RUAJUNI FORT PREJ LAKMISË SË PASURISË!

Categories HomeliPosted on

E DIELA XVIII GJATË VITIT C

Kish 1, 2; 2, 21-23; Ps 95 (94); Kol 3, 1-5. 9-11; Lk 12, 13-21

«Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin!», i kishte thënë Jezusit dikush prej turmës. Jezusi nuk ishte njeri me autoritet juridik në Izrael, prandaj edhe e sqaron menjëherë se i duhet të shkojë e të ankohet pranë personave kompetentë: «Or mik, kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?». Jezusi nuk shqetësohet shumë për këto lloj ankesash. Megjithatë, nuk mund ta nisë atë njeri pa një përgjigje që ka të bëjë me shëlbimin e tij: «Veniani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë!» E thotë ngaqë e pa se ajo lakmi kishte arritur ta armiqësonte deri edhe me vëllain e vet.

Një përrallë tregon se një herë kryetari i djajve po bënte një mbledhje me djajtë e tjerë para se t’i niste ata në tokë për të tunduar njerëzit. Në atë mbledhje, kryetari po u mësonte djajve më të vegjël taktikat e duhura për tundime. U thoshte: «Shkoni në tokë dhe njerëzit që do të takoni, bëni çmosin që t’i bëni të pasur dhe t’i bindni se duhet të jenë ashtu! Pastaj largohuni nga ai njeri e shkoni tek ndonjë tjetër.» Ngriti dorën njëri prej djajve dhe, i habitur, pyeti: «Po pse të largohemi? A nuk duhet ta bëjmë të mëkatojë?» «Mos kini merak – iu përgjigji kryetari i tyre – mëkatet pastaj ata do t’i bëjnë vetë.»

E kështu është: kur njeriut i hyn lakmia e tepruar për të qenë i pasur, i humbet feja, i errësohet arsyeja, harron të ketë ndjenja njerëzore dhe fillon të zhytet në mëkate të njëpasnjëshme. Sa njerëz janë, aq janë edhe shtigjet e justifikimeve me të cilat lakmia për pasuri mund të zërë vend në natyrën njerëzore. Prandaj Jezusi sot në Ungjill i porosit ngultas nxënësit e vet: «Ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë!»

Kujdesi që duhet treguar ndaj lakmisë për pasuri, është ndër të paktat porosi morale që Jezusi përsërit disa herë në Ungjill. Kjo mbase ngaqë duhet vigjilencë e madhe për ta shmangur të qenit të zaptuar nga kjo lakmi. Ajo shpesh mund të paraqitet e justifikuar edhe nga shumë qëllime të mira. Vetë të krishterët shpeshherë shtyhen në kompromise të këqija me qëllim që të mbledhin para, mbase edhe duke menduar se me to, në fund të fundit, dëshirojnë të bëjnë ndonjë gjë të mirë. Shumë gabime ka pasur edhe nga vetë hierarkia kishtare gjatë historisë. E gjithë kjo mbase është bërë për qëllime të mira, por një proverb thotë me shumë domethënie: «Rruga për në Ferr është e shtruar me qëllime të mira.»

Lakmia për pasuri është si gjarpër tejet dinak: ajo arrin të gjejë njëmijë dredhi e njëmijë shtigje për t’u futur në jetën tonë. Kur njeriu atëherë është i bindur se pasuria është e domosdoshme, s’ka se si të mos thuash se ka filluar të adhurojë një zot tjetër e jo Zotin e gjallë e të vërtetë. Kështu,  atëherë u hapet dera shumë e shumë mëkateve të tjera. Përralla që treguam në fillim, e shpjegon shumë bukur këtë të vërtetë.

Leximi i parë sot flet për kotësinë e gjërave materiale. Duket sikur autori ëshë kapluar nga një pesimizëm tejet i madh mbi realitetin, por, në fakt, është një pesimizëm që, deri diku, do të na bënte mirë të gjithëve. Autori thotë se «gjithçka është kotësi»: kotësi quan punët e njeriut për të mbledhur trashëgimi, përderisa një ditë nuk do të mund t’i gëzojë ato. Madje edhe ndërsa është duke i shijuar të mirat e fituara, i duket se edhe këtu ka shumë kotësi, përderisa çdo ditë ka mundime e dhimbje e, për më tepër, as natën nuk gjen qetësi: ditën heq keq si ta mbledhë pasurinë, kurse nata i shkon me shqetësimin se si ta ruajë atë.

E, në fakt, është e vërtetë se, po të vihet pak arsyeja në punë, do të shihet qartë se, po nuk pati diçka tjetër që e shoqëron njeriun në jetë, del se ajo që bën për të fituar pasuri, është e kotë dhe qesharake. Sa mirë do të na bënte edhe ne ta kishim këtë pesimizëm të shë­ndoshë të autorit të kësaj pjese të shenjtë!

Ai që nuk e ka këtë pesimizëm të shëndoshë, fillon të arsyetojë si njeriu i shëmbëlltyrës që tregon Jezusi sot. E dëgjuam se si ky njeri, pasi kishte mbledhur pasuri më të mëdha atë vit, i gëzuar, filloi të hartojë plane se si ta ruante atë pasuri: «Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia.» Kjo fjali na tregon pikësëpari egocentrizmin e tij: si ka mundësi që nuk kujtohet të kryejë ndonjë bamirësi ndaj ndonjë nevojtari? Sa të shumtë janë njerëzit që kanë vërtet shumë të ardhura, që u teprojnë paratë, por që e kanë shumë të vështirë t’i hedhin sytë kah ata që kanë nevojë për ndonjë ndihmë sado të vogël! Nuk është e thënë se të gjithë pasanikët janë në mëkat për faktin se janë pasanikë, por edhe ata duhet ta dinë se, me pasurinë e tyre, mund të bëjnë aq shumë të mira, sa nuk e kanë idenë. E nuk është fjala për t’u dhënë para lypsarëve që u trokasin në derë, por të gjejnë forma konkrete ndihmesash: duke i gjetur dikujt një vend pune, duke ndihmuar ndonjë të sëmurë me ilaçe, duke ndërtuar një urë, duke shtruar një rrugë, duke sistemuar ndonjë shkollë, duke promovuar ligje që përmirësojnë jetën e qyte­tarëve e shumë gjëra të tjera.

Ka prej atyre që i bëjnë këto gjëra, por janë shumë të paktë. Shumica bëjnë gabimin që bën pasaniku i shëmbëlltyrës: «Do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!» Sa mirë do t’i kishte bërë pak prej atij pesimizmit të shëndoshë edhe këtij njeriu! Mbase atëherë nuk do të kishte menduar se jeta e tij zgjatet nga pasuria që ka. E dimë të gjithë se ka shumë e shumë mënyra për të ardhur ora e fundit: një atak kardiak, një sëmundje e pashërueshme, një aksident, një vrasje. Paratë që mund të kemi, mund të na rezultojnë shumë lehtë të padobishme në këso rastesh. Dëgjohen shpesh dëshmi të moshua­rish që tregojnë për vuajtje nga më të tmerrshmet në jetën e tyre e shumë prej tyre janë përtej të tetëdhjetave. Nga ana tjetër, dëgjohen përditë lajme vdekjeje të shumë të rinjve, që mbase ishin të rrethuar nga një jetesë shumë më komode. Këto lloj arsyetimesh nganjëherë duken shumë të dala mode (shpesh herë edhe në predikime parapëlqehet të tregohemi më elegantë), por realiteti flet pa ndërprejeje me këtë lloj gjuhe e madje pa e zbutur kurrë.

Është e vërtetë se paratë janë të nevojshme, por do të ishim shumë gabim sikur të bindeshim se janë të domosdoshme dhe se jeta jonë varet prej tyre. Edhe personazhit të shëmbëlltyrës së sotme i ishte mbushur mendja kështu, por Hyji e quajti të marrë: «I marrë! Shì sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?» Në fakt, është marrí të mendojmë se jetën tonë e kemi në dorë ne, me përkujdesjet tona të tepruara. Edhe ato duhet t’i kemi, patjetër, por vetëm si shprehje të dashurisë për jetën që na ka dhuruar Zoti dhe shprehje të dashurisë për njerëzit që e duan jetën tonë e jo duke qenë të bindur se varemi prej tyre! Jezusi e tha sot në Ungjill: «Veniani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse, sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.» Së paku, ne të krishterët duhet t’i besojmë urtisë së Zotit tonë Jezu Krishtit!

Në vend që të shqetësohemi për zgjatjen e jetës sonë, do të duhej të shqetësoheshim më shumë për shenjtërimin e saj. Shën Pali sot na e kujton këtë në Letrën e tij drejtuar Kolosianëve: «Vëllezër, nesë u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit!» Si pasojë e jetës sonë në Krishtin, pra, nuk do të duhej të shqetësoheshim tepër kur shohim se po na kërcënohet jeta fizike, por më tepër kur shohim se mëkati është ende zot shtëpie në jetën tonë. E Shën Pali na thotë: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja, ato tokësoret: fëlligështia, papastërtia, epshet, dëshirat e këqija, lakmimi i tepruar i pasurisë – ajo idhujtari. Mos rreni njëri-tjetrin! Ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij dhe veshët njeriun e ri që përtërihet në njohurinë e drejtë të Krijuesit të vet.»

Ja synimi që duhet të kemi: dëshira për të jetuar me Krishtin dhe si Krishti, si edhe ikja nga mëkati. Shqetësimet e tjera janë kotësi, sepse nuk jemi të krijuar për to. Të mos shqetësohemi sa e gjatë do të jetë jeta jonë, por të shqetësohemi më fort nëse jeta jonë ka Jetë brenda saj, apo më saktë, nëse ka Krisht brenda saj! Të tjerat janë kotësi.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *