MERRNI ZGJEDHËN TIME… UNË DO T’JU ÇLODH!

Categories HomeliPosted on

E DIELA XIV GJATË VITIT A

Zak 9, 9-10; Ps 145 (144); Rom 8, 9.11-13; Mt 11, 25-30

«Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh!». «Ejani» thotë Jezusi e ne të gjithë jemi gati ta ngrejmë dorën e të themi: «Po vij edhe unë, edhe unë, edhe unë». Kjo sepse secili prej nesh, në një masë apo në një tjetër, e ndiejmë se kemi nevojë për çlodhje, ngaqë, në një formë apo në një tjetër, e ndiejmë se na rëndon mbi shpatulla ndonjë barrë e rëndë.

I godituri nga pikëllimet dhe vdekjet, do të strukej në prehrin e Jezusit për të lypur pak ngushëllim; i dërrmuari nga sëmundjet do të kërkonte shërim; i përndjekuri në trup e në shpirt nga padrejtësitë e ndryshme, do të lypte drejtësi; ai që kërkon disa përgjigje në jetë, mungesa e të cilave nganjëherë turbullon e shkakton edhe ankth jo më pak të rëndë se ato që përmendëm më sipër, do të kërkonte pak dritë; mëkatari do të dëshironte ta mbështeste kokën në prehrin e Jezusit për t’u ndierë edhe një herë i falur, i dashur, i pastër… E kështu të gjithë me radhë.

Por, në Ungjillin e sotëm Jezusi vazhdon me këto fjalë: «Merrni mbi vete zgjedhën time!». Është shumë domethënëse një fjali e tillë, sepse duket sikur Jezusi vë në kundërshtim me njëra-tjetrën barrën e rëndë që na lodhte më parë dhe zgjedhën e Tij, e cila sjell çlodhjen. Si të thoshte se shkaku i lodhjes sonë gjendet në faktin se ne mbartim pesha të cilat nuk na janë dhënë prej Tij.

E kjo është e vërtetë. Duke iu drejtuar edhe një herë rasteve që përmendëm më sipër, mund të ndodhë që, ai i cili është i goditur nga pikëllimi i vdekjes, të lodhet tepër ngaqë po e përballon vdekjen ashtu si nuk na ka mësuar Krishti, duke e harruar shpresën e krishterë. I sëmuri, edhe pse nuk bën gabim që i kërkon Jezusit shërim, gjithsesi nuk duhet ta lërë mënjanë mundësinë që, nëpërmjet asaj sëmundjeje, Zoti mund të ketë në plan të arrijë rezultate të tjera për shëlbimin e vetë të sëmurit dhe të botës. Ai që pëson padrejtësi, duhet ta dijë se nuk është zgjedhë e Krishtit të shtrydhet e të ndrydhet nga zëmërimi për të keqen e pësuar. Kjo është barrë e jona. Zgjedhë e Krishtit është largpamësia, zemër­gjerësia, maturia, lutja për atë që të përndjek dhe falja. Këto na bashkojnë me Krishtin, ato të tjerat jo. Apo ndoshta nuk e kemi fort për zemër dëshirën për t’u bashkuar me Krishtin?

Mëkatari, duke vrapuar te Krishti, të jetë i sigurt për faljen e Tij. Por duhet të ketë kujdes dy gjëra: së pari që të mos e mbajë kokën pas në të kaluarën e tij duke e qarë pandërprerë mëkatin e vet, sepse kjo nuk është zgjedha e Krishtit. Krishti do të dëshironte vrullin drejt së mirës dhe drejt bashkimit me të. Së dyti, njëkohësisht, të mos e harrojë mëkatin e vet: kjo do ta ndihmojë të jetë i vetëdijshëm për dobësinë e tij, do ta ndihmojë të jetë i përvujtë, të jetë i mëshirshëm me mëkatarët e tjerë, vigjilent për rastet e tjera dhe ta falënderojë Zotin që i ka dhënë Hirin e largimit nga ajo rrugë ku ishte nisur.

Vazhdon Jezusi: «Pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i për­vujtë!». Besoj se kemi arritur në zemrën e leximeve të sotme. Në leximin e parë, Zoti thotë nëpërmjet profetit Zakari: «Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit, galdo, Bija e Jerusalemit! Ja, mbreti yt, po vjen te ti: është i drejtë e Shpëtimtar, por i përvujtë e në shpinë të gomarit, në shpinë të gaçit, zogut të gomarit». Gomari në atë kohë ishte “mjeti i transportit” për të varfërit, ndërkohë që, për të pasurit ishin kuajt e karrocat. Prandaj edhe teksti vazhdon kështu: «Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën, kalin nga Jerusalemi.». Pra: do të lihen mënjanë shenjat e madhështisë e do të parapëlqehen ato të përvujtërisë. Në hyrjen e tij kremtore në Jerusalem, Jezusi zgjodhi pikërisht një gomar për të hipur mbi të. Teksti i leximit të parë, pra, na tregon se Hyji ynë është Hyj i përvujtë. Këtë përvujtëri të veten Ai na e ka treguar duke u bërë njeri i varfër, i thjeshtë dhe i lehtë për t’u takuar. «Zoti është vetë butësia e mëshira, / i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri. / Zoti është i mirë për të gjithë, / i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.» brohoret i gëzuar autori i psalmit të sotëm.

Është shumë e rëndësishme që edhe ne të jemi të përvujtë. Nëse duam të takojmë atë që është i Përvujti absolut, duhet që edhe ne ta kemi përzemër përvujtërinë. Nëse jemi plot me vetveten, plot me egoizëm, nuk do të dimë të biem kurrë në sintoni me Hyjin tonë të përvujtë. Këtë na e dëshmon edhe fillimi i Ungjillit të sotëm, ku Jezusi brohoret: «Po të bekoj, o Atë, Zotëruesi i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit e ua zbulove të vegjëlve. Mirë, o Atë, pse ty të përlqeu kështu!». Para se të shqiptojë këto fjalë, Ungjilli i Mateut tregon se si Jezusi ishte duke folur për nevojën e kthimit kah Hyji, për nevojën e kapjes së shenjave të pranisë së Hyjit në jetën e botës dhe për shëlbimin e amshuar që kjo sjell. Por ata që mbahen si të mëdhenjtë e kësaj bote, nuk e vrasin mendjen për këto gjëra. E pra, për jetën e pasosur duhet menduar seriozisht. «Qëllimi i jetës së njeriut është të shohë Hyjin në Parajsë.» theksonte pa frikë në shkrimet e tij Shën Toma i Akuinit, teolog e filozof absolutisht i madh, që vetëm në këtë të vërtetë e shihte të realizuar njeriun.

Ka shumë njerëz në këtë botë që dijnë të bëjnë biznes, dijnë të bëjnë politikë, të fitojnë para andej e këndej, të njohin në hollësi se si funksionojnë ligjet e natyrës e të kozmosit, por që shpërfillin të jenë të përvujtë, të thjeshtë, njerëzorë. Janë të kapur kaq fort pas këtyre ideve, saqë kujtojnë se në to do të gjejnë kuptimin e jetës. Por janë tepër të mjerë këta njerëz, sepse kuptimi i jetës së njeriut gjendet në diçka tjetër, në bashkimin e lum me Hyjin në Parajsë.

Gjëja që është edhe më e madhe e që duhet të na bëjë të mendoj­më shumë, është se vetë Hyji u fshihet këtyre njerëz dhe shkon e u zbulohet të vegjëlve, të thjeshtëve, të përvujtëve: «I fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit e ua zbulove të vegjëlve». Ah, sikur këta njerëz t’i ruanin të gjitha ato aftësi të bukura që kanë, por duke mos harruar përvujtërinë! Sa shumë do të merrnin nga Hyji!

«Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj.»: vetëm kështu njeriu gjen pushim. Po kur do të na mbushet mendja se pushimin njeriu (duke filluar qysh në këtë jetë) do ta gjejë vetëm kur të fillojë të pëlqejë gjërat e përvujta më fort se madhështitë?

Vazhdon Jezusi: «Sepse, vërtetë, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.». «E ëmbël». Një ndër shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt, që marrim në krezmim, është edhe dhurata e urtisë. Kjo nuk ka për qëllim që të na bëjë më të mençur se të tjerët në aspektin intelektual, por na bën të aftë të ndiejmë kënaqësi në gjërat e Hyjit. Na bën ta shijojmë Hyjin. Kur dëgjojmë Fjalën e Tij, kur bëjmë vullnesën e Tij, kur marrim sakramentet me devocion, kur përqeshemi apo për­ndiqemi se i kryejmë të gjitha këto: në të gjitha na shoqëron njëfarë kënaqësie, një farë ëmbëlsie në shpirt. Është Shpirti Shenjt që, zgjedhën e Krishtit, na e bën të ëmbël. Prandaj Shën Pali, në leximin e dytë, thotë: «Vëllezër, ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por në atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banoni në ju». Në disa shenjtër, kjo shije e ëmbël prekte edhe shqisat trupore. Shën Françeskut të Asizit, përshembull, i ndodhte deri edhe që të lëpinte buzët kur përmendte emrin e Jezusit, kaq ëmbëlsi i shkaktonte në shpirt e në trup një gjë e tillë.

«E lehtë»: po, sepse është zgjedha e Tij e jo barra e jonë. Kur Ai na jep zgjedhën e vet, na jep edhe Hirin që ta mbartim atë, aq sa të na duket deri edhe e lehtë. Të martuarit e kanë më «të lehtë» martesën dhe të qenit prindër, ngaqë Hiri i martesës, i dhënë atyre në sakra­ment, fillon të veprojë dhe nuk resht kurrë së vepruari në ta. Të kushtuarit do të kenë «të lehtë» kushtimin e tyre ngaqë Hiri, të cilin Hyji e përgatit pikërisht për ta, do t’u vijë në ndihmë. E pastaj, edhe në jetën e përditshme, në varësi të detyrave që na duhet të marrim përsipër, ekziston edhe një hir i posaçëm që lehtëson dhe ëmbëlson gjithçka, edhe pse, patjetër, nuk na e zëvendëson shpirtin e sakri­ficës e të përkushtimit që duhet ta kemi gjithnjë.

Pastaj ka edhe shembuj të tjerë tejet të fortë që tregojnë se deri në ç’pikë Krishti mund ta bëjë «të lehtë zgjedhën e tij». Në vitin 1535, Shën Tomë Mori, ministri i famshëm i mbretit anglez Enriku VIII, qe dënuar me vdekje ngaqë nuk pranonte të mohonte primatin e Papës në Kishë. Në çastet kur po e ngjitnin në podiumin e gijotinës ku do t’i pritej koka, ai i kishte thënë me humor xhelatit që po e shoqëronte: «Më ndihmo të ngjitem, se për të zbritur do të zbres vetë». Duke ia lejuar vetes pak fantazi këtu, mund ta imagjinojmë lehtë xhelatin se si nuk arrin ta kuptojë domethënien e një kërkese kaq të çuditshme e cila, në fakt, nuk kishte asnjë kuptim tjetër përveçse të ishte thjesht një batutë humori. Një batutë humori… në ato çaste!

Ta lusim, pra, Jezusin dhe ta lejojmë Atë që të na e «mësojë» edhe ne përvujtërinë e Tij. Ta pranojmë në këtë jetë «zgjedhën e Tij» e të mos i ngarkojmë vetes zgjedha që nuk janë të Tijat. Kështu, Ai do të na japë «pushim për shpirtrat tanë» e… do të na «çlodhë».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *