësh. Vetëm një Hyj mund ta frymëzonte atë.
E tani le të kthehemi tek mesazhi kryesor i leximeve të sotme. Këtë mesazh na e tregon vetë rreshti i parë i Ungjillit që dëgjuam: «Jezusi u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën sesi duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë.» Pra, lutja e pandërprerë.
Duket pak e çuditshme të na thuhet se duhet të lutemi pa ndërprerë, sepse duket se nënkupton që puna, studimi, bashkëbisedimet, pushimi, loja apo dëfrimi e gjëra të tjera të ngjashme, nuk qenkan të shenjta. Por, në fakt, nuk është kjo gjëja që Jezusi dëshiron të thotë. Ai dëshiron që, bindja se Hyji mund të na e japë atë që po i kërkojmë (kur kjo është diçka e mirë), nuk duhet të na braktisë kurrë. Kjo duhet të jetë e pandërprerë! Feja, pra, duhet të jetë e pandërprerë!
Vazhdimi i Ugjillit na e shtjellon këtë. Jezusi flet për një gjykatës i cili nuk e druante Hyjin e as për njerëzit nuk shqetësohej: madje Jezusi përdor fjalët «për njerëz nuk e çante kryet». Po në qytetin ku ishte ky gjykatës, banonte edhe një grua e vejë, e cila shkon tek ai për të kërkuar prej tij mbrojtjen ndaj një kundërshtari të vet.
Në rastet kur një grua mbetej e vejë dhe fëmijët mbeteshin jetimë, në Izrael, me të drejtë, mbahej si një fatkeqësi e madhe. Në atë rast familjes i kishte humbur mbështetja. Prandaj Hyji kërkonte me ngulm që në Izrael të kihej një përkujdesje tejet e veçantë ndaj vejushës dhe jetimit. Hyji vetë shpesh kërcënonte këdo që ndaj tyre bënte padrejtësi. Gjykatësit, që aso kohe ishin zakonisht edhe pjesë e parisë fetare në Izrael, e kishin për detyrë t’u vinin në ndihmë vejushave dhe jetimëve. Duhej të bëheshin shëmbëllesë e Hyjit, i cili është «Ati i bonjakëve dhe mbrojtësi i të vejave» (Ps 68, 6). Tani e kuptojmë më mirë lidhjen e madhe mes dy karakteristikave që Jezusi jep për gjykatësin e shëmbëlltyrës: «Hyjin nuk e druante e për njerëz nuk e çante kryet.»
Duket se Jezusi ka dëshirë ta vërë në pah pa kursime arrogancën e këtij gjykatësi. E, raste të gjykatësve të padrejtë, e dimë se edhe sot ka plot. Sa e sa çështje zvarriten e nuk zgjidhen nëpër gjykata, vetëm ngaqë gjykatësi dëshiron zhvatjen e parave, apo ngaqë ka tekat e veta! Sa e rëndë, pastaj, bëhet situata kur pala që kërkon drejtësi është ndonjë vejushë, ndonjë jetim, apo ndokush që është i zhytur në skamje! Mjerisht, me sa duket, paska qenë gjithmonë kështu! Edhe sot Jezusi u thotë këtyre lloj njerëzish që të kenë kujdes e të mos mbushen me dredhi në shpirt, në dëm të të pafajshëmve, sepse një ditë Ai do t’i vërë pa mëdyshje përballë së vërtetës.
Por Jezusi thotë se, edhe pse ky njeri nuk ishte aspak në kujdes për nevojat e kësaj vejushe, gjithësesi vendosi t’i vinte në ndihmë asaj, duke qenë se ajo po këmbëngulte shumë. Kështu do të hiqte qafe bezdisjen që po i jepte.
E, prej kësaj historie me shumë padrejtësi brenda, Jezusi nxjerr për ne një mësim të madh. Sikurse kjo grua e fitoi ndërhyrjen e gjykatësit falë këmbënguljes së saj të pandërprerë, ashtu edhe ne, me këmbënguljen tonë në uratë, do të arrijmë të “nxjerrim” ndërhyrjen e Zotit: «Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? Unë po ju them: do të ngritet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre.»
«Me nxitim»: po, është e vërtetë. Hyji vjen në ndihmë me nxitim. Janë të rralla hiret që Hyji vonon t’i japë. Ai gjithnjë nxiton. Kjo sepse është Atë.
Po si nxiton? Kur ne kërkojmë largimin nga mëkati, ruajtjen nga tundimet e të keqit, Hyji menjëherë, fill, na e kalon nëpër mendje ndonjë pjesë apo rresht të Shkrimit Shenjt apo ndonjë porosi të mirë të ndokujt, ose na çon në mendje idenë që t’i drejtohemi ndokujt për ndihmë. Plus kësaj, ndjejmë edhe një forcë për t’i realizuar këto gjëra. Këto Ai i bën me nxitim. Fill.
Rëndësi ka që të mos kërkojmë gjëra që largohen nga logjika e Hyjit, përndryshe nuk ka kuptim t’i lypim Hyjit gjëra të cilat Ai vetë nuk i do. Kryesorja që duhet kërkuar, është bashkimi gjithnjë e më i madh me Zotin dhe largimi nga mëkati, nga e keqja, nga djalli.
Mëkati, djalli, bota, mishi e gjaku janë armiqtë, «kundërshtarët» tanë: vejusha lutej për mbrojtjen nga «kudërshtari», Moisiu, siç thotë leximi i parë, lutej për fitoren kundër Amalekut. Janë simbole të «kundërshtarëve» të vërtetë, që i përmendëm. Kundër tyre fiton vetëm ai që lutet.
E, në fakt, leximi i parë e tregon shumë bukur rëndësinë e lutjes dhe pushtetin e saj. Duke treguar se Izraeli e fitoi betejën atë ditë falë duarve të ngritura lart në uratë nga Moisiu, Shkrimi Shenjt e tregon në mënyrë vërtet madhështore lëshimin e plotë që ky popull kishte në duart e Zotit. Duart e shtrira të Moisiut kërkojnë të mbushen nga bujaria e Hyjit. Me sa duket, Kishës gjithnjë i ka pëlqyer ky gjest i Moisiut, duke qenë se shpesh, gjatë liturgjisë, meshtari i mban duart e shtrira në këtë mënyrë. Por edhe të gjithë besimtarët, sidomos gjatë lutjes Aty ynë, i shtrijnë duart pikërisht kështu, si lypës para Atit qiellor. E Ati qiellor, edhe pse nuk na i plotëson të gjitha kërkesat tona, kurrë nuk na nis pa gjë, por na mbush me atë që na nevojitet në ato çaste.
Të mos na shkandullojë fakti se tek ky lexim që dëgjuam, duket sikur Hyji po mbështet një palë që lufton. Është temë që nuk mund ta shpjegojmë këtu, por po themi vetëm se Hyji nuk është aq jashtë çështjeve të botës, sa shpesh e mendojmë ne. Megjithatë, Kisha na mëson të shohim edhe kuptimin shpirtëror të këtyre faqeve të mistershme të Shkrimit Shenjt: kundërshtarët e Izraelit, në këtë rast mund të simbolizojnë shumë qartë kundërshtarët e jetës sonë me Hyjin, ata «kundërshtarë» që i përmendëm pak më sipër. Urata, e shoqëruar me fe, është arma e fortë që ne kemi për t’i mposhtur këta kundërshtarë.
Kjo lloj urate është edhe shenjë e lëshimit tonë në Zotin. Aty tregojmë se Ai është e vetmja shpresë e sigurt e jetës sonë. Kështu, armiqtë e «kundërshtarët» nuk kanë se çfarë të na bëjnë më. Edhe nëse na plagosin ndonjëherë, prapë do të dimë të ngrihemi në këmbë.
Ndonjë shkrimtar shpirtëror jepte këtë shembull për shpjeguar efektet e uratës: «Nëse një hajdut i afrohet një shtëpie, por aty brenda vëren se ka dritë dhe dëgjon se anëtarët e familjes po bsedojnë në mes tyre, e kupton se shtëpia nuk është bosh dhe largohet. Ashtu edhe djalli, nëse afrohet për të na tunduar, por vëren se kemi ndezur dritën e fesë dhe dëgjon se ne kemi shpirtin e lutjen sa herë që na vijnë tundimet, detyrohet të largohet plot tmerr.»
Por, a e kemi dritën e fesë, që të dimë se çfarë të lypim në uratë dhe të këmbëngulim kur e kërkojmë atë? Prandaj Jezusi pyet në fund të Ungjillit të sotëm: «Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?»
Dom Dritan Ndoci