RUAJI NË EMRIN TËND ATA QË TI M’I DHE, QË TË JENË NJË SIKURSE NE!

Categories HomeliPosted on

E DIELA VII E PASHKËS – Viti B

Vap 1, 15-17. 20-26; Ps 103 (102); 1 Gjn 4, 11-16; Gjn 17, 11-19

Në shkollën fillore, në kapitullin e historisë që fliste për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, tregohej se si ai një herë i mbodhi disa princa shqiptarë për t’u treguar diçka rreth nevojës që të jenë të bashkuar.

Por më parë bëri një gjest tjetër. Më të riut ndër ta i dha një shkop të hollë druri dhe i tha ta thyente. Ai e theu me lehtësi. Pastaj ia dha më të fortit ndër to. Edhe ai bëri ashtu duke qeshur pak. Por pastaj ai u dha atyre disa shkopinj së bashku dhe i ftoi që t’i thyenin të gjithë njëherësh.

As më i riu e as më i forti nuk ia dolën. Të gjithë të pranishmit e kuptuan se ku donte të dilte: nëse ata do të qëndronin të bashkuar, vetëm atëherë do t’i bënin ballë perandorisë otomane. E historia vetë e tregoi se sa e vërtetë ishte kjo gjë dhe se sa e vërtetë ishte se «bashkimi bën fuqinë».

Edhe brenda Shkrimit të Shenjtë shpesh herë vëmë re se si Hyji e ftonte popullin e Izraelit për një bashkim gjithnjë e me të fortë, sepse vetëm kështu do të mund t’i përballonte pengesat e ndryshme që mund të dilnin gjatë jetës së tij me Hyjin. Bashkimi i fiseve të Izraelit ia lehtësonte Hyjit planin e Tij të shëlbimit, ndërsa përçarja mes tyre i sillte shumë vështirësi e vonesa realizimit të këtij plani.

Po ashtu edhe Apostujve dhe krejt Kishës u kërkohet bashkimi i vazhdueshëm, përndryshe përçarja do të ketë pasoja gjithnjë të rënda, sikurse edhe ka pasur.

Por arsyeja thelbësore për të cilën Hyji kërkonte bashkimin mes popullit, do të rezultonte se ishte një tjetër: Jezusi do t’u mësojë nxënësve të vet se bashkimi mes tyre është si një pasqyrë e bashkimit mes Personave Hyjnorë. E pikërisht për këtë arsye Jezusi, në Ungjill, i lutet Atit të vet me këto fjalë: «Atë i Shenjtë! Ruaji në Emrin tënd ata që ti m’i dhe, që të jenë një sikurse ne!»

Apostujt e kishin kuptuar rëndësinë e bashkimit në dashuri dhe prandaj gjithnjë e konkretizonin atë. Edhe Shën Gjoni apostull në letrën e tij të parë ngul këmbë: «Të dashur… na duhet ta duam njëri-tjetrin… Hyji është dashuri dhe, kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji ne të».

Në leximin e parë sot dëgjuam se si Shën Pjetri propozon që të gjendet dikush që ta zërë vendin e lënë bosh nga Juda, i cili sapo ishte vetëvrarë: «Duhet, pra, që njëri prej këtyre njerëzve, të cilët qenë me ne gjatë tërë kohës që Zotëria Jezus jetoi në mesin tonë – duke filluar prej pagëzimit të Gjonit e deri atë ditë kur prej nesh u ngjit në qiell – të bëhet bashkë me ne dëshmitari i ngjalljes së tij». Hellin një short pasi i janë lutur Zotit e shorti i bie Matisë. Kështu plotësojnë numrin dymbëdhjetë të dashur prej Jezusit. Dymbëdhjetë ishte numri i fiseve që përbënin Izraelin e dymbëdhjetë duhej të ishte edhe numri i apostujve, falë predikimit të të cilëve do të lindte Kisha, Izraeli i ri.

Apostujt e plotësojnë kështu numrin e dëshiruar nga Jezusi, por u duhej të plotësonin edhe atë dëshirën tjetër të Jezusit: bashkimin mes tyre.

Është prekëse po ta mendosh se pikërisht ky bashkim në Kishë ishte meraku i Jezusit atë natë para se të arrestohej! Duket sikur Jezusi e parandiente se përçarja ishte shumë e mundur të ndodhte! Ndoshta për këtë arsye Jezusi, në këtë pikë, nuk u drejtohet më apostujve për t’i porositur që të mbeteshin të bashkuar, por i lutet Atit të vet, i vetëdijshëm se vetëm Ati mund të bënte diçka në këtë mes, sepse njeriu e kishte shumë të vështirë.

Historia ka treguar se përçarja mes të krishterëve ka pasur gjithnjë pasoja shumë të rënda. Edhe përhapja e ndonjë besimi tjetër të lindur pas Krishterimit, apo e ndonjë degradimi moral, është favorizuar shumë falë përçarjes që gjendej brenda Kishës në disa anë të botës. «Çdo i krishterë duhet të punojë për bashkimin e Kishës», ka thënë Papa Françesku, i vetëdijshëm se çdo i krishterë duhet ta vlerësojë rëndësinë e vet përballë Zotit dhe historisë.

Nëse ne të krishterët jemi të bashkuar, bota dhe djalli me dinakëritë e tyre, nuk do të arrijnë të na largojnë nga dashuria që na ka mësuar Jezusi, sepse Shpirti Shenjt gjithnjë do ta gjejë udhën e duhur për ne.

Jezusi vazhdon lutjen e Tij të gjatë edhe me disa kërkesa të tjera të drejtuara Atit të vet: «Tani po vij tek Ti e këto po i them ndërsa ende jam në botë, që ata ta kenë në vetvete gëzimin tim të plotë». Jezusi dëshiron që nxënësit e tij ta kenë gëzimin e plotë, e gëzimi i plotë atyre u vjen nëse do të dijnë ta ruajnë Fjalën e Atit që Jezusi ua kishte dorëzuar: «Unë ua dorëzova fjalën tënde».

Jezusi lutet që Ati t’i forcojë tani këta njerëz të thjeshtë, të cilët bota do t’i urrente vetëm për shkak të kësaj fjale. As të krishterët, sikurse as Jezusi, nuk janë të kësaj botë, prandaj bota i urren. E Jezusi i kërkon Atit që t’i forcojë me hiret e veta: «Nuk po të lutem t’i marrësh prej botës, por t’i ruajsh nga i Keqi». Atë natë Jezusi është lutur që ti e unë të dalim fitimtarë nga tundimet e ndryshme të djallit, prandaj s’duhet të kemi frikë se i Keqi mund t’ia dalë të na mashtrojë, nëse qëndrojmë në dashurinë e në bashkimin që na ka mësuar Jezusi.

«Shenjtëroji në të vërtetën…. Për ta unë e kushtoj vetveten»: Janë jo vetëm lutja, por edhe ndërmjetësimi të cilin Jezusi e bën para Atit të vet për Kishën e Tij. Prandaj, me të drejtë, kjo lutje e gjatë në kapitullin e shtatëmbëdhjetë të Ungjillit të Gjonit, quhet edhe «Lutja meshtarake» e Jezusit, ngaqë aty Jezusi, ndërmjetëson para Atit të vet në dobinë tonë.

Janë disa teologë që thonë se kjo lutje e shpreh më së miri atë që Jezusi e bën edhe tani e përgjithnjë përballë Atit të vet në lidhje me ne.

E në fakt nuk ka ndërmjetës tjetër mes Hyjit dhe njerëzve përveç Jezusit. Engjëjt e Shenjtërit luten për ne, ndërsa Jezusi ndërmjetëson. Është si puna e dikujt që ndërhyn për një pajtim. Një njeri i tillë jo thjesht shkon të kërkojnë mëshirë e falje, por edhe paraqet argumentet për të cilat duhet arritur te pajtimi. Jo vetëm kaq, por merr përsipër edhe realizimin e shpagimeve të nevojshme nëse ato nevojiten. Sidomos këtë të fundit nuk mundte e nuk mjaftonte ta bënte asnjëri prej engjëjve apo shenjtërve, por vetëm Biri i Amshuar.

Biri përballë Atit tregohet i gatshëm të shpaguajë dëmin e mëkatit: «Për ta unë e kushtoj vetveten» me qëllim që ata të shenjtërohen pikërisht në Birin, i cili është e Vërteta e bërë njeri: «Shenjtëroji në të vërtetën!»

Duke folur për ndërmjetësimin e Birit, ishte shumë e bukur mënyra se si Shën Alfons Maria de Liguori e imagjinonte atë. Ai thoshte se mëkatet tona janë si një zhurmë e keqe që ngrihet drejt qiellit, por Jezusi ndërmjetëson me më shumë forcë përpara Atit të vet për faljen e tyre. E kështu britmat e Jezusit drejtuar Atit e mundin zhurmën e mëkateve tona e, si përfundim, Ati sheh me dashamirësi mbi njerëzimin falë ndërmjetësimit të Birit të vet.

Natyrisht që ky lloj shpjegimi nuk do të thotë se Ati nuk e vë re të keqen në botë,  por dëshiron të shpjegojë se është pikërisht ndërmjetësimi i Jezusit, Birit të Hyjit, ai që i sjell botës bekimin e Atit qiellor dhe hiret e Shpirtit Shenjt.

Kur ne lutemi, pra, të jemi të vetëdijshëm se së bashku me në është duke u lutur e ndërmjetësuar edhe Jezusi, nëpër të cilin ne ia paraqesim Atit kërkesat dhe falënderimet tona. Për këtë arsye edhe lutjet e liturgjisë së shenjtë zakonisht përfundojnë me fjalët «Nëpër Krishtin, Zotin tonë». Gjatë Meshës së shenjtë, kulmi i falënderimit tonë është kur meshtari me Osten dhe Kelkun e ngritur lart i drejtohet Atit me fjalët: «Nëpër Krishtin e me Krishtin dhe në Krishtin, Ty o Atë, Hyj i gjithëpushtetshëm, në bashkim me Shpirtin Shenjt, të qoftë çdo nderim e lavdi, për të gjithë shekuj të shekujve!» Vetëm «Nëpër Krishtin» mund të marrin vlerë para Atit lutjet e falënderimet tona.

Ta falënderojmë, pra, Jezusin që pa ndërprerje ndërmjetëson për ne para Atit të Vet. Ndërkaq, ta lejojmë edhe ne veten të prekemi nga meraku i Jezusit për bashkimin e Kishës së vet e të bëjmë aq sa kemi në dorë që ky bashkim të arrihet çdo ditë e më shumë. Kështu, botës do t’ia dëshmojmë bashkimin e dashur që gjendet në të Shenjtërueshmen Trini.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *