DHENTË E MIA E DËGJOJNË ZËRIN TIM.

Categories HomeliPosted on

E DIELA IV E PASHKËS – Viti C

Vap 13, 14. 43-52; Ps 100 (99); Zb 7, 9. 14-17; Gjn, 27-30.

Këtë të dielë të katërt të kohës së Pashkës, që mund të quhet edhe e diela e Jezusit, Bariut të Mirë, Kisha ia kushton lutjes për thirrje të shenjta. Me thirrje Kisha nënkupton jo vetëm jetën meshtarake apo rregulltare, por çdo lloj ecjeje të krishterë në rrugën e përbashkët të shenjtërisë, duke kuptuar, për sa mund të kuptojë njeriu, se pikërisht kjo ecje përkon me vullnetin e Hyjit në jetën e vet. Është shumë e rëndësishme ta kemi të qartë këtë të vërtetë: secili prej nesh duhet të përpiqet ta kuptojë se cili është ky vullnet i Hyjit ndaj tij e të mos e jetojë jetën “siç e jetojnë të gjithë”, por me përgje­gjësi e zgjedhje personale.

 Kjo vlen sidomos për sa i përket zgjedhjeve të mëdha të jetës. Nuk e di se sa janë të krishterët që martohen sepse një veprim të tillë e ndjejnë si një thirrje të Hyjit ndaj tyre! Shumë veta krijojnë përshtypje se martohen sepse “kështu bëjnë të gjithë”, duke mos e pyetur aspak veten rreth planit të Zotit në jetën e tyre e, shumë shpesh, duke mos e pyetur as Zotin për një gjë të tillë. I njëjti rrezik mund të ndodhë edhe përsa i përket ecjes drejt jetës së kushtuar, kur dikush e zgjedh këtë rrugë ngaqë kështu u pëlqen familjes dhe rrethit shoqëror ku gjendet, ose ngaqë i duket si rast i përshtatshëm për të qenë në qendër të vëmendjes së njerëzve. Mund të ketë edhe ekstre­me të tilla, ku dikush lejon që të jenë të tjerët ata që vendosin për marrëdhënien e tij me Hyjin e jo vetë personi.

Megjithatë në këtë ditë duhet theksuar se sot Kisha lutet kryesisht për thirrje në rrugën e meshtarisë dhe të jetës së kushtuar. Por, para se të arrijmë tek një shpjegim i shkurtër rreth kriterit të duhur që një person mund të përvetësojë për t’iu kushtuar sa më mirë një rruge të tillë, le të shohim pak se çfarë na thonë leximet e sotme dhe çfarë duan të na mësojnë.

Kemi vënë re edhe sot se si leximi i parë është marrë nga Veprat e Apostujve, gjë e cila ndodh çdo të dielë të kohës së Pashkës. Kjo ngaqë Kisha dëshiron të na tregojë se cilat janë frytet e Krishtit të Ngjallur. Këto fryte shihen pikërisht në jetën e Kishës së Hyjit, e cila është vepër e Atij që është Ngjallur së vdekuri. Të mos e harrojmë se ajo që apostujt shpallnin aso kohe ishte diçka krejt e re dhe e papritur për Izraelin. Nxënësit tashmë nuk shpallnin thjesht një Hyj të vetëm, por një Hyj të vetëm në Tre Persona Hyjnorë. Kjo ishte tepër e rëndë për t’u pranuar nga një hebre besimtar. Për më tepër, shpallnin se njëri ndër këta Persona është bërë njeri dhe Ai është Jezusi nga Nazareti, i cili kishte vdekur në kryq, por që ishte ngjallur pas tri ditësh. Edhe më shumë shtoheshin vështirësitë kur bëhej fjalë që të predikohej kjo e vërtetë atje ku sundonte kultura greke, sipas së cilës trupi njerëzor konsiderohej si një kafaz që e mbërthen shpirtin dhe, si pasojë, të vdisje çmohej si një lirim. Mund ta imagji­nojmë atëherë lehtë se si reagonin këta njerëz kur u thuhej se dikush ishte kthyer përsëri në këtë gjendje burgosjeje.

Leximi i parë sot na thotë se Pali e Barnaba po predikonin në një sinagogë të Antiokisë së Pisidisë. Predikimi i tyre dukej sikur po korrte sukses: «i tërë qyteti ngarendi për të dëgjuar Fjalën e Zotit». Por çuditërisht të shtunën që pasoi nuk po korrnin më sukses, sepse një përçarje e mistershme kishte shpërthyer tashmë në atë bashkësi. Kjo për shkak se «disa judenj, kur panë gjithë atë popull që po shkonte pas tyre, i zuri smira». I njëjti predikim, për dikë ishte bërë burim gëzimi e jete, ndërsa për dikë tjetër kishte qenë si helm. Vetë historia na e dëshmon se, shpallja e Ungjillit, në mënyrë të mistershme, gjith­monë provokon përçarje. Përse? Vetë rreshtat që sapo lexuam na e shpjegojnë arsyen: «i zuri smira». Mbase nuk e dinin se «Kush e ka smirë tjetrin, e pranon epërsinë e tij» (Samuel Xhonson).

Ja, pra, shkaktarja e shumë ndarjeve e përçarjeve: smira. Nuk quhet smirë ajo dëshirë që të jemi të lumtur siç mund të jenë të tjerët, por, kur, meqë vetë nuk jemi të lumtur, bëjmë çmosin që t’ua shkatërrojmë lumturinë të tjerëve. E kjo, e dimë, është sjellje tipike e djallit.

Shën Pali, duke e vënë re mirë një gjë të tillë, nuk e zgjati shumë dhe u tha se, meqë këta nuk po e pranonin Ungjillin e Krishtit, atëherë ai dhe Barnaba po u drejtoheshin paganëve. Shohim këtu se si Hyji edhe nga një situatë e tillë, e cila në vetvete ishte mëkat nga ana e judenjve, nxorri një gjë të mirë: shtysën që Ungjilli të fillonte të predikohej ndër paganë. E keqja e njerëzve nuk e pengon Hyjin të veprojë, sepse Ai nuk tërhiqet kurrë mbrapsht. Kjo ngaqë Ai e dëshiron me ngulm shëlbimin e njeriut dhe është në gjendje të përfitojë deri edhe nga vetë dobësia njerëzore.

Por kjo e vërtetë nuk e ligjëron smirën brenda nesh, sepse, shpesh, pikërisht smira është shkaktarja e shumë intrigave dhe thashethe­meve. Ky ves i keq i bën njerëzit të pandjeshëm ndaj zërit të Hyjit në ndërgjegjen e tyre dhe i ekspozon ata ndaj ambicjeve më të pashpirta e shumë të dëmshme për individin e për shoqërinë. Smira duhet të qëndrojë larg zemrave tona dhe ne vazhdimisht mundemi dhe duhet të kultivojmë mirësinë brenda nesh. Nëse Hyji mund të nxjerrë një të mirë edhe nga e keqja, imagjinoni sa të mirat mund t’i nxjerrë nga e mira.

Ne duhet të jemi të dëgjueshëm e të hapur ndaj Jezusit, Bariut tonë të Mirë. «Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim.» – thotë Jezusi në Ungjillin e sotëm, domethënë, besimtarët e mi i hapen Fjalës sime. Nëse duam të përdorim një metaforë, mund të themi se, kur Fjala e Zotit troket në jetën tonë, nëse smira mbizotëron në ne, atëherë do të mbyllemi si iriqi përballë ndonjë rreziku. Por nëse do të jemi bujarë në zemër, atëherë do të çelim porsi një lule që i hapet ledha­timit të ëmbël të rrezeve të diellit. Fjala e Hyjit është ky diell i ngrohtë që dëshiron ta ushqejë jetën tonë.

Por, për t’iu bindur këtij Mësuesi Hyjnor, na duhet feja e gjallë në të. E, në fakt, për apostujt nuk ka qenë e lehtë të pranohen fjalët që Jezusi thotë në Ungjillin e sotëm i cili, duke folur për dhentë e veta, thotë se «askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime» e menjëherë, pak më poshtë, pohon se «askush s’mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit». Në dorën e kujt, pra, jemi: të Jezusit apo të Atit? Jezusi vetë e shpjegon këtë duke thënë: «Unë dhe Ati jemi një». Tani apostujve u duhej të hapeshin ndaj besimit në një Hyj, i cili është Njiní dhe Triní.

Tani, duke iu kthyer sërish temës së thirrjeve për jetë meshtarake e rregulltare, mund ta shohim më qartë se cili është kriteri bazë i një të thirruri. Vetëm kur ai ka një përvojë reale të fesë së gjallë në Hyjin e gjallë (natyrisht, edhe duke pasur një përvojë e një vizion të shëndoshë kishtar) ai e kupton se është e mundur t’i kushtohet Hyjit në një ecje të tillë, sepse e sheh si gjë të natyrshme që ta ndjekë Jezusin dhe ta dëgjojë zërin e Tij. Po nuk ndodhi kjo përvojë, meshtaria apo jeta rregulltare do t’i duken të pakuptimta. Vetëm duke e dashur Hyjin mbi gjithçka ai do të mund t’i kushtohet një thirrjeje të tillë.

Thuhet se një djalosh shkoi tek njëri prej etërve të shkretëtirës dhe i tha: «Dua të jetoj edhe unë si ju». Etërit e shkretërirës ishin disa të krishterë të shekullit të katërt pas Krishtit, që kishin vendosur të jetonin në shkretëtirë, me lutje e me pendesë. Kur dëgjoi djaloshin, njeriu i Hyjit iu përgjigj: «Shumë mirë, por më parë eja të të tregoj diçka». E mori me vete dhe, nga shkretëtira, shkuan pranë një lumi. E ftoi të hynte pakëz me të në lum dhe e zhyti nën ujë. I kishte vënë dorën mbi kokë dhe po e mbante ashtu. I zhyturi filloi t’i jepte shenja se nuk mund të duronte më dhe se dëshironte të dilte, por ai vazhdonte ta mbante ashtu të zhytur. Përsëri i bënte shenjë që ta nxirrte nga uji, por njeriu i Hyjit e nxori prej aty vetëm pasi e vuri re se vërtetë nuk po duronte më. Djaloshi i tha: «Çfarë bëre? Gati m’u mor fryma». Njeriu i urtë iu përgjigj: «Vetëm nëse e dëshiron Hyjin ashtu siç e dëshirove ajrin kur ishe nën ujë, atëherë do të mund të vish e të bësh jetën që po bëj unë».

T’i kërkojmë Jezusit, pra, që ta mbushë Kishën e Tij me njerëz që e dëshirojnë Atë në jetën e tyre më fort se ajrin dhe që të jenë vazhdimisht të gatshëm për ta dëgjuar zërin e Tij, në çfarëdo rruge që Ai mund t’i ftojë ta ndjekin!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *