KUSH DO KRENOHET, DO TË PËRVUJTËROHET, NDËRSA KUSH PËRVUJTËROHET, DO TË LARTËSOHET

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXX GJATË VITIT C

Sir 35, 12-14.16-18; Ps 34 (33); 2 Tim 4, 6-8. 16-18; Lk 18, 9-14

Blejz Paskal, fizikanti, matematicieni, filozofi dhe teologu i shquar francez i shekullit XVII, thoshte: «Asnjë njeri nuk është as engjëll e as djall, por bëhet djall, kur kujton se është engjëll.»

Sa e vërtetë është kjo shprehje kur shohim Ungjillin e sotëm! E dëgjuam se si aty flitet për dy njerëz që shkojnë në Tempull për t’u lutur. I pari lutet para Zotit me plot krenari, ndërsa i dyti me përvujtëri të skajshme. Dëgjuam edhe gjykimin e Zotit për secilin prej tyre: «Unë po ju them: ky (i dyti) u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai.» E, arsyen pse Jezusi e tregoi këtë shëmbëlltyrë atë ditë, e thotë rreshti i parë i Ungjillit të sotëm: «Jezusi e tregoi këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë dhe i përbuznin të tjerët.»

Si ka mundësi që ka raste kur na e thotë mendja se mund të jemi krejtësisht të pastër para Zotit? Është një dukuri që e gjejmë shpesh, sidomos në mesin e atyre që, të pakten përjashta, janë shumë të rregullt në zbatimin e disa rregulloreve fetare. Duket sikur edhe ata, si ai fariseu i shëmbëlltyrës, i thonë Zotit përditë: «O Zot, sa i mirë jam!»  Kjo ishte ajo që edhe farizeu po nënkuptonte me listën e tij të gjatë të “falënderimeve”: «Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës ose si ky tagrambledhës. Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.»

Para se të përmendë fjalët që thotë fariseu, Jezusi tregon gjendjen shpirtërore me të cilën ai kishte hyrë në lutje: «Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu…. ». Disa biblistë e përkthejnë pak më ndryshe këtë rresht: «Fariseu, përpara vetvetes, lutej kështu…». Kështu e kuptojmë më saktë se çfarë po qortonte Jezusi tek ky njeri: gabimi i tij ishte se nuk e shihte veten duke u bazuar në Hyjin, por shihte Hyjin duke u bazuar në veten e tij.

Hyji është e Mirësia e pambarim, prandaj na çudit pretendimi i këtij njeriu për patëmetësinë e vet. Natyra e njeriut u plagos nga mëkati i rrjedhshëm qysh në fillesat e njerëzimit: si mundet, pra, ky njeri të jetë kaq i sigurtë për pastërtinë e vet?

Pastaj fjalët që përmend fariseu, na bëjnë të kuptojmë se, në këtë pikë, mendësia e shumë të krishterëve sot është shumë e ngjashme me mendësinë hebraike të kohës së Jezusit. Mëkatet për të cilat fariseu e falënderon Hyjin se nuk i ka bërë, janë vjedhja, padrejtësitë kundër ndokujt, kurorëshkelja e, të vetmet gjëra që i quan si detyrime para Zotit, janë agjërimi i shpeshtë dhe detyrimi ekonomik ndaj Tempullit. Edhe sot shpesh hasim këso fjalësh: jam mirë me Zotin përderisa nuk kam vjedhur, nuk kam vrarë, nuk kam bërë kurorëshkelje. Si detyrime shohin vetëm mbajtjen e disa rregullo­reve në lidhje me ndonjë ushqim dhe e quajnë si vepër heroike nëse kanë ndihmuar ndopak ekonomikisht në mbarëvajtjen e jetës së famullisë apo kanë ndihmuar në ndërtimin e ndonjë ndërtese kishtare. E pastaj vetëm shesin mend me gjithë këto. Edhe para Zotit!…

Por, dëshira jonë e parë do të duhej të ishte ajo që t’i përngjanim Hyjit, në përngjasimin e të cilit jemi krijuar. Prandaj të gjitha largimet nga mëkati dhe shtërngesat në ushqime e në ekonomi do të duhej të ishin vetëm si pasojë e kësaj të fundit e jo qëllime në vetvete. Të jesh i krishterë nuk do të thotë kryesisht të zbatosh disa rregullore, por të kesh pasionin e zellin që t’i përngjash Jezu Krishtit. Nëse ky zell e pasion do të ishte i sinqertë, atëherë edhe afërsia e dhembshuria jonë ndaj mëkatarëve do të na dukej normale, sepse e dimë se kështu do të bënte edhe Jezusi.

Jo rrallë, pas krahëve, dëgjohen gjykime të rënda kur kishën fillon ta frekuentojë ndonjë mëkatar i njohur. Duhet thënë pikësë­pari se të gjithë kemi mëkate, madje edhe të rënda. Fakti se të tjerët nuk i dijnë mëkatet tona, nuk ua ul atyre peshën reale që kanë. Pastaj, ta zëmë se vërtet nuk i kemi disa mëkate: gjithsesi duhet të ruhemi fort e të mos i japim lehtësisht ato sentencat tona në lidhje me ndërgjegjen e tjetrit. Ku e njohim ne ndërgjegjen e tij? Të ruhemi, sepse do të bënim si fariseu. Ai nuk e dinte se tagrambledhësi, atje në fund ku ishte, po lypte të falur me gjithë shpirt për mëkatet e veta («O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!»). Ai po thoshte të vetmen lutje që gjithnjë është e saktë për ne, kur vihemi para Hyjit, Mirësisë së pambaruar. Kështu, edhe ai që ne e gjykojmë si mëkatar, i është afruar Hyjit shumë më shumë se ata që pretendojnë se janë të drejtë.

Mburrja me “patëmetësinë” tonë, na bën që të mos e kërkojmë përzemërsinë me Hyjin në lutje si edhe na pengon të thellohemi në dashuri e në virtytet e tjera të kishtera. Kështu, pra, kur edhe neve, si fariseun, na zapton krenaria, ajo, edhe pse mund të jetë i vetmi mëkat, është e mjaftueshme për të na larguar nga Hyji. Të mos harrojmë se mëkati që djallin e bëri ta humbiste lumturinë e Paraj­sës, nuk ishte as vjedhja, as vrasja e as kurorëshkelja, por pikërisht krenaria. Edhe e vetme, krenaria mjafton të na largojë nga dashuria për Hyjin e për njëri-tjetrin. Ajo, e vetme, mjafton që të birremi në amshim. Të mos kujtojmë se jemi engjëj, sepse pikërisht atëherë do të shndërrohemi në djaj.

«Kushdo lartësohet, do të përvujtërohet, ndërsa kush do të përvujtë­rohet, do të lartësohet», thotë Jezusi në fund të Ungjillit të sotëm, për të na i hapur sytë që të ruhemi nga krenaria e kotë.

Në Ungjillin e sotëm, Jezusi dëshiron të na mësojë, pra, mënyrën se si duhet të hyjmë në lutje. Të dielën e kaluar Jezusi, me shëmbëll­tyrën e vejushës dhe gjykatësit të padrejtë, na ka mësuar se duhet të lutemi pa ndërprerje dhe me fe të qëndrueshme. Kurse sot na mëson se nuk mjafton vetëm urata dhe feja e qëndrueshme, por nevojitet edhe përvujtëria.

Përvujtëri në lutje, do të thotë të lëshojmë gjithçka në duart e Zotit, të vetëdijshëm për vogëlsinë tonë. Pastaj, përvujtërinë në lutje, e shprehim duke pranuar mëkatet që shohim në ne dhe duke i kërkuar Hyjit që të na japë dritë t’i shohim edhe ato mëkate që nuk i vëmë re.

Sa më shumë të përparojmë në bashkimin tonë me Zotin, aq më shumë do të vërejmë edhe papastërtitë tona. Përshembull, nëse një grua hyn të pastrojë shtëpinë, por aty ka errësirë, patjetër që nuk do t’i vëjë re papastërtitë. Por, sapo ta ndezë dritën, gjërat ndryshojnë. Pastaj, nëse afrohet më shumë, përsëri do të vërë re papastërti të tjera. Kështu, edhe i krishteri, sa më shumë të dëshirojë t’i përngjajë Krishtit, aq më fort do ta kuptojë se sa mëkatar është.

Shën Gjon Maria Vianei, famullitari i shenjtë francez i shekullit XIX, kishte thënë një herë: «Ia kam kërkuar Hyjit që të më bënte ta njihja mjerimin tim. E njoha dhe aq fort u dërrmova, saqë e luta të ma pakësonte sfilitjen që ndieja. Më dukej sikur nuk po ia dilja ta duroja dot.» «Nuk ka gjë që e tremb njeriun më fort, se sa të vetëdijësohet për pafundësinë e asaj që mund të bëjë e mund të jetë.», thoshte S. Kierkegard, filozofi e teologu danez i shekullit XIX.

Nëse ruajmë në ne dëshirën e gjallë që t’i përngjajmë Jezusit, patjetër që, në fund të çdo dite do të shihnim në ne ndonjë mëkat për t’i kërkuar Atij falje nga thellësia e zemrës. Megjithatë, lajmi i mirë është se, siç thotë psalmi i sotëm: «Zoti është ngjat atyre që pendohen me gjithë zemër.»

Leximi i parë na jep arsyet teologjike për të cilat jemi të thirrur të bëjmë mirë në jetë: «Dhuroji të Tejetlartit siç të ka dhuruar Ai ty!» Të bëjmë mirë, pra, me qëllim që t’i përngjajmë mirësisë së Zotit ndaj nesh. Pastaj, duke e ditur se njeriu mund të tundohet ta degjenerojë në nivelin e një pazari marrëdhënien e tij me Zotin, Siracidi vazhdon: «Mos u mundo ta thyesh me dhurata…, sepse Ai nuk i mban kujt krahun në dëm të skamnorit dhe e dëgjon uratën e të nëpërkëmburit!»

E gjithë kjo që thamë deri këtu, nuk është për të lënë në ne ndonjë prirje për depresion, por për të qartësuar se feja e gjallë na mëson që përballë Hyjit, i cili është Mirësia e pambaruar, jemi vazhdimisht të thirrur që të thellohemi në mirësi e në dashuri.

Por na duhet ta pranojmë se ekziston një krenari e shenjtë. Është krenaria për gjërat që Hyji ka bërë për ne. Në leximin e dytë, Shën Pali i shpreh Timoteut gjendjen shpirtërore me të cilën po e priste kalimin e vet në amshim, të cilin po e ndjente se po i afrohei: «Fort i dashur, sa për mua, gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti.» E, me krenari të shenjtë, thotë: «Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri ardhjen e tij.» Kjo është fe e gjallë.

«Që presin me dashuri»: feja e gjallë nxit në ne jo vetëm «pritjen» e takimit me Zotin, por edhe «dashurinë» vepruese. Prandaj, ndërkohë që na e ngrohë zemrën ajo që presim, të mos na shkatërrojë krenaria e kotë, por të jemi edhe ne të përvujtë e të mëshirshëm, si Jezusi!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *