PRANONI T’JU MËSOJ UNË QË JAM ZEMËRBUTË E I PËRVUJTË!

Categories HomeliPosted on

ZEMRA E KRISHTIT – VITI A

Lp 7, 6-11; Ps 103 (102); 1 Gjn 4, 7-16; Mt 11, 25-30

Sot është e përhapur në mbarë botën katolike përshpirtëria ndaj Zemrës së Shenjtë të Jezusit, por, kur në Kishë disa mistikë e të krishterë të përshpirtshëm e propozonin një përshpirtëri të tillë, përqesheshin e nuk u vihej veshi. Sot në mbarë botën ka plot Kon­­gre­gata rregulltare që mbajnë emrin e Zemrës së Shenjtë të Jezusit, shumë besimtarë bëjnë kushtime individuale e familjare ndaj Zemrës së Krishtit dhe madje Kisha e porosit shumë një kushtim të tillë, si edhe ka shumë kisha, kapela e oratore të kushtuara kësaj Zemre të Shenjtë, por, kur në shekullin XIII disa rregulltarë, me zbulesa të veçanta prej së larti, flisnin për një përshpirtëri të tillë, mbaheshin si të rrezikshëm me mësimet e tyre. Sot fugurja e Jezusit, ku duket qartë Zemra e Tij e ndezur flakë nga dashuria, është pothuajse në të gjitha familjet katolike, por janë dashur rreth katër shekuj që një fugure e tillë t’u propozohej, pa frikë se mos gabohej, katolikëve të mbarë botës nga autoritetet kishtare. Vetëm në shekullin XVII vëmendja e Kishës u tërhoq shumë më vrullshëm kah një përshpirtëri e tillë dhe e gjithë kjo falë vegimeve që kishin filluar t’i ndodhnin në heshtje një rregulltareje franceze me emrin Margerita Maria Alakok, që sot nderohet si njëra prej mistikeve më të mëdha të historisë së Kishës.

Më 27 dhjetor të vitit 1673, në festën e Shën Gjonit ungjilltar, ndërsa Shenjtja Margeritë ishte e gjunjëzuar në kishëzën e kuvendit të saj, iu shfaq Jezusi dhe e ftoi atë që ta afronte kokën e saj pranë kraharorit të Tij, ashtu siç kishte bërë Shën Gjoni ungjilltar në darkën e fundit dhe i tha: «Zemra ime është kaq shumë e dhënë në dashuri për njerëzit dhe për ty në mënyrë të veçantë, saqë, duke mos qenë e mundur që të mbyllen brenda saj flakët e dashurisë së saj të zjarrtë, duhet t’i shpërndajë ato… Unë të kam zgjedhur ty, pafundësi padenjësie e paditurie, për të përmbushur këtë plan të madh, në mënyrë që gjithçka të jetë bërë për mua».

Më vonë, Shenjtja pa në një vegim tjetër Zemrën e Shenjtë të Jezusit të zhytur në një oqean drite. Ishte e rrethuar nga një kurorë ferrash, të cilat simbolizojnë plagët e mëkateve të njerëzve dhe mbi të shihej një kryq. Kështu do të përhapej në mbarë botën, më vonë, fugurja e njohur e Zemrës së Krishtit që e përmendëm edhe më sipër.

Jezusi i kërkoi pastaj asaj edhe që të themelohej një Festë në nder të Zemrës së Tij, por pothuajse në të gjitha nivelet, kishtare e civile, ajo qe përqeshur. Ndërkaq Jezusi e ngushëllonte shenjten e përvujtë: «Mos ki frikë! Ti ndërkaq bindju autoriteteve të Kishës, sepse djalli nuk mund të bëjë asgjë mbi ata që binden!». U desh të kalonin gati dy shekuj që, pas shumë ngjarjesh dhe pas shumë nxitjeve të shenjtërve të tjerë, kjo festë të zyrtarizohej në Kishën Katolike nga Papa Piu IX, më 23 gusht 1856.

E pra, në atë intimitet mistik, Jezusi kishte biseduar me Shenjten për gjëra që kishin të bënin deri edhe me fatet e botës. Jezusi vetë i kishte thënë se dëshironte që mbreti i atëhershëm i Francës, Luigji XIV, i cili kaloi në histori edhe si “mbreti diell”, të shtonte në stemën e tij mbretërore edhe Zemrën e Shenjtë. Përveç kësaj kishte edhe kërkesa të tjera shumë të caktuara për atë mbret: duhej që ai të ndërtonte një shenjtërore në nder të Zemrës së Shenjtë, në mënyrë që personeli i oborrit mbretëror të mund të shkonte të lutej shpesh aty dhe duhej që t’ia kushtonte solemnisht Francën Zemrës së Shenjtë. Kur këto kërkesa i shkuan në vesh mbretit të famshëm, ai i shpërfilli ato, duke mos dashur të rendte pas vegimeve të kujtdo, por t’u përmbahej parimeve të tij diplomatike. Këtë gabim të rëndë do të përpiqej ta ndreqte pasardhësi i tij, Luigji XVI, pas shumë dekadash, por atëherë do të ishte tepër vonë, sepse revolucioni francez e kishte rrëzuar atë nga froni dhe ai, kur e bëri këtë kushtim në mënyrë private, ishte në burg dhe, pas pak ditësh, do të ndodhte ekzekutimi i tij.

Mbase këto të dhëna duken si të tepërta dhe të pamjaftueshme për të thënë se kushtimi i një kombi Zemrës së Krishtit do të mund t’i kishte ndryshuar fatet e Francës dhe të botës mbarë, por ndoshta i bëjmë këto arsyetime pikërisht ngaqë jemi mësuar pak si tepër të mendojmë se, fjalët e Jezusit që thotë «Pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë!», mund të kenë të bëjnë vetëm me ndonjë sferë shpirtërore abstrakte, pa asnjë lidhje me jetën e përditshme të botës. Harrojmë se Hyji ynë gjithnjë është përpjekur që të hyjë në historinë e botës e të ndërtojë me njerëzimin një histori shëlbimi. «Ti je popull i kushtuar Zotit, Hyjit tënd», ia kujton Moisiu Izraelit në leximin e parë.

E, në fakt, me themelimin e Besëlidhjes në Sinai, populli ishte përgjigjur se do ta zbatonte atë Besëlidhje: «Do të bëjmë gjithçka tha Zoti» (Dal 19, 8). E Moisiu, në vazhdim të fjalimit të tij të gjatë që e dëgjuam në leximin e parë, ia kujton popullit se ishte pikërisht falë këtij kushtimi ndaj Hyjit, që ky popull, edhe pse aq i vogël në numër, arriti t’i shpëtonte skllavërisë së Egjiptit të madh, si edhe vështirësive të udhëtimit plot rreziqe në shkretëtirë dhe, gjithë këtë, Hyji po e bënte për të çuar në vend premtimin plot dashuri që ua kishte bërë atyre dhe etërve të tyre më parë, kur edhe me ata kishte lidhur Besëlidhje: «Arsyeja që Zoti ju ka për zemër dhe ju ka zgjedhur, nuk është pse ju ua kaloni të gjithë popujve të tjerë për nga numri: jo, pasi ju jeni më të paktë se të gjithë popujt e tjerë; por pse Zoti ju do dhe pse e mban premtimin që u bëri etërve tuaj.».

Patjetër se shpesh Izreli do të tregohej mosmirënjohës ndaj Hyjit të vet duke u larguar shpesh prej Tij, por kurrë më Hyji nuk do ta shkëpuste lidhjen e Tij të ngushtë me këtë popull të kushtuar Atij. Pastaj, në Birin e vet, do të dëshmonte se ka qëllime dashurie për mbarë botën: «Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji e dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij», thotë Shën Gjoni apostull sot në leximin e dytë. Por, që «ne të jetojmë», Hyji pret që ne lirisht t’i hapemi Atij dhe t’ia kushtojmë Atij jetën tonë, nëpër Birin e vet Jezu Krishtin. Pagëzimi na zhyt në këtë kushtim tonin Hyjit e, falë forcës së Shpirtit Shenjt, Hyji e vazhdon në ne historinë e shëlbimit, duke na zhytur në hiret që na ka fituar Biri i Tij i flijuar për ne: «Dashuia përmbahet në këtë: jo se ne e kemi dashur Hyjin, por Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona…. Me këtë gjë e dimë se mbetemi në Të edhe Ai në ne: na e ka dhuruar Shpirtin e vet», vazhdon Shën Gjoni.

Nuk janë forcat tona ato që na shëlbojnë, por forca e Shpirtit Shenjt që Ati na e dhuron, duke na zhytur në hiret e shëlbimit, të fituara nga Jezusi. Edhe Shenjtja Margeritë tregonte në ditarin e saj se pati një herë një vrull dashurie në zemrën e saj dhe deshi t’i kthente Jezusit dashurinë më të madhe të zemrës së saj, por Jezusi do t’i shfaqej dhe do t’i shpjegonte se asaj i mjaftonte t’i hapej dashurisë së Tij, të cilën na e ka dëshmuar edhe kur ne nuk e kemi merituar. Ja tregimi i vetë Shenjtjes: «Një herë, ndërsa isha përballë të Shenjtërueshmit Sakrament, e ndjeva veten të shtyrë nga dashuria që t’i shkëmbeja Jezusit dashuri dhe t’i ktheja dashuri për dashuri. Ai më tha këto fjalë: “Ti nuk mundesh të më dëshmosh dashuri më të madhe se sa të bësh atë që të kam thënë disa herë”. Atëherë, duke e zbuluar Zemrën e Tij Hyjnore, më tha: “Ja, ajo Zemër që kaq shumë i ka dashur njerëzit dhe që asgjë nuk ka kursyer për ta, derisa është shterruar dhe flijuar për të dëshmuar Dashurinë e saj. Por, si shkëmbim, nuk marr nga pjesa më e madhe e tyre veçse fyerje, sakrilegje, për shkak të ftohtësisë dhe përçmimeve që më bëjnë në këtë Sakrament Dashurie (bëhet fjalë për Kungimin e Shenjtë). Por gjëja që më së shumti më trishton, është se janë edhe disa zemra që më janë kushtuar mua, ato që më trajtojnë kështu.”».

Trishtimi i Jezusit është patjetër mospërfillja e botës, por qenka shumë më shumë fakti se janë mospërfillëse edhe shumë zemra që formalisht i janë kushtuar Atij. Kështu e kuptojmë se nuk mjaftoka që të pagëzohemi, të marrim sakramente e të bëjmë kushte vetëm formalisht, por duhet edhe që t’i shoqërojmë të gjitha këta lirisht, me dashuri dhe përshpirtëri të sinqertë. «Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri.», thotë solemnisht dhe shumë bukur Shën Gjoni në leximin e dytë. E Jezusi në Ungjill e falënderon Atin e Tij se këto gjëra, pra thesaret e mëshirës e të dashurisë së Tij të pafund, ia ka zbuluar pikërisht atyre që kanë pranuar të bëhen të vegjël në sy të botës, për t’u afruar Birit të Tij: «Po të bekoj, o Atë, Zotëruesi i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit e ua zbulove të vegjëlve.».

Prandaj le ta dëgjojmë edhe ne ftesën e dashur të Jezusit që na thotë t’i hapemi mësimit të Tij të dashur, sepse kjo është çlodhja e shpirtit tonë dhe është e vetmja zgjedhë e ëmbël që shëlbon: «Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh! Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.» E t’i marrim seriozisht mësimet e Jezusit, sepse ata nuk janë abstrakte e pa asnjë lidhje me jetën tonë të përditshme, por janë në gjendje që t’i japin asaj dritë, dinjitet dhe shëlbim.

Të mos kemi frikë, pra, që ta themi edhe ne jo vetëm me gojë, por edhe me gjithë zemër, atë uratën: «O i Lumi Jezu Krisht, zemërbutë e i përvujtë, ban që zemra jeme t’i përngjajë Zemrës sate!».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *