KUSH USHQEHET ME KORPIN TIM DHE PI GJAKUN TIM, KA JETËN E PASOSUR.

Categories HomeliPosted on

KORPI E GJAKU I KRISHTIT – VITI A

Lp 8, 2-3. 14-16; Ps 147; 1 Kor 10, 16-17; Gjn 6, 51-58

E kremtja e sotme e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit qe themeluar në Kishë nga Papa Urbani IV, në vitin 1264. Siç ndodhë gjithnjë në kësi rastesh, vendime të tilla nga Pasardhësi i Shën Pjetrit vijnë vetëm pasi, në popullin e Zotit, “valon” qysh më parë përshpirtëria dhe teologjia e gjallë mbi një mister të caktuar. Papa, pastaj, me autoritetin që i është besuar nga Jezu Krishti, vendos nëse kjo përshpirtëri e teologji është e saktë dhe e dobishme për Kishën apo jo. Një vit më parë, në Bolsena, qytet i provicës italiane të Viterbos, kishte ndodhur një mrekulli e pakundërshtueshme ku, gjatë krem­timit të Eukaristisë, Hostia kishte filluar të kullonte gjak në duart e meshtarit që po kremtonte. Meshtari mundohej nga dyshi­me të mëdha mbi praninë e Jezusit në Eukaristi, derisa i ndodhi kjo mrekulli, e cila hoqi jo vetëm dyshimet e tij, por që do të sillej nga Papa edhe në vëmendjen e mbarë botës një vit më pas gjatë theme­limit të së kremtes së Korpit të Krishtit, për të hequr edhe dyshimet e shumëkujt që tashmë kishte filluar të mendonte se prania reale e Jezusit në Eukaristi nuk mund të ndodhte.

Megjithatë, Zoti kishte filluar me kohë ta jepte përgjigjen e Tij kundër këtyre dyshimeve. As njëzet vite para se të miratohej nga Papa, e kremtja e Korpit të Krishtit kishte filluar të kremtohej në një nga dioqezat e Belgjikës, duke qenë se aso kohe dioqezave u lihej e drejta që të themelonin të kremte nëse e gjykonin të përshtatshme. Nga njëra anë kjo e kremte qe si kundërpërgjigje ndaj herezive të Berengarios nga Tursi, një filozofi francez që, në shekullin XI, kishte bërë bujë në Europë me shkrimet e tij kundër pranisë reale të Jezusit në Eukaristi. Por kjo dioqezë kishte edhe një arsye tjetër shumë më të fortë për ta themeluar një të kremte të tillë. Në ato vite jetonte në Belgjikë një rregulltare mistike e cila, me këmbënguljet e saj, arriti ta bindte ipeshkvin e dioqezës së Liezhit që të organizonte një Sinod, gjatë të cilit u miratua e kremtja e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit. Kishte qenë vetë Jezusi Ai që ia kishte kërkuar një të kremte të tillë kësaj misktikeje me anë të dy vegimeve vendimtare. Në vegimin e parë ajo e pa Kishën në formën e një hëne të plotë, por që kishte mbi të një njollë, e cila simbolizonte mungesën e një feste në Kishë. Në vegimin e dytë pastaj iu shfaq vetë Jezusi, duke i thënë se dëshironte që Kisha e Tij të themelonte një të kremte të posaçme për Trupin dhe Gjakun e Tij, në mënyrë që të zgjonte e të përfor­conte kështu fenë e besimtarëve në praninë e Tij reale në Hosten e Shenjtë. 

Megjithatë, herezitë nuk do të ndaleshin me kaq, sepse, sidomos skizma protestante do ta sulmonte praninë reale të Krishtit në Eukaristi në mënyrë të tmerrshme. Por, mesa duket, sulmet ndaj Eukaristisë do të jenë gjithnjë të pranishme, sepse edhe sot ka plot të tilla. E nuk bëhet më fjalë për skizma e herezi nga të krishterët, por për mospërfillje të theksuar ndaj Eukaristisë, duke e shndërruar ditën e diel në një ditë pushimi apo dëfrimi, pikërisht atë ditë në të cilën Kisha është e ftuar që t’i afrohet edhe më fort bashkimit me Krishtin e Vdekur e të Ngjallur në Sakramentin e Eukaristisë. Për të mos folur pastaj për zhvlerësimin që i jepet Eukaristisë nga jo të krishterët.

Por, gjithësesi, Kisha nuk lodhet kurrë së shpalluri se, në Hosten dhe Verën e shuguruar janë të pranishëm Trupi dhe Gjaku i Jezu Krishtit, Shëlbuesit tonë. Eukaristia është «burimi dhe kulmi i krejt jetës së krishterë», mëson Lumen gentium, kushtetuta dogmatike e Koncilit II të Vatikanit. E, në një tjetër dokument të vetin, Presbyte­rorum ordinis, ky Koncil shpjegon shumë bukur: «Të gjitha sakra­mentet, sikurse edhe të gjitha shërbesat kishtare dhe veprat e apostu­llimit, janë të lidhura ngushtë me Eukaristinë e Shenjtë dhe janë të drejtuara kah ajo. Në të vërtetë, në Eukaristinë e Shenjtë gjendet e gjithë e mira shpir­tërore e Kishës, që është vetë Krishti, Pashka jonë.». Arsyen pse në Eukaristi «gjendet e gjithë e mira shpirtërore e Kishës», Shën Toma i Akuinit e shpjegonte kështu në shkrimet e tij tejet të çmueshme: «Eukaristia është sakramenti i përsosur i mundimit të Zotit tonë, duke qenë se ka në vetvete vetë Krishtin që ka vuajtur.». Shën Toma na fton kështu që, plot dashuri, t’i afrohemi Meshës së Shenjtë, sepse aty zbrazen mbi ne të gjitha hiret shëlbimprurëse, që Krishti na i ka fituar në Kalvar. E, pikërisht Shën Tomës, Papa Urbani IV, që e përmendëm më sipër, i kërkoi që të korrigjonte tekstin e një himni shumë të lashtë e të njohur eukaristik me titull: Pange lingue, (Këndo, o gjuha ime!), i cili pastaj u bë edhe himni më i dashur eukaristik në mbarë Kishën Katolike. Nga ky himn pastaj janë shkëputur dy strofët e fundit të cilat ne i këndojmë në adhurim përballë Krishtit të pranishëm në të Shenjtërueshmin Sakrament. Bëhet fjalë për himnin Sakrament, pra, kaq të madhnuem, (Tantum ergo Sacramentum), në të cilin, ndër të tjera, ne i drejtohemi Jezusit me lutjen: «N’çka s’mbrrin mendja me kuptue, / ndihmë t’na bahet shejtja fe.».

Kjo lutje që Jezusi të na e shtojë fenë përballë pranisë së Tij të Eukaristi, nuk është vetëm një kërkesë e devotshme që të na i shtojë ndjenjat e dashurisë për të. Kjo do të ishte tepër e lehtë dhe e paplotë. Por është që t’i kërkojmë Atij Hirin që të dimë t’i kemi gjithnjë parasysh veprat e mëdha të dashurisë që Shëlbuesi ynë ka bërë në historinë tonë e në historinë e botës, për të na qëndruar pranë. Edhe vetë Moisiu, në leximin e parë, kur i drejtohet popullit të Izraelit për ta nxitur që të mos e zbehë besimin e tij në Zotin, i thotë: «Të të bjerë në mend udhëtimi që Zoti, Hyji yt, të ka bërë ta kalosh për këta dyzet vjet nëpër shkretëtirë!». Në udhëtimin tonë në shkretë­tirat e ndryshme të jetës, le të kujtohemi se sa herë e kemi pasur Zotin pranë nesh, duke na larguar nga skllavëria e mëkatit në mënyrat që vetëm Ai i di dhe duke na afruar gjithnjë kah shëlbimi. «Mos e harro Zotin, Hyjin tënd, që të ka nxjerrë nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë!», vazhdonte ta porostiste edhe Moisiu Izraelin.

Por Moisiu i kujton popullit në mënyrë të veçantë një mrekulli e cila kishte ndodhur në dobi të Izraelit pothuajse çdo ditë. Bëhej fjalë për manën, një ushqim që në mënyrë të mrekullueshme binte nga qielli dhe që e ushqente çdo ditë atë popull: «Të mundoi me uri, por mandej të ushqeu me manë, që s’e njihje ti as etërit e tu.». E Moisiu nxjerr edhe arsyen teologjike të gjithë kësaj vepre të mrekullueshme: «Kishte për qëllim ta vërtetonte se për të jetuar, njeriut nuk i del mjaft buka, por i lypet edhe secila fjalë që del prej gojës së Zotit.». «Fjala u bë njeri e banoi ndër ne.», shkruan Shën Gjoni në Ungjillin e tij (1, 14). Kështu kuptojmë fjalët e Moisiut kur thotë «secila fjalë që del prej gojës së Zotit», janë plotësuar në mishërimin e Birit të Hyjit. Prandaj këtu e kuptojmë edhe arsyen pse Jezusi thotë në Ungjillin e sotëm: «Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës… Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë, do të jetojë në amshim.».

Kemi nevojë për bashkimin me Jezusin në Eukaristi, sepse ne nuk jemi engjëj. Engjëjt janë vetëm shpirtra e prandaj atyre u mjafton që të jenë të bashkuar me Zotin ashtu shpirtërisht. Por ne njerëzit, duke qenë shpirt dhe trup, për ta arritur më lehtë shëlbimin kemi nevojë të bashkohemi edhe fizikisht me Zotin tonë. Prandaj Jezusi e lidh marrjen e Eukaristisë me jetën e pasosur: «Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, ka jetën e pasosur.».

Në dijen e në urtinë e Tij të pamasë, Biri i Hyjit ka menduar edhe këtë mënyrë kaq të thjeshtë e kaq të përvujtë të pranisë së Tij në Bukën dhe në Verën e shuguruar, në mënyrë që ne ta kemi gjithnjë të lehtë t’i afrohemi atij, pa na frikësuar me gjeste të mëdha e spektakolare, por duke na kërkuar vetëm që ta mbajmë të gjallë fenë brenda nesh, duke i kujtuar e medituar me dashuri gjërat e mëdha që Ai ka bërë në historinë tonë dhe të botës mbarë dhe që ta duam Atë të pranishëm ashtu përvujtërisht në Eukaristi. E Jezusi vazhdon: «Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua dhe unë në të.».

Por nuk duhet harruar edhe se ky bashkim me Krishtin në Eukaristi sjell vetvetishëm edhe bashkimin tonë me njëri-tjetrin. Shën Pali thotë sot në leximin e dytë: «Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm, sepse jemi pjesëtarë të një buke.». Eukaristia jo vetëm që ka si fryt të vetin më të bukur bashkimin me Jezusin, por ka edhe bashkimin me të gjithë njerëzit. Salvatore Martinez, shkrimtar bashkëkohor italian, laik shumë i angazhuar në Kishë, shkruan: «Djalli nuk dëshiron që Kisha të jetë eukaristike, domethënë e dashuruar me Zotin e saj në lutje dhe e dashuruar me njeriun në solidaritet dhe në ndërtim të një bote të ndriçuar nga Ungjilli, siç ka mësuar Krishti të bëhet. Duke adhuruar Jezusin në Eukaristi, ne mund të themi: “Na liro nga i Ligu.”, domethënë nga egoizmi individual e kolektiv, që e sulmon shikimin eukaristik të historisë. Eukaristia është bashkim e jo përçarje e gjinisë njerëzore.».

Kisha, pra, duke ngulmuar që ta mbrojë këtë Thesar të Paçmue­shëm të pranisë së Jezusit, Birit të Hyjit, me Trupin dhe me Gjakun e Tij të Shenjtërueshëm në Eukaristi, mbron, këtu e në amshim, jetën e saj dhe jetën e mbarë botës.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *