VRAPONIN TË DY BASHKË…

Categories HomeliPosted on

E DIELA E PASHKËS – NGJALLJA E ZOTIT – Mesha e ditës

Vap 10, 34. 37-43; Ps 118 (117); 1 Kor 5, 6-8; Gjn 20, 1-9

Është një detaj në Ungjillin e sotëm që mund të na bëjë një përshtypje të veçantë: pasi Maria Magdalenë vjen te Pjetri dhe te ai nxënësi tjetër e u thotë: «E kanë marrë Zotërinë dhe nuk dijmë se ku e kanë vënë.», këta menjëherë dalin e nisen drejt varrit. E detaji është ky: «Vraponin të dy bashkë…».

Të shohësh dy burra kah vrapojnë nuk është diçka e zakontë. Sot mbase vetëm nëpër vendet e zhvilluara mund t’i shohësh dhe e bëjnë për përkujdesjen e fizikut të tyre, por në vendet më pak të zhvilluara kjo nuk është edhe aq “në modë”. Aq më tepër nuk ishte normale në kohën e Jezusit. Të shihje një burrë që vraponte, të bënte menjëherë të mendoje se bëhej fjalë për diçka shumë urgjente. Diçka tjetër, që të tërheq dhe që të bën të mos e marrësh parasysh atë që mund të mendojnë të tjerët për ty, të shtynte e të nguste. Lajmi që morën atë ditë dy aspotujt e Krishtit, përmbante në vetvete diçka shumë urgjente: të gjenin ku ishte trupi i Mësuesit të tyre.

Është për të na bërë përshtypje sesa e madhe ishte dashuria e tyre për Jezusin. Ata patjetër ende nuk besonin se Ai ishte ngjallur së vdekuri, por gjithsesi nuk kanë mbetur krejtësisht të shkandulluar nga vdekja e Tij në kryq. Sikur të kishin mbetur ashtu, nuk do t’u kishte interesuar më trupi i vdekur i një “mashtruesi”. Ata përsëri vrapojnë për ta gjetur trupin e Tij që e mendojnë të vdekur. Edhe pse e kanë parë kah vdiste mbi kryq, prapë nuk kanë dyshuar për vërtetësinë e dashurisë që Ai kishte pasur ndaj tyre, prapë nuk u është zhdukur ajo flakë e shenjtë të cilën fjalët e Tij kanë ngjallur brenda tyre, prapë nuk është u zhdukur bindja se Ai ishte vërtetë i dërguari i Hyjit. Është e vërtetë se për ta Kryqi ishte i pakuptueshëm, një mister, por jo shkandull. Ky vrapim i tyre  bën të shfaqet tërë dashuria e tyre për Jezusin, edhe pse (sipas tyre) ishte i vdekur.

«Vraponin të dy bashkë… »: dy burra, me moshë të ndryshme njëri prej tjetrit. Pjetri dhe nxënësi tjetër. Ka shumë mundësi që nxënësi tjetër të ishte vetë Ungjilltari që e tregon këtë histori, Gjoni, e ky mendohet se ishte mjaft i ri, prandaj arrin i pari të varri. Por të dy, kush më shpejt e kush më ngadalë, vrapojnë drejt një caku të përbashkët. Ata nuk e dinin se ky cak (atë ditë e në vazhdim, gjatë gjithë jetës së tyre) do të ishte edhe pika e tyre e nisjes për një vrapim tjetër. 

Pastaj Ungjilli thotë se apostujt hynë në varr. Pjetri hyri i pari. Pastaj hyri edhe «ai nxënësi tjetër» dhe «pa e besoi». Përse thuhet se «besoi»? Çfarë «pa»?

Pa atë që kishte parë edhe Pjetri. Ungjilli thotë: «Ndërkaq mbërriti edhe Simon Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna dhe rizën që pati qenë në krye të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.». Pikërisht pozicioni i këtyre pëlhurave ishte i “çuditshëm”: prej tyre kishte dalë një trup njeriu, por nuk linte vend për të menduar se, për nxjerrjen e tij prej atyre pëlhurave që mbështillnin krejt trupin, mund të kishte dorë një person i dytë. Me fjalë të tjera, pëlhurat nuk ishin të zgjidhura, por ishin ashtu siç kishin qenë me trupin e Jezusit brenda, veçse të shfryra. Praktikisht Jezusi kishte dalë prej këtyre pëlhurave pa i zgjidhur ato. Trupi i Tij i Ngjallur ka depërtuar përmes tyre. Pjesë të tjera të Ungjillit tregojnë se Jezusi pas Ngjalljes së Tij hynte në dhomën ku gjendeshin apostujt, edhe pse dyert e shtëpisë ishin të mbyllura. Trupi i Tij tashmë ishte i mbushur me lavdinë e Ngjalljes dhe nuk ishte krejt siç kishte qenë para saj. Kështu ka kaluar edhe përmes pëlhurave.

E vetmja copë që dallohej se mbi të kishte vënë dorë një njeri, ishte «riza që pat qenë në krye të Jezusit». E ungjilltari për këtë copë thotë jo pa qëllim: «Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palisur në një vend.». Nëse një hajdut do të kishte hyrë për të vjellë trupin e Jezusit, nuk kishte asnjë arsye që t’ia hiqte rizën nga koka e aq më tepër nuk i shkon e bija e mendjes të ulet e ta palosë atë. Prandaj, i vetmi shpjegim i logjikshëm i gjithë asaj që po shikonin apostujt, ishte se Trupi i Jezusit kishte dalë mrekullueshëm nga ato pëlhura dhe, vetë Jezusi, kishte palosur rizën që kishte pasur në kokë dhe e kishte lënë aty, para se të largohej i gjallë nga varri.

Pikërisht kjo ishte gjëja që e kuptuan apostujt kur panë atë pozicion të pazakontë pëlhurash. Panë dhe besuan se vërtetë Jezusi ishte Ngjallur së vdekuri.

E, këtë ngjarje të jashtëzakonshme, ata do të vraponin pastaj për t’ua treguar të gjithëve, duke rendur nëpër rrugët e botës. Vrapimin do ta përfundonin vetëm me vdekjen e tyre. Veçse, në këtë vrapim të dytë, nuk do të jenë më në kërkim të kufomës së Jezusit të vdekur, por në shpalljen e Ngjalljes së këtij Jezusi, i cili ua kishte pushtuar zemrën qysh me kohë, qysh gjatë veprimtarisë së Tij publike, por që, pastaj, do t’ua pushtonte edhe më fort zemrën kur do ta takonin të Ngjallur së vdekuri, duke e parë, duke e dëgjuar, duke e prekur dhe duke ngrënë e pirë me Të.

Shën Pjetri do ta shpallë tashmë Jezusin e Ngjallur pa frikë. Leximi i parë sot na sjell një pjesë të Veprave të Apostujve ku është pikërisht Pjetri ai që shkon në shtëpinë e një romaku me emrin Kornel dhe i shpall se Krishti është Ngjallur: «Hyji e ngjalli të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë, jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar, neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej së vdekurish. Ai edhe na urdhëroi t’i predikojmë popullit e t’i japim dëshmi se Jezusi prej Hyjit është caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve.».

Fryt i vrapimit të tij janë patjetër Kishat që ai duhet të ketë themeluar si edhe dy letrat që ua shkroi këtyre Kishave. E vrapimin e tij Pjetri do ta përfundonte në Romë, atje ku do të martirizohej së bashku me shumë të krishterë të tjerë në vitin 64. Në fund të këtij vrapimi ai do të dëshironte t’i jepte nderimin e fundit Atij që ia kishte pushtuar zemrën e që Ngjalljen e të cilit e kishte shpallur kudo pa mëdyshje. Pjetri kërkoi që kryqin, në të cilin do ta gozhdonin, ta sillnin me kokë poshtë, shenjë se dëshironte të vdiste duke e nderuar e adhuruar Zotin e vet të dashur, Jezu Krishtin. Mbase pikërisht një martirizim i tillë ishte shenjë se Krishti i Ngjallur po e shfaqte sërish pushtetin e Tij mbi vdekjen, duke bërë që ky apostull i Tij ta përdorte edhe atë, vdekjen, si një rast në të cilin mund t’ia shprehte dashurinë e tij Zotit të vet.

Ndërsa Gjoni apostull do ta predikonte Krishtin në zonat e Turqisë së sotme. Ai do të jetë i vetmi apostull që do të vdesë në mënyrë të natyrshme, por pas një jete të kaluar mes shumë vështirësive. Edhe atij do t’i duhej ta shpallte Krishtin e Ngjallur në përleshje të vazhdueshme me përndjekjet e ashpra që ushtritë romake ushtronin edhe në ato zona kundër të krishterëve. Por nuk do t’ia ndalnin kurrë vrapimin. Ky vrapim, i filluar në moshë të re, do të japë frytet e veta: përveç themelimit të bashkësive të krishtera që ai patjetër duhet të ketë bërë, janë edhe Ungjilli i tij tejet i thellë, tri letrat e tij të drejtuara Kishave të ndryshme dhe Zbulesa, libri i fundit i Besëlidhjes së Re. Kur vrapohet për të shpallur Ngjalljen e Krishtit, frytet gjithnjë janë të shumta.

Po ne, sa prej këtij vrapimi kemi në jetën tonë? Nëse vërtet besojmë në Ngjalljen e Krishtit, do të shihet edhe vrulli që merr jeta jonë. Jeta merr një hov, burimi i të cilit është pikërisht Jezusi i Ngjallur. Ai na bën të mos shohim se ç’do të mendojnë të tjerët për këtë vrapim (përshembull kur shohin se lutemi, se marrim pjesë në meshë, se rrëfehemi, se praktikojmë mirësinë dhe bamirësinë, se arrijmë të falim edhe armikun, se nuk ngjitemi pas parasë apo pas pushtetit, se jemi të matur në gjykimet e fjalët tona, se vendimet i marrim vetëm duke u bazuar tek besimi ynë në Zotin, se as vdekjet e fatkeqësitë nuk na e shuajnë shpresën e harenë në jetë), por të shohim vetëm drejt Tij, drejt Jetës. Nëse nuk ndodh kështu, do të thotë se ende nuk besojmë në Ngjalljen e Tij, do të thotë se ende jemi «brumë i vjetër», siç thotë Shën Pali sot në leximin e dytë: «Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri!». E ja ç’do të thotë kjo më konkretisht: «Le të kremtojmë, jo me tharmin e vjetër, as me tharmin e zemrës së keqe e të ligësisë, por me bukën e pabrume të pastërtisë e të së vërtetës!». Ai që nuk ka ndryshuar jetën, që vazhdon sipas një zemre të keqe, që thur plane pa marrë parasysh se është i krishterë, që sjell të keqen në shoqëri e që nuk lufton me vetveten për të kultivuar pastërtinë e zemrës në jetë, dëshmon qartë se nuk beson në Krishtin e Ngjallur. Ndoshta me fjalë nuk e mohon këtë Ngjallje, por me jetë – po.

T’i kërkojmë Jezusit, pra, që të na ndihmojë edhe ne t’i besojmë Ngjalljes së Tij prej së vdekuri. T’i kërkojmë që kjo Ngjallje e Tija ta pushtojë zemrën tonë. T’i kërkojmë që ta nxisë edhe brenda nesh atë zjarrin e shenjtë që pastaj do të na shtyjë «të vrapojmë» për ta shpallur e dëshmuar këtë Ngjallje. Pastaj, kur të vijë edhe për ne mbarimi i këtij vrapimi, Ai do të na bëjë pjesëmarrës të lavdisë së Ngjalljes së Tij. Këto dëshira qofshin brumi i ri që e brumos tërë jetën tonë!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *