BIRIT TË NJERIUT I DUHET TË PËSOJË SHUMË.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXIV GJATË VITIT B

Is 50, 5-9; Ps 115 (114); Jak 2, 14-18; Mk 8, 27-35

Besoj se janë të shumtë njerëzit që nuk e mohojnë ekzistencën e Hyjit, por mohojnë mundësinë që ky Hyji të njihet. Këtu besoj se nuk përfshihen vetëm për deistët, por edhe të gjithë ata që thonë: «Tek e fundit një Zot kemi të gjithë, sepse fetë e ndryshme janë thjesht shpikje e njerëzve.» Këta njerëz i takojmë shpesh.

Por, sikur krishterimi të ishte një shpikje e njerëzve, patjetër që do ta kishin shmangur të flisnin për një Zot që vdes në kryq.

Njeriu është i prirur që, në lidhje me Hyjin, të mendojë vetëm atë që në Hyjin është madhështore, atë që tregon pushtet mbi gjithçka, sidomos mbi ligjet e natyrës. Por, të mendojë se Hyji mund t’i nënshtrohet Ai vetë ligjeve të natyrës e, aq më tepër “ligjeve” të mëkatit njerëzor, kjo nuk është spontane të mendohet nga njeriu.

Një pasqyrë të kësaj prirjeje të sëmurë të njeriut na e paraqet edhe Ungjilli i sotëm, por duke na treguar edhe “ilaçin” që duhet të përdorim për shërimin e saj.

Por, para se të kthehemi përsëri tek ky aspekt, na duhet patjetër t’i marrim me radhë ngjarjet Ungjillit të sotëm.

Jezusi është duke ecur udhës së bashku me nxënësit e vet. Gjatë këtij udhëtimi Ai dëshiron të dijë se çfarë thotë populli për Të. Prandaj edhe i pyet: «Çka thonë njerëzit, kush jam unë?» Përgjigja është: «Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, do tjerë Elia, do tjerë prapë se je njëri ndër profetë.» Shihet se populli nuk e kishte kuptuar saktë kush ishte Jezusi. Kishte kuptuar se ishte i veçantë, se ishte njeri i mbështetur nga Hyji në atë që bënte, por nuk kishte kuptuar risinë e Tij: se Ai është shpëtimtari, Mesia.

Pikërisht kjo është përgjigja që jep Shën Pjetri – në emër të të gjithë nxënësve të tjerë – kur Jezusi i pyet se çfarë mendojnë ata për Të.

Sa për ta cekur: na bën përshtypje se si Jezusi nuk dëshiron të dijë vetëm se çfarë nxënësit kanë dëgjuar të thuhet për Të, por se çfarë mendojnë ata vetë. Është pyetja të cilës secili prej nesh duhet t’i përgjigjet vetë: Kush është Jezusi për mua? Le ta fusim në xhep këtë pyetje e ta marrim me vete në shtëpitë tona! Le të gjejmë ndonjë çast ku të mund ta nxjerrim nga xhepi dhe, duke e vënë përballë ndërgjegjes sonë, t’i përgjigjemi me sinqeritet! Jezusi dëshiron që ti vetë t’i japësh përgjigjen tënde.

Kjo, pra, ndodh edhe me nxënësit që në ato çaste po udhëtonin me Jezusin dhe përgjigjja që Shën Pjetri jep, është shumë e saktë: «Ti je Mesia.» Në ungjijtë e tjerë, kjo përgjigje është edhe më e plotë: «Ti je Mesia, Biri i Hyjit të Gjallë.» (Mt 16, 16) Jezusi është Shpëtimtar, sepse është Biri i Hyjit e Hyj Ai vetë. Ja, ajo që e dallon Jezusin: nuk është një njeri i mirë, i paqes, i dialogut, apo një profet i madh… dhe kaq. Ai është vetë Biri i Hyjit.

Por Ungjilli i sotëm në e vërteton se, për të kuptuar Jezusin, as kjo dëshmi feje – që është shumë e saktë – nuk mjafton. U dashka edhe diçka tjetër.

Pasi Pjetri jep këtë përgjigje, Jezusi u urdhëron «rreptësishtë» që të mos ia tregojnë askujt një gjë të tillë. Pastaj fillon t’u zbulojë atë që do t’i ndodhte së shpejti. Thotë Ungjilli: «Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut – një mënyrë e Besëlidhjes së Vjetër për të folur për Mesinë – i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh.»

Mund ta imagjinojmë lehtë habinë që kjo gjë duhet të ketë shkaktuar tek nxënësit. Për sa i përket Ngjalljes që Jezusi e përmendte, nuk duhet t’u ketë bërë edhe aq shumë përshtypje, sepse mund ta kenë marrë si mënyrë të foluri për ngjalljen prej së vdekuri në fundin e kohëve, gjë të cilën judenjtë e besonin. Por ajo që i shqetësoi, ishte «vrasja» e Tij.

Prandaj Pjetri bëhet përsëri zëri i vëllezërve të vet dhe «e ndau Jezusin në një anë, e zuri ta qortojë». Ungjijtë shpesh plotësojnë njëri-tjetrin: në Ungjillin e Mateut gjejmë këtë fjalë të Pjetrit: «Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të të ndodhë një gjë e tillë.» (16, 22) Shën Pjetri nuk arrin ta pranojë faktin se Biri i Hyjit mund të lejonte të mundohej e të vritej nga dora e ndokujt.

Si Shën Pjetri jemi shpesh të gjithë: a nuk është e vërtetë se më shpesh jemi të prirur të mendojmë për një Hyj që «na e prin mbarë», një Hyj që na mban në shëndet, që na mbron familjen, një Hyj që bën dokumentet për jashtë shtetit, … me një fjalë një Hyj që na shkon për shtat dhe që i bekon projektet tona? Por një Hyj që është dashuri, që fal e që me këmbëngulje kërkon që edhe ne të falim të tjerët, një Hyj të përvujtë të cilin jemi të thirrur t’i përngjajmë, një Hyj që nuk e shmangë kryqin, por e përballon atë duke mos u larguar nga logjika e dashurisë, nuk e pranojmë edhe aq lehtë. E pra, ky është thelbi, jo ato të parat.

Jezusi, për të cilin ne besojmë se është Biri i Hyjit, i mishëron në jetën e tij fjalët që i thoshte Isaia: «Fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat», por që, edhe pse mes vuajtjesh, beson se e ka Hyjin afër: «Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur.»

Shën Pjetri merr një përgjigje vërtetë të ashpër nga Jezusi: «M’u hiq sysh, he djall, se nuk i ke ndër mend punët e Hyjit, por të njerëzve!»

E krahason me djallin. Ka të drejtë, sepse Pjetri po bën rolin e djallit (në greqisht diabulos do të thotë përçarës), siç e shohim në atë pjesën ungjillore ku djalli i thoshte Jezusit të hidhej nga maja e Tempullit dhe, duke qenë se engjëjt do ta prisnin, atëherë do të fitonte besimin e njerëzve. Kurtha e djallit aty ishte që ta bënte Jezusin të mos ndiqte logjikën e dashurisë e të përvujtërisë, por atë të madhështisë. Kjo ishte përçarja që djalli dëshironte të fuste mes Jezusit dhe Atit qiellor. Pikërisht kështu po arsyetonte edhe Pjetri.

Përgjigja e Jezusit është pak më ndryshe nga sa e sjell përkthimi që kemi në shqip. Në origjinalin grek, Jezusi nuk thotë «M’u hiq sysh, he djall!», por «Dil pas meje, he djall!». Pjetrit që po arsyetonte si djalli, Jezusi i thotë që të dalë pas Tij, që të vihet sërish në rresht me nxënësit e tjerë në ndjekjen e Jezusit e jo ta mësonte ai Jezusin. Pjetri kishte ende shumë për të mësuar nga Jezusi.

Ilaçi për ta shëruar prirjen tonë të gabuar që e mendon Hyjin në tiparet e madhështisë, është që të vihemi pas Jezusit, në dëgjimin e Fjalës së Tij. Nuk mjafton vetëm të besojmë se Jezusi është Biri i Hyjit, por duhet që të ndjekim edhe logjikën e Tij të Kryqit.

E, që kjo gjë të kuptohet një herë e mirë nga nxënësit dhe nga të gjithë të krishterët e të gjitha breznive, Jezusi thotë: «Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë.»

Jezusi na fton që ta lëmë mënjanë krenarinë tonë e të ndjekim përvujtërinë që Ai na mëson. Prandaj shton: «Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.»

Kjo është feja e gjallë: bashkimi me Jezusin e kryqëzuar e të Ngjallur.

Por Shën Jakobi në letrën e tij na e saktëson se feja jonë duhet të jetë e shoqëruar nga veprat konkrete: «Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat?» Jo se na shpëtojnë veprat tona të mira, por, nëse feja jonë nuk është vepruese, nuk mund të pohojmë se është fe e shëndoshë. Feja na ndihmon ta shndërrojmë vetveten aty ku Jezusi na e kërkon. Pastaj, të shndërruar, do të na vijë gati si natyrshëm të veprojmë si Jezusi.

T’i kërkojmë, pra, Jezusit që të na ndihmojë të vihemi në dëgjim në plotë të fjalës së Tij, T’i kërkojmë që të na ndihmojë të jemi vërtetë nxënës të Tij, që t’i biem mohit vetvetes – pra planeve tona, sado të logjikshme të na duken –, e ta marrim kryqin tonë në ndjekjen e Atij që na prin me përvujtëri e dashuri.

Patjetër kryqin nuk do ta kishim dashur, sikur shëlbimin do të na ishte lënë ne ta programonim, por Hyji ka një logjikë tjetër: logjikën e përvujtërisë. Kështu Ai na shëlbon.

«Në veprat e Zotit, asgjë e madhe nuk lind pa dhimbje», shkruante Shën Maksimilian Kolbe. E Shën Augustini mësonte: «A dëshiron të jesh i madh? Fillo të jesh i vogël! A dëshiron të ngresh një ndërtesë që të arrijë deri në qiell? Ndërto më së pari themelet e përvujtërisë!»

Këta njerëz e kishin kuptuar Jezusin.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *