Dom Zef Gilaj – Shërbëtori i zellshëm i Mbretërisë së Zotit

Categories FamulliaPosted on

Kolë Shaben

Në përvjetorin e 20-të të kalimit në amshim të Dom Zef Gilës, në famullinë “Shën Rroku”, Rranxa-Bushat, u kremtu Mesha e Shenjtë e cila u udhëhoq nga Arqipeshkvi i dioçezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, në bashkëkremtim me klerikë të tjerë të pranishëm dhe me pjesëmarrjen e besimtarëve të shumtë, të mbledhur për t’u lutur për Dom Zefin dhe për të nderuar veprimtarinë e tij të çmuar baritore në këtë famulli.

Pas Meshës së Shenjtë, në qendren baritore “Mark Çuni” u organizua takimi me temën: “Dom Zef Gilaj, Shërbëtor i zellshëm i Mbretërisë së Zotit”, me mbështjetjen kryesore të famullitarit Dom Dritan Ndoci, ku të pranishën ishin klerikë, studiues, besimtarë dhe familjarë të Dom Zefit. 

Dom Zefi lindi në fshatin Razëm më 19 korrik 1916 dhe ndërroi jetë më 09 mars 2000 në Rranxa. U shugurua meshtar në Romë, më 24 shtator 1941, u kthye menjëherë në atdhe. Nisi misionin meshtarak në Shkodër, në Beltojë e pastaj në Kukel, ku qëndroi 11 vjet. U arrestua nga regjimi komunist në maj të vitit 1946, por qe liruar falë disa miqve nga Barbullushi, të cilët dëshironin t’ia shpërblenin kështu një nderë të madh që ky meshtar i kishte bërë gjithë popullit të këtij fshati kur i kishte shpëtuar prej pushkatimit nga nazistët njëqind burra të fshatit. Por u arrestua sërish në vitin 1950, ngaqë një motër e tij kishte kaluar kufirin në drejtim të Jugosllavisë së atëherëshme. Si kaloi një vit të tërë në hetuesi, më 1951 u internua në Tepelenë, ku do të qëndronte për rreth pesë vite. I liruar në fund të vitit 1957, vijoi misionin e tij meshtarak në famullinë Rranxa-Bushat, deri në vitin 1967 kur u mbyllën kishat e tempujt fetarë nga diktatura komuniste. Por pikërisht në këtë famulli ai u rikthye pas 24 vitesh, kur tashmë u hapën sërish kisha, pasi kishte punuar gjithnjë punë të rënda krahu, duke marrë përsëri në duart e plasaritura nga kazma, kelkun e shenjtë me Korpin e Gjakun e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Në këtë famulli shërbeu me zell e nderim të madh nga të gjithë besimtarët deri kur kaloi në amshim më 29 mars 2000.

Ngaqë gjatë muajit mars ishim në një izolim të madh për shkak të pandemisë, përkujtimi i 20-vjetorit të kalimit në amshim për Dom Zefin u bë me datën 21 tetor, për të mundësuar pjesëmarrjen e shumëkujt.

Në fjalën e tij Imzot Massafra nderoi jetën dhe veprën meshtarake të Dom Zefit duke përkujtuar gëzimin e jetës së amshueshme dhe vlerësuar kontributin e madh që ai dha në shërbim të Zotit e të besimtarëve.

I pranishëm ishte studiuesi dhe hulumtuesi, z. Gjovalin Çuni, i cili trajtoi kumtesën me titull: “Dom Zef Gilaj, meshtar dhe njeri i kulturës”, ku nxori në pah veprimtarinë e shquar të dom Zefit, jo vetëm si klerik por edhe si intelektual që ka ditur më së miri t’i përgjigjet kërkesave të kohës dhe që aftësitë e tij i ka vënë në funksion të ngritjes së moralit dhe vlerave shoqërore të bashkësisë së cilës i shërbeu me përkushtim të madh.

Ne fjalën e tij Palok Rrotani u ndal tek kujtimet që ka pasur me Dom Zefin, duke vlerësuar figurën dhe veprimtarinë e tij baritore. Kujtojmë se Paloka ka realizuar përmbledhjen e materialeve të çmuara për jetën dhe veprën e Dom Zefit, të cilat gjenden në faqet e librit që u botua 15 vite më parë me rastin e 5-vjetorit të vdekjes së Dom Zefit e, ndër ato faqe, ai vetë nuk e fsheh as konsideratën e tij të lartë për famullitarin e tij të dashur, të cilin e njohu thellë nga afër dhe që e deshi shumë.

I pranishëm ishte edhe vëllai i Dom Zefit, z. Palokë Gilaj, i cili falënderoi Arqipeshkvin Massafra, famullitarin Dom Dritan Ndoci, si dhe komunitetin e Rranxa-Bushatit për vlerësimin dhe nderimin e dhënë figurës së Dom Zefit.

 Në fjalën e tij, famullitari Dom Dritan Ndoci, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në meshë e në takimin e zhvilluar dhe gjithashtu vlerësoi kontributin e Dom Zefit, punën  dhe mundin që ka bërë për famullinë e Shën Rrokut, duke lënë gjurmë të thella në jetën dhe shpirtin e kësaj famullie, si një bari i mirë i grigjës së Zotit, me vlera të larta kulturore dhe intelektuale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *