UNË JAM. VETË! MË PREKNI E VËRTETOJENI!

Categories HomeliPosted on

E DIELA III E PASHKËS – Viti B

Vap 3, 13-15.17-19; Ps 4; 1 Gjn 2, 1-5; Lk 24, 35-48

Me një guxim të pashoq, duke u shprehur edhe me tonë akuzuese, Shën Pjetri del para judenjve, atyre të cilëve u fshihej para se të mbushej me Shpirtin Shenjt, dhe u shpall ngjalljen e Jezusit: «Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet, Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lirojë.»

Shën Pjetri po u printe apostujve në atë mision të cilin Krishti i Ngjallur do t’ua besonte, që ta shpallnin në mbarë botën: «Në emër të tij (Mesisë) do të predikohet në të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.»

Besnik ndaj Zotit të vet, Shën Pjetri e përfundon fjalën e tij duke thënë: «Pendohuni, pra, e kthehuni, që t’ju shlyhen mëkatet!»

Por le t’i kthehemi rreshtave të parë të Ungjillit të sotëm, atyre rreshtave që na flasin për atë takim të parë të të gjithë apostujve njëherësh me Jezusin e Ngjallur. Takim i lum, që ua ndryshoi jetën një herë e përgjithmonë. Është «zili e shenjtë» ajo që ndiejmë për këta njerëz që panë Jezusin e Ngjallur.

Në këtë pjesë ungjillore të marrë nga Ungjilli i Shën Lukës, e shohim qartë se mes kësaj dhe tregimit të Ungjillit të Shën Gjonit – prej nga është marrë pjesa e Ungjillit të së dielës së shkuar – ka shumë ngjashmëri. Kjo është shenjë se sa të freskëta kanë mbetur në kujtesën e nxënësve çastet kur kanë takuar Jezusin e Ngjallur.

Por, gjithsesi, vëmë re se ka edhe disa ndryshime mes tyre. Janë disa detaje të cilat na bëjnë ta përqendrojmë vëmendjen tonë mbi një pikë tjetër.

Në Ungjillin e së dielës së kaluar, kemi parë se si theksi kryesisht vihej mbi dashurinë e Jezusit për nxënësit e vet, mbi përkuljen e tij kundrejt dobësisë njerëzore të tyre, gjë e cila vihej re sidomos tek qëndrimi i Jezusit ndaj Tomës dyshues. Por në Ungjillin e sotëm, përveç kësaj, ka diçka tjetër që theksohet edhe më fort: Jezusi nuk është i gjallë vetëm me shpirt, por edhe me trup.

Se Ungjilli e thekson fort këtë të vërtetë, e vëmë re edhe nga vetë fjalët e Jezusit: «Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia: unë jam!» Nuk u thotë të shikonin fytyrën e Tij, por u paraqet plagët e kryqëzimit. Këtë e bën për t’u treguar se është Ngjallur pikërisht Ai të cilin ata e kanë parë në kryq. Është Ngjallur jo vetëm si shpirt, por edhe si trup, po ai trup që ata e shihnin të mbërthyer mbi atë dru.

E Jezusi këmbënguli: «Unë jam. Vetë! Më prekni e vërtetojeni!» Sikur të ishte vetëm shpirt, nuk mund të prekej. «Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam.» – vazhdoi Jezusi. E pastaj «u dëftoi duart e këmbët».

Apostujt e kishin të vështirë ta besonin një gjë të tillë, edhe pse vetë judaizmi, prej të cilit ata vinin, e predikonte ngjalljen e të vdekurve. Por ata ishin mësuar të mendonin për një ngjallje e cila do të ndodhte në fundin e kohëve! Por Jezusi, më ëmbëlsi, ngul këmbë t’ua mbushë mendjen se është realisht Ai, i gjallë, jo vetëm me shpirt, por edhe me trup.

E Shën Luka, për ta ndezur me emocione tregimin e tij mbi këtë ngjarje të pazakontë, e përshkruan kështu reagimin e apostujve përballë gjithë kësaj skene: «Ata, prej gëzimit, nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur.» Gëzim, dyshim, habi, e gjithçka tjetër që mund të prodhojnë në shpirtin njerëzor këta emocione, gjendeshin në shpirtin e këtyre njerëzve që gjendeshin përballë Atij që sapo kishte mposhtur vdekjen.

Si për ta lehtësuar shpirtin e tyre, Jezusi, bën një gjest krejt njerëzor, shumë të thjeshtë, si për t’u treguar se është po Ai, Mësuesi dhe miku i zemrës së tyre: «Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.» Ishte Ngjallur vërtet.

Por, kur ishte kaq e vështirë t’u mbushej mendja apostujve për këtë Ngjallje – me gjithë bagazhin e trashëgimisë së besimit të tyre dhe, mbi të gjitha, me gjithë të dukurat e vetë Jezusit të ngjallur me trup dhe me shpirt – imagjinoni se sa e vështirë ishte që apostujt tani të mund t’ua mbushnin mendjen popujve të tjerë për një ngjarje të tillë, sidomos popujve me kulturë greke, të cilët e pranonin përjetësinë e shpirtit, por kurrsesi ngjalljen prej së vdekuri. Në Veprat e Apostujve na tregohet një histori rreth Shën Palit i cili, kur shkon në Athinë, kërkon fjalën dhe fillon të predikojë në sheshin e tyre. Vendasit fillojnë ta dëgjojnë, por, kur Pali thotë se Jezusi është ngjallur së vdekuri, ata ia presin shkurt: «Për këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër.»

Pra mund ta imagjinojmë se ç’vështirësi ka hasur Kisha fillestare, pikërisht duke predikuar Ngjalljen e Jezusit dhe shpresën për ngjalljen tonë në fundin e kohëve.

Fakti se Krishti është Ngjallur edhe me trup, i sjell botës edhe një mënyrë të re për ta konceptuar trupin njerëzor. Nuk po flasim këtu për ata që e mbivlerësojnë trupin njerëzor duke e anashkaluar krejtësisht përmasën shpirtërore të njeriut, por për ato rryma “shpirtërore” të cilat priren, edhe pa vetëdije, ta zhvlerësojnë trupin e njeriut.

Këto rryma gjoja shpirtërore i shohim edhe në mes të ne të krishterëve. Ekziston një helenizëm si i fshehur në vetëdijen e shumë të krishterëve. A nuk është e vërtetë se sa herë që biem në mëkat, na vjen gati spontanisht t’ia lëmë fajin trupit? Shumë të rinj, për të justifikuar mëkatet e veta, thonë: «Epo, jemi të rinj.» Disa më të rritur, për të justifikuar inatet e mllefet ndaj të tjerëve, si edhe intrigat që fshehin përbrenda, ia lënë fajin moshës. E thënë me fjalë të tjera, kjo do të thoshte se në shpirt do të donin të ishin në hir të Zotit, por s’kanë ç’bëjnë sepse trupi i tyre i shtyn të mëkatojnë.

Por e vërteta është krejt e kundërta: është mangësia e fesë ajo që na bën t’i justifikojmë mëkatet. Përçarja që ka sjellë mëkati i rrjedhshëm, kryesisht e ka rrënjën brenda njeriut e pastaj edhe tek trupi i tij. Kur jemi të dobët përballë mëkatit, fajin nuk e ka kryesisht ana jonë lëndore, por ndërgjegjja jonë e brishtë. Vetëm kur fillojmë formimin i ndërgjegjes, pra kur fillojmë të kalitemi shpirtërisht për ta bërë atë që është e mirë dhe e shenjtë, vetëm atëherë do të mund të fillojmë një jetë vërtet të re.

E jo rrallë kjo kërkon edhe një betejë të vërtetë brenda nesh. Kërkon kthimin nga mëkatet, të cilin e predikonte më guxim Shën Pjetri: «Pendohuni, pra,  kthehuni, që t’ju falen mëkatet!» Pikërisht dëshira e vazhdueshme për të bërë atë që Hyji kërkon, është shenjë se besojmë realisht në Ngjalljen e Jezusit. Prandaj Shën Gjoni thotë sot në letrën e tij: «Me këtë gjë e dijmë se e njohim, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e Tij. Kush thotë: “Unë e njoh Atë”, por nuk i mban urdhërimet e Tij, është rrenacak dhe e vërteta nuk është në të. Ai që e mban fjalën e Tij, në të është vërtetisht dashuria e përsosur e Hyjit.»

Se deri në cilën pikë mund të arrijë gjithpërfshirja e njeriut në jetën me Hyjin e gjallë, na thuhet shumë bukur sot në psalmin që dëgjuam, sidomos tek rreshti që thotë: «Posa bie në shtrojë, gjumi menjëherë më merr në qetësi.» E arsyeja: «sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë». Psalmisti i vë në duart e Hyjit të gjitha: familjen, shëndetin, gëzimet, shqetësimet, ankthet, planet. Feja në Zotin e gjallë e ka përshkuar gjithçka që është tek ai, lëndore e shpirtërore.

Jezusi përpiqet t’ua mbushë mendjen apostujve se është realisht i gjallë për t’u treguar se Ai tashmë e ka mposhtur vdekjen dhe mëkatin, por edhe për t’i bërë ta shohin se sa vlerë ka në sytë e Zotit njeriu: trup e shpirt.

Jo vetëm shpirti, por edhe trupi njerëzor është e mundur që t’i pranojë në vetvete hiret që burojnë nga Krishti i Ngjallur. Ndoshta ngaqë ishte i bindur për këtë, teologu zviceran, Hans Urs von Balthasar, njëri prej teologëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, ka thënë: «Nuk ka një pikë tjetër nisjeje për imitimin e Krishtit, jashtë Ngjalljes së Tij prej se vdekuri.»

Zoti nuk na ka krijuar vetëm shpirt. Të tillë ka krijuar engjëjt. Ne jemi të krijuar trup e shpirt (që nuk janë dy krijesa, por një e vetme) dhe, si të tillë, do të shëlbohemi, ose do të humbasim përjetësisht.

Katekizmi i Kishës Katolike mëson: «Me vdekjen e Tij Krishti na liron nga mëkati, ndërsa me ngjalljen e Tij, na mundëson hyrjen në jetën e re.»

Jetë e re e cila fillon këtu në tokë dhe që e arrin plotësinë e saj në ngjalljen tonë prej së vdekuri në fundin e kohëve.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *