Dom Zef Gilaj meshtar dhe njeri kulture

Categories FamulliaPosted on

Gjovalin Çuni

Me rasë të 20-vjetorit të kaluemit në amshin të Dom Zef Gilës, ish-famullitar i Famullisë së “Shna Rrokut”, Rranza-Bushat, famullitari aktual Dom Dritan Ndoci më bâni nji ftesë me shkrúe pak fjalë mbi figurën e ndritshme të Dom Zef Gilës. Natyrshëm kur të afrohet një punë, para se me e fillue, njeriu fillon túj llogaritë forcat e veta. E para pýetje që të shkon ndër mend âsht:  Â e “ndiej vedin të aftë e kompetent me zbërthýe vlerat e tij”, mbasi Dom Zef Gilaj kje nji ndër fatosat e fesë dhe të përparimit katolik.

Fatmirësisht falë lidhjeve familjare me familjen e Zef Harapit-Rrotani, njoh mirë Rranxat, ambientin ku punoi dhe jetoi Dom Zefi, kishën e Shën Kollit, por edhe të Shna Rrokut atje në kodër; e kujtoj atë meshtar që me ftyrë kah elteri thoshte, siç ishte zakoni, meshën në latinisht, e kisha plot njerëz, fëmi, burra e gra që lutshin pa prâ, para dhe gjatë tanë meshës, Rruzaren, e uratët e kndueme, “Unë prej Zotit jam i kshtenë”, “Jeta shkurtë e deka e saktë”, “Mendo mire, o njieri i shkretë, pse t’ka vu Zoti n’ket jetë”, kangët e meshës etj. Kaq e vlerësonte Dom Zefi ketë mënyrë të lutunit, sa që edhe mbas hapjes së kishave në vitet 1990, nënvizonte se njikëto uratë s’durojnë me ja nderrue nji fjalë, as me ua shtue, as me ua mungue; janë ba tradicion i fesë e Kishës në Shqipni e kanë hy në tradicionin e madhe të Fesë.” [1]

Dom Zefi kje ndër mâ të mbramët e meshtarëve të shuguruem para vjetit 1944, kësisoj ai ishte shok dhe bashkudhëtar, por edhe vijues i punës i priftave të shquem, nji pjesë tâshmá edhe të Lumë, si Dom Egjell Deda, seminaristi Mark Çuni etj. Dom Zefi kje moshtar e bashkëvëlla, në tanë periudhat e studimit, por edhe të shërbesave famullitare, me axhën tem Dom Pjetër Çunin, edhe ky tashma i Lumë”, që edhe e përmendë në ligjëratat e tija. [2]

Jeta dhe vepra e Dom Zefit, me nismën e Dom Marian Gegës, âsht e përmbledhun nën kujdesin e Palokë Rrotani, qysh në 2005-n, por prap mundena me bâ interpretime, ose me u shtúe edhe ndonjë gjâ që del së fundmi, nga shqyrtimi i dokumentave dhe librave të rij. Natyrshëm ka rrjedhë shumë kohë jo vetëm prej shërbimit, por edhe prej vdekjes së Dom Zefit, por gjithsesi, siç shkruente Át Anton Harapi, koha qi rrjedh, ka kuptimin e vet në lidhní me të kaluemen e me t’ardhmen.

Meshtari

Dom Zef Gilaj, âshtu si mësuesi i tij Ndré Zadêja: tâna aftësitë e tija mendore dhe fizike ia kushtoi misionit fetar meshtar-famullitar. Në gjykimin e tij, meshtari asht “Alter Kristus”–Krishti i dytë, jo vetëm i shuguruem prej Zotit ..,… por asht i thirrun, “për të instruktue popullin e për ta udheheqë tuj zbatue ai vetë tri detyra: përvetsimin e shkrimit te shejtë, Testamentin i vjetër dhe Testamentin i ri, sidomos Unjillin, spjegimi e katekizmit etj., liturgjia-Mesha shejte, në të cilën Krishti asht vetë meshtar dhe kurban njiheri, ndigjesën hjerarkike ndaj Ipeshkvit, gja që nuk e zbatonin të gjithë priftërijtë.[3]

Sa del nga shqyrtimi i dosjeve penale në ngarkim të Dom Ded Malajt[4] e Ernesto Çobës,[5] në fshehtësinë e kohës, Dom Zefi, duhet të jetë vú në dijeni me vendimet e Koncilit II të Vatikanit (1962-1965) që kishte si qëllim “ripërtritmjen e Kishës” e që kërkonte që mesha me ú thanë me ftýrë prej popullit, në gjuhën amtare, si dhe besimtarët me marrë pjesë në meshë, s’bashku me priftin, por mesa duket, përsa kohë që nuk kishte mundësi me mbrrijtë një dokument zýrtar prej Selisë Shejte, njikto vendime nuk i zbatoi, për mâ tepër që në popull, tradicioni ishte i fortë. Siç dihet, ai ishte njeri i matún që pyette me dijtë e flitte pak, ma tepër, siç deklaronte Dom Dedë Malaj, kërkonte me ble[6].

Dom Zefi nuk ishte thjesht një meshtar shembullor, i primun drejt Shejtinisë; që njihte mirë, jo vetëm, teologjinë dhe filozofinë e kshtenë, (mori titullin në Kolegjin Urbanian të Propagandës Fide-s Romë, “Magna cum laude”- shqip: “I denjë për shume lavd”)[7], por edhe nji misionar në ruejtje të fesë si nji element identiteti i popullit tonë,[8] gjithnji tûj mos e humbë asnjiherë orientimin, përpara klerik e mandej luftëtar për komb.

.. Budi, Bardhi , Kazazi, …Dom Ndré Mjeda, Atë Gjergj Fishta,…Atë Shtjefen Gjeçovi ishin të gjithë fetarë, poetë e historianë. Pra siç, shihet, Dom Zef Gilaj, së pari nënvizonte që të mëdhejt e kombit tonë ishin fetarë[9].

Famullitari

Siç na pohon vetë, erdhi në Shqipni sa mbaroi shkollën, (1941) [10]në kohnat e vështira të Luftës së Dytë Botnore, me fillue rrugën e gjatë të famullitarit për 57 vite[11]. Mbâs disa shërbimeve në Shkodër e Beltojë; për 11 vjet, si i përzgjedhun mes tânë nxânësve të Seminarit Papnuer të Shkodrës, nga ish-pedagogu i tij Dom Ndre Mjeda, shërbeu si famullitar në Kukël, për me çue mâ tej punën e fillume prej âtij.

Rasti i shpëtimit të jetës së njerëzve në Barbullush nga hakmarrja e gjermanëve, ia vlen me u evidentue me hollësi si një rasë unikale, nji mrekulli e Zojës, Pajtores së Barbullushit, por edhe një rasë që meriton mirënjohjet mâ të nalta nga ana e hjerarkise fetare dhe qeveritare. Ásht nji rasë shumë e veçantë që mund të bâhet edhe fabula e shkrimeve letrare, pse jo edhe skenar filmash, bazue në ngjarje të vërteta. [12]

Shërbimin mâ të gjatë si famullitar tûj shërbýe mbi 20 vjet gjatë diktaturës e mbas viteve ’90 të shekullit që porsa kaloi, i pati në famullinë e Shna Rrokut- Rranza. (Bushat). Para tij si famullitar ishin ndër të tjerë edhe Dom Nikollë Ashta, i Lumi Dom Ejll Deda (1943-1945),[13]dhe Dom Mhill Çuni, që e zëvendësoi.

Kjo famulli, nga Arqipeshkvia e Shkodrës cilësohej si “dekanat i shquem, qëndër e besimit katolik ndër shekuj[14]”. Edhe vetë Dom Zefi e kuptonte rândësinë e kësaj detyre tek i vlerësonte banorët e zonës, si: “populli fisnik, fetar…, besnik, inteligjent, me intelektualë seroizë, mikpritës e bujar me prirje artistike, me matuni e pjekuni burrnore, i shquem për harmoni e mirëkuptim fetar…”[15]

Kâhdo kah e solli detýra, siç shkrunte Çesk Buzukja, në vjetin 2005, njohu mirë e studioi familjet e çdo katundi e të çdo vendi. Në Kukël shkroi prejardhen e banorëve të atyne anëve e madhështinë e dom Ndre Mjedës; në Barbullush shpëtoi popullin pa u pushkatue; në Rranxa, në Bushat, në Melgushë e në Mal të Jushi, studioi doket e zakonet e mira e i përgjithësoi.[16]

Ashtu si tanë meshtarët, edhe Dom Zefi vuajti pasojat e komunizmit lindor të aplikuem në Shqipni, fill njat’herë kur “pushteti u ba dhunë”. Kjo vértetohet jo vetëm në pohimet e tija, por edhe në shkrimet që na kanë lanë priftat tâshma të kâluem në amshim, që “rrnuen vetëm për me tregue”, si Ipeshkvi Zef Simoni,[17] Atë Konrad Gjolaj[18] e Atë Zef Pllumi.[19]

Për pesedhet vjet-shkruen Dom Zefi-kemi vujtë nën komunizëm kush ma shumë e madje së tepërmi, kush ma pak, simbas kandarit të vet secili”. [20]

Kështu ai akuzohej e keqtrajtohej qysh në vjetin 1948, se kishte “mbajtë si miq tre ushtarë fashista italianë”; në moshën 35–vjeçare arrestohet dhe mbahet për nji vjet izolim në burgun gjerman te Gestapos në Shkodër, i njoftun për torturat, e mâ pâs u dergúe në kampet e përqëndrimit në Tepelenë e vende të tjera ku qendroi 5 vjet.[21] Kujtimi i mundimeve të Krishtit e bânte të fortë.

Në jetën e kishës, një moment shumë i randësishëm asht qëndrimi ndaj Statusit të Kishës Katolike, në vitet 49-51, kú kërkohej nga Shteti Komunist krijimi i një Kishe Kombëtare (Autoqefale) të pamvarun nga Vatikani. Duhet hulumtue e studiue mâ tepër në këtë drejtim, sâ i takon veprimtarisë së Dom Zef Gilës. Dom Dedë Malaj, i pyetun nga hetuesit në vitin 1959, rreth bisedave me Dom Zef Gilën, pohonte se Dom Zefi i kishte thanë: se e kâ kundërshtue praninë e tij në komisionin, e hartimit të Projekt-Statutit, që kishte me ju paraqit Qeverisë, e si një ndër ata prifta që e kanë kundërshtue këtë Statut, edhe e kanë arrestue [22]. Që të ketë kenë në grupin hartues të Projekt-Statutit, varianti i parë, verteohet lehtësisht nga një foto e grupit organizator, e paraqitun prej Dom Ndoc Nogajt, në librin: “Kisha katolike shqiptare 1944-1990. Humbje dhe fitore”. Fotoja që evidenton edhe Dom Zef Gilën me të tanë priftat që hartuen Projekt-Statutin e Parë, i takon vitit 1951, kohë kur dom Zefi nuk ndodhej në Shkodër, pasi ishte i arrestuem e internuem qýsh në vitin 1950. Me këtë rasë mund të hamendsohen dý gjana. E para, Projekt-Statuti mund me kenë hartue në msheftësi qýsh në vitin 1950, (për me i paraprí së keqes) e fotoja i takon këtij viti, por âsht publikue në vitin 1951, ose në të kundertën, Dom Ndoc Nogaj ka ngatërrue datë.[23] Ma vonë figura e Dom Zefit nuk shfaqet askund. Ai dënohet me jetue në internim dhe si i tillë firma e tij nuk shënjohet të jetë në listën e priftave që nënshkruen Statusin e Kishës Katolike.

Át Zef Pllumi túj shkrue mendimet e tija rreth kësaj situate të Kishës, duket se i avancon hamendsimet tuj krijúe idenë se Dom Zef Gilaj ishte planifikue prej Shtetit për t’u largue patjetër nga grupi i hartuesve të Projekt-Statuteve të Kishës Katolike, në gjykimin personal, si njeri prej priftave me përgatitje të naltë teologjike e dogmatike.

 “Mbasi bisedimet Shtet-Kishë ose Tuk –Padër Marin (Sirdani) nuk ecen asnji gjurmë para, Byroja politike ia lëshoi në dorë Mehmet Shehut e Tukun e mënjanoi. Mehmeti, si ai, e muer punën më gjoks. Jo vetëm që shtini në burg Patër Marinin e nuk dihet ku asht, por për me shti terror, çoi në internim edhe Dom Zef Gilën, Át Ferdinand Palin e Át Viktor Volajn”[24].

Nga sa lexohet mâ sipri, asgja nuk i mbetet râstësisë. Së bashku me Át Marin Sirdanin, i caktuem nga Kisha me udhëhjekë bisedimet me Shtetin, për Statutin e Kishës Katolike, arrestoheshin edhe dy nga meshtarët më të përgatitur nga radhët e meshtarëve shqiptarë: Dom Zef Gilaj e Át Viktor Volaj. Ideja e hjedhun mbështetet edhe nga prifta të tjerë të cilët veçojnë vetëm Át Ferdinand Palin që, përveç meshës, nuk i duhet gja kurrkujë. [25]     

Pas mbylljes së kishave, në vitin 1967, ai u vendos në Shkodër, “tuj ba punë të randa, tuj jetue në një shtëpi, në nji dhomë të vetme, në nji bodrum, tuj u shërbye prej dy motrave gjaku e motra stigmatine, motër Mikelina e motër Marta.[26]

Pamvarësisht kohës, që me të drejtë e cilësonte “koha e antikulturës”, ai mbeti famullitari i Rranxave, mbasi si njeri qe kishte krye filozofi, kuptonte nji gjâ, që komunistat s’e kuptonin: Kishâ asht institucion publik fetar e prifti mbarështrues e njâshtu si shteti që nuk mund të zhduket as kisha jo, pra i shërbeu fshehtas njerëzve me sakramente të ndryshme.

Meshtari i kulturës

Dom Zef Gilaj ishte një meshtar me përmasa jo të zakonshme kulture dhe krijimtarie. Si ish- nxënës i Zadejës dhe i Mjedës, ai ka me e përshfaqë talentin e tij që në moshë të re përmes artikujve të botuem në revistën “Kumbona e se Diellës”, [27]e në organe të tjera. Një pjesë e krijimtarisë së tij mbeti në dorëshkrim për me pa dritën e botimit, mbas viteve 1990, siç ishte poema e cungueme, “Nana Shqipni”, [28]në gjykimin tem me frymëzime mjedjane.

Dom Zefi ishte jo vetëm nxanës, por edhe mik i personaliteteve të mëdha kulturore–fetare, mes týne edhe Fishtës. Në vitin 1996, na ka lanë në fletët e revistes “Hylli i Dritës”, shkrimin: “Me At Gjergj Fishtën Akademik”.[29]  

Dom Zefi ishte një pikë referimi për Mjedën dhe studimet mjediane. Me të drejtë Mentor Quku i quante këto njerëz “arkivë e gjallë”. Edhe Mark Gurakuqi[30] vlerësonte shumë dijet e tija të kësaj fushe, ndaj edhe e takonte shpesh.

Dom Zefi, kujtonte shpesh orët e mësimit me Mjedën dhe analizën që vetë ai i bânte veprave të veta, tuj theksúe se Mjeda nuk ishte kurrë i knaqun për shkrimet e tij. Për “Juvenilen” na thoshte: “Sikur të kishe mundësi më pasë energjinë e hovin e rinisë, do t’i bajshem ndryshime. Poemën “Andrra e jetës” na e lexonte shpesh. Leximi i tij ishte një koment ne vehte. Si ndërronte shprehja fëtyrës së tij, kur lexonte “Andërrën e Jetës”! Edhe vjershën e Pal Moretit e lexonte shpesh, si edhe atë të mërgimit“I tretuni[31].

E unë besoj se edhe Dom Zefi i gjasonte mësuesit, ndërsa nuk ndigjonte me botue shkrimet në të gjallë të tij. Kur Palokë Rrotani, (njohës i mirë i shkrimeve të Dom Zefit) e pyette: A mund t’i botoj në ndonji gazetë a revistë këto që më treguet?[32], ai i gjegjej: “Për hatër jo, Këto mund t’i botosh vetëm mbas vdekjes seme”. E Paloka ia mbajti fjalën. Puna e kryeme si redaktor në grumbullimin sistemimin, redaktimin e botimin, âsht një peng i výer tâshma i realizuem mâ së miri prej tij.

Kulmin e veprimtarisë krijuese Dom Zef Gilaj e pati mbas viteve 1990, ku, siç duket, donte me shfrye “dufin” që kishte mbajtë përmbrenda gjatë 50 vjetëve komunizëm. Ligjëratat e tija të mbajtuna në ambiente fetare dhe laike, mes týne edhe në Universitetin e Shkodrës, e bâjnë atë mâ tepër, se “një pikë e atij lumi vërshues meshtarësh të kulturuar[33]”, që ka pasë Kisha jonë shqiptare. Ligjëratat të ngjasojnë me njâta që mbante në vitin 1937, Át Anton Harapi me qarqet intelektuale të Korçës.

Thelbi i ligjeratave të Dom Z. Gilës ishin: feja nuk pengon, përkundrazi, ndihmon çdo aktivitet shkencor, kulturor e politik e pa frymzime fetare, çdo gja ka me mbete në terr, në paganizëm.[34]

Në fund ishte kënaqësi përkujtimi i njenit prej meshtarëve intelektualë të Kishës Katolike, që dha ndihmën e vet në “ndërtimin e mbretnisë qiellore të Zotit në tokë”.[35]


[1] Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f.72.

[2] Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f.59.

[3]Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f.71-78.

[4] Dede Malaj (1917-1959). Famullitar në zonën e Dajçit, pushkatuar në vitin 1959 nga komunistët me akuza të montuara. Ishte një ndër qëndrestarët e mos firmosjes së Statusit të Kishës Katolike.

[5] Ernst L. Çoba (1913-1980), Ipeshkëv, Kryetar i Kishës Katolike Shqiptare gjate viteve të komunizmit. Vdiq ndër tortura në vitin 1980.

[6] Dosje operative 3380-A. Ernesto L. Çoba, proces-verbal, maj 1959, f.7 (Arqipeshkvia Shkodër).

[7] Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f.7.

[8] Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f.12.

[9] Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f.13.

[10] Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f. 192.

[11] Çesk, Buzukja. Pushofsh në Paqë. Shih në: Zef (dom) Gilaj. Jeta dhe vepra, Shtjefni, Shkodër, 2004.

[12] Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f. 193.

[13] Leonardo (Atë) di Pinto. O.F.M. Imzot Vincenç Prennushi me shokë martirë. Aqrqipeshkvia Shkodër, Shkodër 2016, vol. 1, f. 233.

[14] Zef (Ipeshkëv) Simoni.In Sommo Pacis. Shih në: Zef (dom) Gila. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f. 212. 

[15] Zef (dom) Gila. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f. 210.

[16] Çesk, Buzukja.Po aty, f. 217.

[17] Zef (Ipeshkëv) Simoni. Marterizimi i Kishës Katolike. Arqipeshkvia, Shkodër, 1993, f.120.

[18] Konrad (At) Gjolaj O.F.M. Çinarët. Muzeu Historik Shkodër, Shkodër, 1996, f. 137.

[19] Zef Pllumi (At) Pllumi O.F.M. Rrno vetëm për me tregue, Hylli i Dritës, 1997, f. 20, 21, 33.

[20] Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f.63.

[21] Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f.194-195.

[22] Dosje operative 3380-A. Ernesto L. Çoba, proces-verbal, maj 1959, f.7 (Arqipeshkvia Shkodër).

[23] Ndoc (Dom) Noga “Kisha katolike shqiptare 1944-1990. Humbje dhe fitore”, At Gjergj Fishta, Shkodër, 1999, f.99-100 (foto e shoqnueme me emna).

[24] Zef Pllumi (Át) Pllumi O.F.M. Rrno vetëm për me tregue, Hylli i Dritës,1997,. 33.

[25]Zef Pllumi (Át) Pllumi O.F.M. Rrno vetëm për me tregue, Hylli i Dritës,1997.

[26] Zef (Ipeshkëv) Simoni.In Sommo Pacis. Shih në: Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f.213.

[27] Po ai:po aty, f. 212.

[28] Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f. 227.

[29] Fishta. Hylli i Dritës.  Numer i posaçëm. Shkodër, 1996, f. 37-42.

[30] Mentor Quku. Mjeda 7, Ilar, Tiranë, 2006, f. 44.

[31] Mentor Quku. Mjeda 7, Ilar, Tiranë, 2006, f. 44.

[32] Palokë Rrotani. Nderim për Dom Zef Gilën. Shih në : Zef (dom) Gila. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f. 222.

[33] Angelo (Arqipeshkëv Metropolitan) Massafra. Flajë parathanësë. Zef (dom) Gilaj. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005,f.5.

[34] Zef (dom) Gila. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f. 13-17.

[35] Zef (dom) Gila. Jeta e vepra, Shtjefni, Shkodër, 2005, f. 3.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *