JU DO TË JENI PRONA IME!

Categories HomeliPosted on

E DIELA XI GJATË VITIT A

Dal 19, 2-6; Ps 100 (99); Rom 5, 6-11; Mt 9, 36 – 10, 8

Në leximin e parë kemi dëgjuar një pjesë shumë të rëndësishme në teologjinë hebraike. Bëhet fjalë për çastin kur Hyji po e përgatiste popullin e Izraelit për dhuratën e Urdhërimeve që do t’ua jepte vetëm tri ditë më vonë. Megjithatë, para se t’ua dorëzonte këtë dhuratë të jashtëzakonshme, Ai donte t’i ndërgjegjësonte ata për kuptimin e vërtetë të thirrjes që kishin përballë Zotit e përballë botës.

Por na duhet të bëjmë një parashtesë, para se të thellohemi në tekstin e leximit të parë. Kur flasim për popullin e zgjedhur të Izraelit, menjëherë na vjen instinktivisht të mendojmë se bëhet fjalë për ndonjë privilegj që Zoti kishte vendosur t’ia bënte këtij populli përballë të gjithë popujve të tjerë. Atëherë, me të drejtë, mund të shtrojmë pyetjen se si ka mundësi që Hyji të bëjë dallime në mes të popujve? A mundet një prind të bëjë dallime mes fëmijëve të vet? E vërteta është se Hyji gjithnjë është marrë shumë me të gjithë popujt. Të gjithëve Ai u ka folur në thellësinë e ndërgjegjes së tyre dhe shpesh ka bërë që ata t’u afrohen me intuitën e logjikës shumë të vërtetave të mëdha të cilat, më vonë, Ai do t’i konfirmonte në Zbulesën e Tij.

Por me popullin e Izraelit Hyji ka vendosur të flasë në një mënyrë shumë të veçantë, e cila nuk do të thotë aspak më të lehtë. Vetëm këtij populli Hyji kishte vendosur t’i fliste. Edhe këtu jo të gjithëve, por vetëm disa patriarkëve e profetëve në mënyrë të veçantë, të cilët ishin si urë lidhëse mes Hyjit dhe popullit. E thamë se kjo mënyrë e të vepruarit e Hyjit nuk i bënte më të lehta gjërat, sepse, siç e dimë, shpesh herë populli i zgjedhur largohej nga Besëlidhja e bërë me Hyjin. Megjithatë, Hyji, në mëshirën e vet, përsëri e falte popullit e zgjedhur dhe e vazhdonte veprën e Tij shëlbimprurëse. Por këtë Hyji e bënte me një qëllim shumë të qartë: sikurse patriarkët, profetët e gjyqatarët ishin ura lidhëse mes Hyjit dhe popullit, ashtu edhe mbarë populli i zgjedhur duhej të bëhej urë lidhëse mes Hyjit dhe mbarë botës. Tani e kuptojmë më mirë atë rreshtin e leximit të parë që thotë: «Ju do të jeni ndër të gjithë popujt prona ime, – e imja është mbarë toka.»

Megjithatë, për ta kuptuar më mirë teologjinë e madhe të këtij rreshti, na duhet të shpjegojmë edhe një traditë që qarkullonte në popullin hebre në atë kohë. Ndodhte shumë shpesh që një bari të çonte në kullosë jo vetëm grigjën e vet, por edhe dhentë e familjeve të tjera. Me qindra ishin dhentë që kulloste bariu, por vetëm një pjesë e vogël e tyre ishte e tij, prona e tij. Kjo pronë e veçantë, në hebraisht quhej segulah. Pikërisht këtë term përdor Hyji në hebraisht edhe kur i thotë Izraelit se ai është prona e tij: i thotë se ai popull është segulah i Tij. Është si t’i thoshte: Të gjithë popujt e botës janë të mitë, por ty të kam zgjedhur për vete në mënyrë të posaçme, që kështu të arrijë të “kullosë” të gjitha dhentë e tjera. Vetëm kështu e kuptojmë plotësisht atë rresht i cili, pa këtë shpjegim, do të dukej i palogjikshëm: «Ju do të jeni ndër të gjithë popujt prona ime, – e imja është mbarë toka.» Në shqip nuk ekziston, me sa duket, një fjalë që përkthen saktësisht fjalën hebraike segulah, prandaj neve ai rresht na tingëllon pa ndonjë forcë të madhe teologjike.

Hyji, pra, dëshiron ta ftojë Izraelin të kuptojë se arsyeja e vërtetë për të cilën po ia dhuron Dhjetë Urdhërimet, është që ta çojë drejt shëlbimit këtë popull, por nëpërmjet tij të arrijë shëlbimin edhe të mbarë popujve të botës. Kështu kanë kuptim fjalët e Zotit që vijojnë menjëherë pas: «Ju do të jeni për mua një mbretëri prifërinjsh e një popull i shenjtë.» Sikurse priftërinjtë kanë detyrën që, më anë të kultit, të krijojnë lidhjen mes Hyjit dhe popullit të pranishëm, ashtu duhet të bëjë me krejt jetën e tij mbarë populli i zgjedhur, duke krijuar lidhjen mes Hyjit dhe mbarë botës.

Në këtë frymë mund ta kuptojmë më mirë edhe Ungjillin e sotëm, ku Jezusi vendos që të zgjedhë dymbëdhjetë apostujt: dëshi­ronte që me anë të tyre të arrinte tek të gjithë popujt e botës.

Vetë fakti se Jezusi zgjedh pikërisht dymbëdhjetë, ishte dome­thënës: sikurse ishin dymbëdhjetë fiset e Izraelit, ashtu duhej të ishte dymbedhjetë edhe numri i atyre që do të bëheshin kolonat e Kishës, Izraelit të Ri. Prandaj edhe kur Juda do të vetëvritej, apostujt menjë­herë shpejtuan ta zëvendosojnë atë me Shën Matinë, për të plotë­suar pikërisht numrin dymbëdhjetë. E, sikurse Hyji dikur e kishte zgjedhur Izraelin jo se ishte më i miri ndër të gjithë popujt e botës, por ngaqë dëshironte ta ftonte të bashkëpunonte bujarisht me të në dobi të të gjithë popujve, ashtu edhe Jezusi nuk zgjodhi si apostuj të vet njerëz të dalluar për mençurinë apo shenjtërinë e tyre. Në mes tyre ishte Mateu, tagrambledhësi i njohur, ishin Pjetri, Andreu, Jakobi e Gjoni që ishin thjesht peshkatarë. Dy të fundit, madje, Jezusi i kishte quajtur edhe Boanerges, siç na tregon Shën Marku në Ungjillin e tij, «që do të thotë: Bijtë e rrufesë» (3, 17), mbase për shkak të karakterit të tyre të rrëmbyeshëm. Në mes tyre ishte edhe Juda, të cilit nuk mund t’i kihej shumë besë, sikurse edhe ndodhi në fund. Për të tjerët dimë shumë pak. Edhe vetë fakti që dimë pak, na lë të kuptojmë se nuk ishin shumë të njohur më parë në shoqërinë që i rrethonte. Por Jezusi nuk i thirri se ishin më të mirë se të tjerët; i thirri ngaqë e dinte se ajo ishte e vetmja mënyrë që ata vetë të mund të shëlboheshin (nëse do të bashkëpunonin bujarisht) dhe të mund të bëheshin urë lidhëse për shëlbimin e mbarë botës. Patjetër se kjo urë lidhëse e Jezusit nuk ishin vetëm apostujt, por të gjithë nxënësit që besuan në Të kur Ai u Ngjall së vdekuri, përfshi këtu patjetër edhe Zojën e Bekuar, por kjo bashkësi që më vonë do të quhej Kishë, nuk do të vonojë që ta përkufizojë veten edhe si «apostolike», pra e themeluar mbi dëshminë e dymbëdhjetë apostujve.

Kemi shumë për të mësuar nga kjo, sepse gabimisht shumëkush mund të mendojë se kjo pjesë ungjillore flet për bukurinë e thirrjes. Patjetër që thirrja ka edhe bukurinë e vet, por më fort është rasti të flitet për vetëdije: vetëdije se për çfarë Jezusi thërret pranë vetes. Ai thërret për shëlbimin e atij që është i thirrur dhe që, njëkohësisht, ta bëjë të thirrurin urë lidhëse për turmat.

E turmat janë vërtet shumë, gjithnjë. Edhe Jezusin e përmallonin turmat që kërkonin Hyjin në ndjekjen e Tij: «Kur Jezusi e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari.» Edhe sot dhe gjithnjë Jezusi e ndjen këtë dhembshuri për turmat e popujve që ende presin Ungjillin e Tij, por që, për shumë arsye, nuk u ka arritur. Prandaj duhen lutje, shumë lutje, që përhapja e Ungjillit të vazhdojë e që ata të cilët Jezusi i thërret, ta gjejnë forcën që të përgjigjen me bujari të zemrës: «Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutuni, pra, Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.» porosit Jezusi sot në Ungjill.

Vetëm një pyetje mund t’i bëjmë vetes të gjithë tani, pa përjashtim: A lutemi ndonjë herë, më gjithë shpirt, për këtë merak të madh të Zemrës së Jezusit?

Ungjilli i sotëm, pastaj, përfundon duke thënë se Jezusi i dërgoi apostujt fillimisht vetëm nëpër Izrael. Ishte ky një “trajnim” shumë i vogël, për misionin që më vonë do t’i priste kur do t’i dërgonte në mbarë botën. E, kur Jezusi dërgon, garanton edhe forcën e pranisë së Tij shëruese e liruese: «Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas jepni!»

Mund ta imagjinojmë tani atë grigjë të vogël prej dymbëdhjetë vetash që endet nëpër Izrael duke bërë shenja të tilla të mëdha e duke predikuar atë që Jezusi u kishte porositur: «Mbretëria e Hyjit është ngjat.» Ishte vërtet një segulah, një pronë e vogël e veçantë, me anë të së cilës Jezusi po arrinte tek i gjithë populli izraelit. Më vonë kjo segulah u bë mjeti i Jezusit për të arritur të gjithë popujt e botës. Kjo segulah tani është Kisha. Ajo gjithnjë mbetet e vogël, në krahasim me turmat e botës, por ka në vetvete praninë e Krishtit të Vdekur e të Ngjallur. Këtë prani shëruese e liruese ajo ia përcjell gjithnjë botës në forma të ndryshme, duke u bërë kështu në dobi të botës, «mbretëri priftërinjsh e një popull i shenjtë».

E, kur bota ta akuzojë Kishën për padenjësi, ajo, duke pranuar përvujtërisht se gjithnjë ka nevojë të përtërihet e të kthehet kah Zoti i saj, gjithësesi mund të pëgjigjet pa mëdyshje me fjalët e Shën Palit: «Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin, në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit tani fituam pajtimin.»

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *