E MADHE ËSHTË FEJA JOTE.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XX GJATË VITIT A

Is 56, 1. 6-7; Ps 67 (66); Rom 11, 13-15. 29-32; Mt 15, 21-28

Një nga dëshmitë e shumta për çastet e ekstazave të Shën Piut nga Pietrelçina thotë edhe se, kur frati i përvujtë përfundonte së kremtuari Eukaristinë, shpesh e dëgjonin të fliste me Jezusin. E, se nuk bëhej fjalë për një monolog, e kuptonin nga fakti se Atë Piu fliste, bënte pyetje, ndërhynte. Bashkëvëllezërit e tij filluan t’i shkruajnë këto biseda. Patjetër se nuk mund të dëgjonin çfarë thoshte Jezusi, por atë që thoshte Padre Piu, e dëgjonin. Ndodhi një herë që fretërit e kuptuan se Jezusi dhe Atë Piu po flisnin në lidhje me një meshtar, edhe pse nuk e dinin se për kë bëhej fjalë. Me sa kuptohej, po flisnin për një meshtar që po jetonte në mëkate të rënda dhe Jezusi po i shprehte fratit të dashur dhimbjen dhe zemërimin e Tij. E frati, me varrët e Krishtit në trup, thuhet se iu përgjigj: «Të lutem, o Zot, ki mëshirë, mos u zemëro me të. Të lutem, Ti je i mirë! Të lutem, ki mëshirë!»

Të bëjnë përshtypje këto këmbëngulje të shenjtërve të cilët, në uratët e tyre, lypin mëshirën e Jezusit, kur e dimë shumë mirë se Jezusi është vetë mëshira. Kështu na bën përshtypje edhe pjesa e sotme ungjillore ku është një grua ajo që kërkon nga Jezusi Hirin e një shërimi të mrekullueshëm për të bijën e vet. Madje sjellja që Jezusi ka kundrejt kësaj gruaje fillimisht, është e pazakontë për Personin e Tij, Ai i cili gjithnjë është treguar i dhimbshëm me njerë­zit në vuajtje. Është e vërtetë se diçka mund të kuptohet nga mënyra se si Jezusi reagon, por besoj se arsyen e vërtetë se përse pedagogjia Hyjnore vendosi të sillej ashtu me atë grua atë ditë, nuk kemi mundësi ta kuptojmë kurrë deri në fund. Jezusi nuk sillet me ne si i vështirë as për të provuar ndjenjat tona e as sepse ia ka ënda të na shohë kah i përgjërohemi. Ajo që mund të themi me siguri është se Jezusi pret fenë e vërtetë në ne, në mënyrë që Ai atëherë të mund të veprojë më fuqishëm. E, në fakt, vetëm kur gruaja shprehu një fe të tillë, Jezusi mundi t’i thoshte: «O grua, e madhe është feja jote. Le të bëhet ashtu si dëshiron!»

Hyji, me sa duket, ka nevojë për këmbënguljen tonë për të ndërhyrë me mëshirën dhe pushtetin e Tij. Ka nevojë, sepse pret lirinë tonë që t’i hapet asaj. Ka nevojë të paktën për lutjen e ndërmjetësimit nga dikush tjetër, për dikë, siç ishte rasti i kësaj nëne për të bijën, apo rasti i Atë Piut për atë meshtarin, e shumë e shumë raste të tjera. E pret këtë ndërmjetësim, duke qenë se gjinia njerëzore është si një një familje e vetme në sytë e Tij. Edhe pse mbetet gjithnjë mister kjo nevojë e madhe e lutjes sonë dhe e lutjes së ndërmjetësisë për njëri-tjetrin, megjithatë vetë historia e shëlbimit na ka mësuar dhe vazhdon të na mësojë për efikasitetin e këmbënguljes në lutje. Fakti se nuk arrijmë ta shterrojmë me shpjegimin tonë këtë mister, nuk do të thotë se ai nuk duhet shpallur. Zbulesa Hyjnore na nxit të ndryshojmë mënyrat e të menduarit e jo të menduarit tonë të ndryshojë Zbulesën Hyjnore. Përballë fakteve e ngjarjeve të pakundërshtueshme, jemi të thirrur të ndalemi gjithnjë në kundrim të përvujtë e jo në rebelim fodull e mendjemadh.

T’i kthehemi pjesës së sotme ungjillore! Shën Mateu na tregon se Jezusi ishte vënë në lëvizje dhe kishte kaluar kufijtë e Palesitnës, duke shkuar në veriun e Tokës së Shenjtë, «në krahinat e Tirit e të Sidonit». Ishin toka të banuara nga paganë e prandaj ndodhi që pikërisht një grua pagane, «nga Kananea, që kishte ardhur nga ato anë», t’i dilte përpara Jezusit e të lypte mrekullinë. Teksti thotë se ajo «filloi të bërtasë», kaq e fortë ishte këmbëngulja e saj. «Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën.» bërtiste ajo, por çuditërisht «Jezusi nuk i përgjigji fare». Apsotujt madje ndërhyjnë duke i thënë Jezusit: «Bëja këtë nder e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!» Shumëkush komenton se kjo kërkesë e apostujve vinte nga dëshira e tyre për ta hequr qafe atë grua që po bezdiste, por në fakt teksti nuk e thotë këtë. Fakt është se ata ndërhynë. Mos ndoshta Jezusi po priste edhe ndërmjetësimin e tyre?

Megjithatë, Jezusi vazhdoi të mos jepte shenja se kishte ndër­mend ta dëgjonte: «Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.» Janë fjalë që përshkruajnë, në fakt, atë që Jezusi përgjithësisht ka bërë. Vetëm pas Ngjalljes së Tij Ai do t’i dërgonte nxënësit e vet në mbarë botën. Më parë jo: më parë ishte koha kur Jezusi duhej të çonte në vend Shkrimet e Profetëve dhe pritjen e Izraelit për Mesinë. Plus kësaj, ky saktësim i Jezusit se është dërguar vetëm për Izraelin, është edhe shenjë e një përvujtërie të thellë që Ai tregon përballë misionit që Ati i ka besuar. Ai nuk pretendon t’i sforcojë kohët e Hyjit.

Megjithatë, nga ana tjetër, Jezusi vetë ka thënë në Ungjill se ka ardhur edhe që ta japë «jetën e vet si shpërblim për të gjithë» (Mk 10, 45) dhe Ai që këtu thotë se është Bari vetëm për delet e humbura të Izraelit, vetë kishte thënë edhe se «Kam edhe të tjera dele që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm» (Gjn 10, 16). Madje vetë fakti se Jezusi ishte shtyrë deri në ato toka të banuara nga paganët, nuk ishte pa domethënie. Është e vërtetë se Jezusi, veprimtarinë e Tij tokësore e ka kufizuar kryesisht brenda kufijve të Izraelit, por shpeshherë jepte edhe shenja se ajo që Ai po bënte në Izrael, do të përhapej ndër të gjithë popujt e botës.

Gruaja nuk u ndikua aspak nga ftohtësia që Jezusi tregoi: «Ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha: “Më ndihmo, o Zot!”» Sa shpesh gjejmë gjeste të tilla nderimi të sinqertë përballë Jezusit edhe nga njerëz që nuk bashkëndajnë të njëjtën fe me ne. Shpeshherë janë pikërisht të papagëzuarit ata që marrin hire nga Jezusi, falë «nderimit» të sinqertë që ata shprehin, nderim të cilin shpesh nuk dimë ta shprehim ne që jemi “mësuar” me Jezusin. E jo rrallë nxjerrin prej Zotit hire e mrekulli të dukshme.

Por Jezusi vazhdoi edhe më rëndë me ftohtësinë e Tij, aq sa i tha këto fjalë të cilat, në pamje të parë, duken fyese: «Nuk është mirë që të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua qesësh këlyshëve të qenve!» Këtu Jezusi, në fakt, më fort se fyes, po tregohej hebre, krenar për zbulesën e bërë nga Hyji. Kaq krenar mbaheshin hebrenjtë për këtë, saqë popujt e tjerë i krahasonin si qen, kaq të mjerë ishin për sytë e tyre. Ishin shprehje të cilat, me sa duket, qarkullonin në popullatën e kohës. Por as përballë mureve që dimë të ngrejmë ne njerëzit me krenarinë tonë, kjo grua nuk e kishte ndërmend të tërhiqej: «Po, o Zot, – shtoi ajo, – se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.» Atë fjalën «o Zot», kjo grua nuk e hiqte nga goja, kur i drejtohej Jezusit. E pra, atë titull paria fetare e Izraelit e mbante për blasfemi e herezi. Kjo grua e kishte kuptuar se, në Personin e Jezusit, mund të takohej Zoti. Prandaj nuk tërhiqej përballë barrierave njerëzore, sepse e kishte kuptuar se Zoti është për të gjithë popujt. Edhe leximi i parë na sjell pikërisht njërën prej shumë pjesëve të Besëlidhjes së Vjetër ku Zoti i fton të gjithë popujt e botës që t’i afrohen Atij: «Shtëpia ime do të quhet shtëpi urate për të gjithë popujt.» «Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj, mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!», thuhet edhe në rreshtat e psalmit të sotëm. Mund të themi pa frikë se kjo grua është simbol i Kishës së Hyjit e cila, e përbërë nga hebrenj e paganë të ardhur nga e gjithë bota, do të shpallë në botë gjithnjë se «Jezu Krishti është Zot» (Fil 2, 11).

Këtu, përballë një feje të tillë këmbëngulëse, Jezusi nuk mund ta përmbajë më fuqinë e vet mrekullibërëse: «O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!» «Në atë moment u shërua bija e saj.», shton ungjilltari. Edhe kur një grua i kishte prekur plot besim fsheh­tas mantelin e Tij, Jezusi në mesin e turmës e kishte ndjerë fuqinë mrekullibërëse që kishte shpërthyer prej Tij dhe kishte thënë: «Dikush më preku, sepse e ndjeva një fuqi duke dalë prej meje.» Natyra Hyjnore e Jezusit nuk mund të rrijë pa vepruar kur “ndeshet” në fenë e gjallë. Mos ndoshta fakti se neve nuk na ndodhin shumë pak mrekulli në jetë, varet nga fakti se nuk lutemi me fe të gjallë?

Patjetër që na duhet të bëjmë shumë kujdes kur flasim për mrekulli, sepse mund të kalojmë në fanatizëm e të kërkojmë nga Zoti shenja e hire të cilat nuk kanë të bëjnë me shëlbimin tonë apo që më fort janë mënyra të ndryshme me të cilat ne e tundojmë Zotin, duke i kërkuar Atij gjëra të cilat janë edhe në dorën tonë për t’u bërë. Zoti, pastaj, edhe kur ne ia kërkojmë me çiltërsi, ka planet e veta e nuk ndihet i detyruar të na japë çfarëdo që t’i kërkojmë, sespe vetëm Ai e di me saktësi se çfarë është vërtet e dobishme për shëlbimin tonë. Megjithatë, lutjeve të sinqerta Ai gjithnjë u përgjigjet, në një mënyrë apo në një tjetër. Kurrë nuk na nis me duar bosh.

Prandaj le ta kemi shijen e lutjes në shpirtin tonë. Të lutemi jo vetëm për vete, por edhe të ndërmjetësojmë për të gjithë. Të kemi besim se Zoti nuk do të vonojë të na thotë edhe neve plot përmallim: «E madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!»

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *