NJË DËSHMI PREKËSE NË FAMULLINË TONË, QË VJEN NGA POTHUAJSE 130 VITE MË PARË

Categories FamulliaPosted on

(Shkëputur nga libri “Shqipëria përmes veprës dhe shkrimeve të misionarit të madh italian, At Domenico Pazi (1847-1914)” i At Fulvio Kordinjano; Vëllimi II.)

Më 20 dhjetor 1894, At Pazi dhe At Genovizzi u hipën kuajve për të shkuar në famullinë e Bushatit, rreth tri orë e gjysmë më këmbë larg Shkodrës. Është një nga famullitë më të rëndësishme të ultësirës së Nënshkodrës dhe asokohe numëronte 95 familje katolike dhe po aq myslimane. Është një fshat i njohur në historinë e Shipërisë, meqënëse i ka dhënë emrin, pso jo edhe zanafillën, fisit të njohur të Bushatlinjve që, në mesin e shekullit XVIII i dha Shkodrës një varg Vezirësh të cilët, pavarësishht despotizmit të tyre tiranik, fituan merita të mëdha për vendin e tyre dhe e bënë të dridhet Portën e Lartë.

Mehmet Pasha, i pari i këtyre Vezirë, i cili erdhi në pushtet me tradhti, pretendonte se rridhte nga një vëlla rebel i Gjergj Cërnojevit, një zotëri i Malit të Zi, i cili kishte gjetur strehë në Bushat. Dhe në fakt, në pemën gjenealogjike të Crnojeviçëve, gjej se Stefani, vëllai i Gjergjit IV (1469-1514 apo 1515), njihet nën emrin e Skënderbeg Myslimanit, paraardhës i Bushatlinjve. Por tradita e vendit i nxjerr se rrjedhin nga një fis mirditor i Gojanit të Epër (bajrak i Spaçit). Sido që të jetë në lidhje me zanafillat, është e sigurtë se familja dikur i përkiste katolicizmit, të cilin e mohoi duke u përkulur nën shpatën turke dhe nën ofertën ambicioze për pasuri dhe fuqi.

Nën udhëheqjen e kësaj familjeje, Bushati ishte shndërruar në një kala, vend pushimesh dhe vend shetitjesh për familjet e pasura shkodrane, të cilat, midis të tjerave, bënin banjë në valët e freskëta të Drinit. Lagjja katolike gjendet një gjysmë ore nga rruga publike, e ndërtuar nga Austria, rrëzë kodrinave, të cilat e marrin emrin pikërisht nga fshati.

Asokohe ishte famullitar i Nderuari D. Zef Puka, i cili për një muaj me radhë kishte këmbëngulur që Misionarët të shkonin aty e të bënin disa vepra mirësie. Edhe në këtë fshat, hareja dhe zgjimi i vrullit fetar qe shumë i madh: u zhdukën abuzimet, u shuan urrejtjet dhe u pajtuan shumë gjaqe, aq sa, ditën pas, në predikimin që fliste për faljen, më shumë se 60 veta, burra e gra, u ngritën në mes të turmës në kishë për të puthur Kryqin, çka është veprimi i fundit dhe më i sigurt i faljes së dhënë[1].

Ndërmjet të tjerëve u paraqit një burrë, mby të dyzetat, i cili kishte tre muaj që ishte bërë shenjestër e shtatë të shtënave me pushkë dhe një fishek ia kishte shporuar kraharorin tejpërtej, mbi zemër dhe i dukej ende plaga e përgjakur. Megjithatë ai u afrua me guxim drejt altarit dhe Atit, i cili mbante në dorë Kryqin, iu drejtua më këto fjalë: “Ja, Atë, ja ku është plaga (e duke thënë kështu, i tregonte kraharorin e zbuluar) që ende pikon gjak. Por dua të jem i Krishtit, të shuaj çdo urrejtje dhe të fal. Madje, në shenjë paqeje, pikërisht këtë javë dua të shtroj një drekë ku do të ftoj atë që donte të më vriste.”

Fjalë të tilla prekën gjinden që e dëgjonte, aq sa shpërthyen në lotë. Më një skenë të tillë u mbyll misioni.


[1] Ngjarjet e treguara kanë ndodhur me siguri në kishën e Shën Rrokut, në Rranxa-Bushat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *