HYJI NA NXORI NGA PUSHTETI I ERRËSIRËS NË MBRETËRINË E BIRIT TË VET TË DASHUR.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXXIV GJATË VITIT C – JEZU KRISHTI, MBRET I GJITHËSISË

2 Sam 5, 1-3; Ps 122 (121); Kol 1, 12-20; Lk 23, 35-43

Na duhet ta lodhim pak kokën sot duke përmendur njërën prej pyetjeve që shpesh teologët e ndryshëm kanë parashtruar pse pikë­risht Biri ishte Ai që u mishërua? A do të kishte mundur të bëhej njeri edhe Ati apo Shpirti Shenjt? Pse pikërisht Biri?

Është një pyetje të cilën, tani që e dëgjuam, mbase edhe ne do të kishim shumë dëshirë t’ia dinim përgjigjen. Patjetër që përgjigjen e saktë nuk mund të themi se e dimë, sepse, në lirinë e Tij, Hyji-Triní mund të bëjë gjithçka. Por, duke u bazuar në Shkrimin Shenjt, duket sikur një farë përgjigjeje edhe mund ta kemi.

Le t’i hedhim një shikim leximit të dytë, të shkëputur nga Letra e Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve. Aty apostulli e falë­nderon Hyjin se na ka kaluar nga pushteti i errësirës në Mbretërinë e Birit të vet të dashur. E fill pastaj, me ngjyra vërtet solemne, tregon se kush është Biri: «Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i Parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhé, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë Fronet, qoftë Zotërimet, qoftë Principatat, qoftë Pushtetet.» Dhe ja ku vjen tek pohimi që na intereson për atë pyetjen tonë: «Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.»

Ndonjëri prej etërve të Kishës e shpjegonte këtë të vërtetë (pra, se nëpër Krishtin dhe për Krishtin u krijua gjithçka) duke thënë se, kur Ati po krijonte gjithësinë, ishte duke shikuar kah Biri i vet: shikonte kah Ai dhe krijonte. Etërit e Kishës bënin shpesh këso shpjegi­mesh simpatike, por me plot realizëm e me baza të shë­ndo­sha teologjike.

E vërteta, pra, është se nëpër Birin u krijua gjithësia dhe se u krijua në përngjasimin ndaj Tij. Aq më tepër njeriu. Kur Bibla thotë se njeriu, me mëkatin e parë, e dëmtoi rëndë (por nuk e humbi) përngjasimin ndaj Hyjit, dashka të thotë, pra, se dëmtoi rëndë sidomos përngjasimin me Birin. Në fakt, njeriu u plagos dukshëm në mënyrën bijësore të të jetuarit me Hyjin. Prandaj i takonte pikërisht Birit që të vinte e të na e kujtonte edhe një herë se cila është mënyra e duhur për ta jetuar jetën tonë me Hyjin dhe, si pasojë, edhe me njëri-tjetrin e me gjithësinë.

Ja, pra, përgjigjja që teologët i japin pyetjes që shtruam në fillim: meqë Biri ishte modeli sipas të cilit qemë krijuar, i takonte pikërisht Birit që të vinte e ta ndreqte dëmin e shkaktuar nga mëkati.

Shumë teologë pastaj thonë edhe diçka tjetër shumë të bukur (po na takon ta lodhim përsëri kokën sot me gjëra të vështira): edhe sikur njerëzit e parë nuk do të kishin mëkatuar, prapëseprapë Biri do të bëhej njeri. Kjo do të thotë se krijimi ishte fillimi i një plani të gjatë të Hyjit në lidhje me njeriun. Sipas disa të dhënave të Shkrimit Shenjt, por disomos të Traditës së Kishës më vonë, ishte sidomos kjo gjë ajo që Luciferin (atë që pastaj do të njihej si djalli) e shumë djaj të tjerë i mbushi me xhelozi edhe më fort dhe i bëri ta humbisnin plotësisht lumninë e Parajsës. Nuk mund ta dimë sesi do të kishte qenë mishërimi dhe jeta e Birit të Hyjit nëse mëkati nuk do të kishte hyrë në botë, por kjo na bën të mendojmë se sa e madhe ishte dashuria e Hyjit ndaj nesh kur Biri, gjithsesi, nuk e ndryshoi planin e Tij që të vinte në mesin tonë, edhe atëherë kur kjo ardhje e Tija rrezikonte të pritej keq, sikurse edhe ndodhi. Por pikërisht edhe aty Jezusi veproi si Bir i Hyjit, duke na dëshmuar se, edhe në mundime, në përndjekje të padrejta dhe në vdekje, ne mund të jetojmë si bij e bija të Hyjit.

E Ungjilli i sotëm na tregon disa detaje të dëshmisë që Jezusi na ka dhënë për të jetuar si bij e bija të Hyjit, se si ta shërojmë egoizmin tonë dhe ta “fitojmë” edhe një herë përngjasimin që natyrës njerë­zore i qe dëmtuar rëndë nga mëkati.

Ungjilli i sotëm na flet pikërisht për çastet kur Jezusi është i kryqëzuar. Ndërsa është ndër grahmat e thekëta të vdekjes, anë­tarët e Këshillit të Lartë nuk ngurojnë ta përqeshin: «Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit – ‘i Zgjedhuri’!» Por Jezusi hesht. Hesht dhe vuan. Po na shëron. A nuk është e vërtetë se pikërisht nga frika se të tjerët mund të na përqeshin, na vjen tundimi të tregojmë se dimë të bëjmë edhe ndryshe? Jezusi, edhe në ato rrethana, e vazhdon dhe e çon drejt plotësimit veprën e Tij shëlbimprurëse.

Pastaj ushtarët, duke e ftuar Jezusin që ta vërtetonte se i fortë ishte, e vinin në lojë duke i thënë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto vetveten!» Por «emri i Hyjit nuk është “Sukses”», thotë një proverb. Ushtarët po e nxisnin që të bënte të kundërtën e logjikës Hyjnore. E as këtu Jezusi nuk thotë asgjë. Ai thjesht duron me përvujtëri të skajshme.

«Po a nuk je ti mbreti i judenjve?! Shpëto veten edhe ne!», është pastaj britma e njërit prej të kryqëzuarve, britmë e cila mund të përfaqësojë edhe britmat e të gjithë të kryqëzuarve të botës nga sëmundjet apo kryqet e tjera të jetës. Patjetër që mund t’i lutemi Hyjit për shërime e për mrekulli, por duhet ta pranojmë se ato ndodhin vetëm brenda një feje të gjallë e brenda logjikës së Hyjit për të arritur shëlbimin tonë. Prandaj duhet të ruhemi fort kur mendojmë se fjala “Hyj” është e barabartë me “mirëqenie” e jo me “dashuri”. Vetëm logjika e përsosjes në dashuri i jep shpjegim deri diku vuajtjes, kryqit. Shpeshherë pikërisht nëpërmjet tyre ne mund ta rifitojmë atë përngjasim të cilin mëkati na e kishte dëmtuar rëndë.

Dhe ja ku vërtetohet kjo gjë tek i kryqëzuari tjetër. Ai e kupton se ky i dënuar pa faj është Hyj. Çfarë Hiri i madh iu dhurua këtij njeriu në atë çast të skajshëm?! Prandaj ai e qorton shokun tjetër duke i thënë: «As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? Sa për ne, kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona. Por ky, ky s’bëri asnjë të keqe.»

E pastaj i drejtohet Jezusit: «Të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!» Fjalë mallëngjyese. Aq mallë­ngjyese, saqë prekin edhe Hyjin. Prandaj Jezusi i mbledhë edhe një herë ato pak forca që i kishin mbetur në trupin e Tij të sfilitur dhe i premton me fjalë po aq prekëse: «Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në Parriz.» Ja fryti i parë i mundimeve të Krishtit.

Këto janë vetëm disa prej detajeve të kryqëzimit të Jezusit, Birit të Hyjit, detaje me anë të të cilave Biri i Hyjit e shëron natyrën tonë. Është interesante të shohim se pikërisht këtë pjesë po e lexojmë sot, në këtë të kremte ku Krishtin e quajmë Mbret të Gjithësisë. Por kështu është: Është e vërtetë se Jezusi është Mbreti që mban gjithë­sinë (Shën Pali në letrën e sotme thotë: «Ai është para çdo gjëje, dhe çdo gjë qëndron në Të.»), por nuk sundon pa dashuri. Ai është Mbreti i dashurisë, i paqes, i drejtësisë dhe i së vërtetës. Kështu do të duhej të ishte çdo mbretëri në këtë botë dhe bota do të kishte padyshim një fytyrë tjetër. Nga errësira e egoizmit, bota do të kalonte në dritën që sjellë Mbretëria e Birit të Hyjit, që është Mbretëri dashurie.

Leximi i parë sot, në mënyrë shumë interesante, shkon e na sjellë një tekst që flet për shugurimin e Davidit si mbret të Izraelit. Jo më kot e bën këtë, sepse në Izrael mbreti duhej të ishte përfaqësuesi i Hyjit në mesin e popullit të Tij; duhej të sillej me popull ashtu si Hyji do të ishte sjellur. Ajo shprehja që ne e dëgjojmë shpesh «Zoti në qiell e qeveria në tokë!» do të ishte shumë e saktë sikur të mos mendohej se Zoti ka punët e veta në qiell, kurse në tokë vendos qeveria se çfarë duhet bërë apo jo, por sikur të kuptohej se qeveria do të duhej të ishte përfaqësuese dhe përçuese e vlerave që Hyji na mëson: dashuri, harmoni, vërtetësi, paqe, drejtësi, përparim. Nga kjo lloj teokracie bota nuk ka pasur kurrë të keq. Vetëm duke shikuar kah mënyra se si Jezusi është Mbret, edhe mbretërit e kësaj bote do të dinë të mbretërojnë si duhet.

T’i kërkojmë, pra, Jezusit që vazhdimisht ta ndreqë e ta shërojë atë që mëkati ka plagosur e shëmtuar në ne. Kështu do ta kuptojmë se gjëja vërtet madhështore është që të jetojmë si bij dhe bija të Hyjit e kjo është e mundur edhe në mes të vuajtjeve dhe poshtërimeve. Atëherë do ta falënderojmë vazhdimisht Jezusin që nuk është kursyer për të na e dëshmuar dhe mundësuar këtë.

Kështu, tani e kuptojmë galdimin e zemrës së Shën Palit kur u thotë të krishterëve, atyre që e kishin pranuar Jezu Krishtin me fe të gjallë në jetën e tyre: «Vëllezër, ta falënderojmë Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë! Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin – faljen e mëkateve.»

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *