NDËRSA PO ZBRISNIN NGA MALI…

Categories HomeliPosted on

E DIELA II E KREZHMEVE – VITI A

Zan 12, 1-4; Ps 33 (32); 2 Tim 1, 8-10; Mt 17, 1-19

Një detaj i Ungjillit le të na e tërheqë sot vëmendjen tonë: «Ndërsa po zbrisnin nga mali…». Përse të zbrisnin nga mali, pas gjithë asaj madhështie të mrekullisë së shndërrimit të Jezusit? Detaj majft i vogël, por që na lë të kuptojmë diçka me rëndësi mjaft të madhe.

Në çastin kur ndodhi shndërrimi i Jezusit dhe u shfaqen Moisiu dhe Elia duke folur me Të, Pjetrit nuk i erdhi gjë tjetër të thoshte veçse: «Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu…». Pjetri, duke parë gjithë atë skenë madhështore, mendonte se në atë çast po realizoheshin premtimet mesianike të bëra Izraelit dikur. Prandaj mendonte se e mira e tij do të ishte që të rrinte atje në mal, në atë prani hyjnore. Pjetri ende nuk e kishte kuptuar se nuk kishin shkuar në mal për të qëndruar atje, por për t’u bërë gati që të përballonin atë që së shpejti ishte parashikuar të ndodhte.

E në të vërtetë, në Ungjillin e Mateut, rreshtat që i paraprijnë mrekullisë së shndërrimit të Jezusit, janë pikërisht ata ku vetë Jezusi paralajmëroi mundimet, vdekjen dhe gjalljen e Tij, të cilat së shpejti do të ndodhnin. Jezusi shqetësohej për fenë e apostujve të vet. Ata, përballë “shkandullit” të kryqit, rrezikonin ta humbisnin besimin në Të. E prandaj, për t’i përgatitur, bëri këtë mrekulli kaq të madhe. Për një çast, Jezusi vendosi që t’i lejonte të ishin të pranishëm kur, për pak çaste Ai do ta hiqte velin që e mbulonte lavdinë e Tij hyjnore. Interesante: madhështia e lumnisë së parrizit është vetëm një vel lag.

Megjithatë apostujt duhej që të zbrisnin nga mali, sepse i priste përballja me kryqin, përballje e cila ishte e mira e tyre e vërtetë. Edhe lavdinë e Krishtit do ta shihnin, madje shumë më shumë se aq dhe në përjetësi, por më parë duhej të përballeshin me kryqin, që ta kuptonin mirë se ç’është dashuria e vërtetë. Vetëm nëpërmjet kryqit edhe ata do të kaliteshin në dashuri.

E kalitja në dashuri, nëpërmjet kryqit, u ndodhë pothuajse të gjithë njerëzve. Ka raste kur Hyji i bën disa përjashtime, për të na ndihmuar të besojmë se Ai mundet gjithçka, por rruga e zakonshme është ajo e kryqit. E kryqi merr forma të ndryshme për të ardhur në jetën tonë. Dikë mund ta trondisë një rast vdekjeje, e mbase edhe më shumë se një. Dikush mbase është i sulmuar nga sëmundje të ndryshme, aq sa nuk i ndahen ilaçet dhe rendja sa në një derë spitali tek një tjetër. Dikush mbase vuan padrejtësitë e të pangopurve me para. Janë çaste kryqi, çaste shkandulli. Fjala “shkandull” vjen nga greqishtja e vjetër, që do të thotë “pengesë”. Kryqi, pra, mund të shndërrohet në një “pengesë” reale për të besuar në dashurinë e Hyjit dhe në ekzistencën e Tij.

E shndërrimi ishte një madhështi në kuptimin e vërtetë të fjalës. Këtë e tregon jo vetëm shfaqja e Moisiut dhe e Elisë – të cilët simbolizojnë se në Jezusin përmbushet gjithçka kanë thënë Ligji (i përfaqësuar nga Moisiu) dhe profetët (të përfaqësuar nga Elia) – por edhe zëri i Atit që vjen nga reja: «Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam përzemër. Atë dëgjoni!». Ati kështu apostujve dhe mbarë njerëzimit po u zbulonte edhe një herë me shumë dashamirësi, se nuk kishte dërguar në botë thjesht një profet, por vetë Birin e Tij të dashur.

Përballë shkandullit të kryqit, pra, apostujt dhe ne, nuk duhet të harrojmë se madhështia hyjnore prapëseprapë është vetëm një vel larg.

Zëri i dashur i Atit erdhi menjëhere pasi që Pjetri kishte shprehur dëshirën e tij që, e gjithë ajo bukuri, të mos kishte fund kurrë: «Zotëri, është mirë për ne të rrijmë këtu: nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». E ne mund ta kuptojmë lehtë Pjetrin që bën si një fëmijë i vogël përballë një torte të madhe dhe i shtrin krahët që ta zaptojë të tërën për vete. Të gjithë do ta kishim lakmi një lumni të tillë. Megjithatë, lavdinë hyjnore, Pjetri do ta shijonte, por më parë i duhej të mësonte se ç’është dashuria dhe, për ta kuptuar këtë, duhej t’i vinte në ndihmë kryqëzimi i Jezusit.

Në leximin e parë shohim se edhe në çastin kur Hyji e filloi historinë e Tij me popullin e Izraelit, e filloi me praninë e mistershme të kryqit. Kështu mund ta cilësojmë ftesën që Hyji i bën Abrahamit sot në leximin e parë: «Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd, në drejtim të një vendi që do të ta tregoj…. Do ta bëj të madh emrin tënd».

Ky premtim i fundit, që siguron madhështinë e ardhshme të Abrahamit, duket sikur nuk është fort në sintoni me ftesën fillestare. Në të vërtetë, në Abrahamin, ky premtim do të realizohej pikë për pikë, sepse asnjë njeri në botë nuk është i nderuar më fort se ai. Abrahami nderohet jo vetëm nga ne të krishterët, por edhe nga hebrenjtë dhe myslimanët, pra nga tre besimet që njihen si besime abrahamike dhe që, të marra së bashku, përfshijnë gati gjymën e gjithë njerëzimit. Asnjë njeri nuk ka kaq shumë nderim sa Abrahami. Por, e gjithë kjo lavdi, Abrahamit do t’i vinte vetëm pas “kryqit”, pas asaj ftese të Hyjit që mbartë në vetvete kaq shumë detaje të rëndësishme.

Pikësëpari vëmë re se, duke iu drejtuar Abrahamit, Hyji nuk bën ndonjë prezantim të vetin (e këtu është hera e parë që Hyji po i drejtohej Abrahamit), por fillon me një urdhër: «Dil». Mund të na shqetësojë kjo sjellje me pak takt nga ana e Hyjit, por me Abrahamin Hyji po bënte atë gjë të cilën Ai e bën me të gjithë njerëzit në thellësinë e ndërgjegjes së tyre. Të gjithë njerëzit aty, në Shenjtëroren e ndërgjegjes, Hyji i fton si me urdhëresë gjithnjë që «të dalim» nga e keqja e të vihen në kërkim të së mirës. Nuk ishte ende koha që Hyji t’ia prezantonte Abrahamit veten si Trini e Njini. Më parë i duhej ta shkëpuste atë dukshëm nga realiteti ku ishte. Më vonë pastaj, me anë të profetëve, Hyji do të zbulonte se gjithnjë kështu vepronte me ata që i kishte për zemër. Profetëve u fliste me këto fjalë për bashkësinë e Izraelit: «Do ta shpie në shkretëtirë e do t’i flas zemrës së saj».

E pastaj Hyji i përshkruan Abrahamit “shkretëtirën” në të cilën po e ftonte të shkonte. Duke i thënë «Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd», po e ftonte që të shkëputej nga pasuritë materiale dhe nga përzemërsitë më të afërta familjare që kishte. Dhe, e gjithë kjo, për të shkuar «në drejtim të një vendi që do të ta tregoj», pra pa i treguar as cakun e udhëtimit të tij. Hyji i bën të kuptojë Abrahamit se e vetmja siguri që zotëron është premtimi i hyjnor. E Abrahami do ta kalojë gjithë jetën e tij “i kapur fort” pas premtimit të Hyjit. Kjo shpresë kundër çdo shprese që vazhdimisht iu kërkua në jetë, do të ishte kryqi i Abrahamit, vendi i përsosjes së tij në fenë e ngjallë në Hyjin e gjallë. Prandaj Abrahami është quajtur ati në fe i të gjithë besimtarëve të vërtetë.

Edhe Abrahamit, pra, iu desh “të zbriste nga mali”, për ta kuptuar se Hyji me të cilin kishte të bënte nuk ishte si hyjnitë e paganëve. E tani edhe Abrahami është ngjitur në atë mal të lum që është parajsa, për të gëzuar në amshim me Hyjin e gjallë.

Prandaj as ne të mos na vijë turp të flasim për një Hyj të tillë: «Fort i dashur, mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë, as mua të burgosurin e tij, por hiq keq me mua për Ungjill, duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit» – i thotë Shën Pali Timoteut. Ia thotë ndërsa ai vetë, Shën Pali, ishte «i burgosur i Krishtit». Shën Pali e kishte kuptuar Krishtin: burgu që po pësonte për Ungjill, nuk ishte harresë e Hyjit e nuk iu bë atij shkandull, por e dinte se ai ishte rasti i tij për t’u përsosur në dashuri ndaj Hyjit dhe ndaj atyre që e kishin burgosur. Ky rast, e shumë raste të tjera të ngjashme, ishin për Shën Palin “zbritja e tij nga mali”, para se edhe ai të ngjitej përfundimisht në malin e lumturisë së amshuar.

Kur Hyji të na thërrasë edhe ne “të zbresim nga mali”, të mos e humbasim fenë, por të jemi të vetëdijshëm se na erdhi radha që të përsosemi në dashuri. Vetëm kështu do të mund t’i ngjitemi “malit” të lumturisë së parrizit.

Por në gjithë këtë ne nuk jemi vetëm, sepse na mbështjellë me dashurinë dhe hirin e vet e Shenjtërueshmja Trini. Ja se si e tregon Ungjilli i sotëm mënyrën se si e Shenjtërueshmja Trini i mbështolli me dashurinë dhe me hirin e vet apostujt, para se ata të përballeshin me “shkandullin” e kryqit. Fillimisht «i mbuloi një re e shndritshme», simbol i Shpirtit Shenjt, i cili e mbulon me praninë e Tij të bekuar besimtarin, për ta ndihmuar në ndjekjen e Krishtit të Vdekur e të Ngjallur. Pastaj u dëgjua zëri i Atit që u tha: «Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam përzemër. Atë dëgjoni», duke i ftuar kështu apostujt që t’i zinin besë veprës dhe fjalës së Birit të Tij, sepse në Të Ati do ta shpëtonte njerëzimin. Pastaj është Jezusi, vetë Biri, Ai që «u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!”», duke u dhënë dashamirësisht zemër që ta vazhdonin pa frikë ecjen e tyre pas Tij.

Prandaj, «ndërsa po zbriznin nga mali» për ta vazhduar ecjen e tyre në fe, Jezusi u tha se ishte më mirë që, ndërkaq, ta mbanin sekret atë që kishin parë, sepse përndryshe do të kekuptohej krejtësisht personi i Tij dhe vepra e Tij, nëse nuk ndodhte më parë Vdekja dhe Ngjallja e Tij.

Të mbështjellë edhe ne nga dashuria dhe nga hiri i të Shenjtërueshmes Trini, ta vazhdojmë ecjen tonë pas Jezusit.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *