SHKO E RRI NË VENDIN E FUNDIT!

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXII GJATË VITIT C

Sir 17-18. 20. 28-29; Ps 68 (67); Heb 12, 18-19. 22-24; Lk 14, 1. 7-14

Pjesa e Ungjillit të sotëm është tejet e thjeshtë për t’u kuptuar. Vështirësia qëndron vetëm tek praktikimi i saj. Thjeshtësia me të cilën Jezusi shprehet sot, tregon thjeshtësinë që Ai kishte në jetën e Tij të përditshme. Jezusi këtu mëson që të synohet vendi i fundit në sofrat ku mund të na ftojnë miqtë tanë. Mesa duket, kështu bënte edhe Ai çdo herë. Mund ta supozojmë lehtë një gjë të tillë, sepse, në fakt, Ai, duke qenë Hyj, e përuli vetveten për të ardhur në mes nesh. Shën Pali në Letrën e drejtuar Filipianëve, e thotë bukur: «Ai e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëzit. E, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri.» (2, 7). Duke bërë kështu, Ai e ka realizuar më së miri atë këshillën që sot na jep Siracidi në leximin e parë: «Biri im, […] sa më i madh të jesh, përule vetveten në çdo gjë e do të gjesh hir para Hyjit!» Jezus, Biri i Hyjit, që bashkë me Atin e me Shpirtin Shenjt e ka fronin mbi çdo gjë, Ai, në shëmbëllesën e të cilit u krijua gjithësia, zgjodhi që të përulet e të vijë në mes nesh, edhe pse jemi mëkatarë të padenjë. Jo vetëm kaq, por «mori natyrën e shërbëtorit», pra u vu në shërbimin tonë. Kështu, mund të thuhet pa dyshim se Ai zgjodhi vendin e fundit, më të fundimin. Pranoi deri edhe poshtërimin, Ai që është Drejtësia e pambarim. Sharl de Fuko, një shenjt  francez i shekullit XX, thoshte: «Unë dua të jem në vendin e fundit në këtë botë, por nuk do t’ia arrij: do të jem gjithnjë i parafundit, sepse vendin e fundit e ka zënë Jezusi dhe askush nuk mund t’ia marrë.» E Jezusi vazhdon ta shprehë edhe sot përuljen e Tij të vullnetshme: Ai denjohet të zbresë në bukë dhe verë, duke i shndërruar ata në Trupin dhe Gjakun e Tij.

Kështu, pra, me jetë e me fjalë, Jezusi na mëson dhe na nxit të synojmë përvujtërinë. A dëshirojmë të bëhemi shenjtër e shenjtë­resha? Nëse duam, atëherë le të përpiqemi të ushtrohemi mbi të gjitha në virtytin e përvujtërisë!

Shën Antoni Abat, shenjt egjiptian i shekullit IV, pá në një vegim se si e gjithë toka ishte e mbuluar nga kurthet e djallit, për t’i bërë kështu njerëzit që të binin në mëkate. E shenjti, me dhimbje, iu drejtua Zotit: «E kush mund të na shpëtojë?» Një zë iu përgjigj: «Përvujtëria».

Por duhet pasur kujdes: ka asish “të përvujtësh” që bëjnë çmosin t’ua mbushin mendjen të tjerëve se janë të tillë. Jezusit i ka mjaftuar vetëm vullneti i Atit të vet e jo që ta shihnin njerëzit. Në fakt ka sa të duash “të përvujtë” krenarë, plot vetëm me veten e tyre.

Ja se si Jezusi sot na nxit të ushtrohemi në përvujtëri: «Kur ndokush të ftojë në dasmë, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë që duhet nderuar më tepër se ti, që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’. Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’. Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve.»

Hyjit i është dashur të hyjë deri në këto detaje tejet të rëndomta të jetës sonë, duke qenë se ne as kaq nuk do të ishim të zotët ta bënim vetë. Në fakt duken fjalë si të panevojshme. Duket sikur Jezusi po flet gjëra që, tek e fundit, ne i dimë. Por problemi është se jo të pakta janë rastet kur ne, me mish e me shpirt, kërkojmë vendet e para në sy të njerëzve.

Kur Atë Shtjefen Gjeçovi përmblodhi në Kanunin e Lekë Duka­gjinit zakonet kryesore të veriut të Shqipërisë, tek pjesa ku shpejgon se si duhen rreshtuar miqtë në sofër, bën edhe një vërejtje intere­sante. Thotë se, edhe pse këto gjëra mund t’i duken të parëndë­sishme ndokujt, gjithsesi duhet bërë shumë kujdes, sepse jo rrallë ka ndodhur që të kërciste pushka në sofër kur ndokush është ndier i fyer se nuk e kishin vënë aty ku mendonte se i takonte.

Besoj se na ka rastisur të gjithëve që jo rrallë të shohim njerëz të cilët vërsulen fill e në krye të vendit, edhe pse mbase aty ka mjaft njerëz të tjerë që u takon më shumë se atyre ai vend. Synojnë vendet e para jo vetëm në tavolina, në mbledhje të ndryshme, nëpër makina, por edhe në kishë. E gjithashtu besoj se të gjithëve na ka rastisur ta shohim nga afër poshtërimin e pësuar prej tyre, kur u është dashur që t’ia lëshonin atë vend ndokujt tjetër.

Shpeshherë, edhe në rangjet hierarkike, mund të jetë i fortë tundimi i “vendit”. Ka raste kur edhe ndër ta krijohen situata shumë shkandulluese e shpesh deri edhe qesharake për hir të “vendit”. Kjo nuk do të thotë se nuk i duhet kujtuar tjetrit respekti që ai duhet të ketë ndaj asaj që përfaqësohet, por nuk është nevoja që të bëhet luftë për këtë.

Jezusi, pra, e paska ditur mirë se deri edhe detaje kaq të imta e të parëndësishme ishte e nevojshme që të na shpjegoheshin!

Nuk duhet ta harrojmë se jemi të Krishtit! Si pasojë, nuk duhet ta kemi problem përvujtërimin! I krishteri që e ka problem çështjen e “vendit”, ka patjetër ndonjë “çrregullim” në lidhjen e vet me Krishtin. Po të gërmohet pak më shumë në ndërgjegjen e tij, mund të mbetemi të mahnitur nga cektësia e lidhjes së tij me Krishtin dhe nga egoizmi i tij kryeneç. Ne nuk jemi si e gjithë bota. Nëse e gjithë bota e quan normale të krenohet e të duket, i krishteri jo. I krishteri i është afruar Krishtit, Atij që ka zgjedhur vendin e fundit në këtë botë, Atij që ka dashur të jetë Shërbëtori i të gjithëve, Atij që na ka mësuar se njeriun e fisnikëron shërbimi e jo të qenit pronar i të tjetërve, Atij që nuk i është përgjigjur së keqes me të keqe, por i është përgjigjur me falje.

Pjesa që dëgjuam sot nga Letra e drejtuar Hebrenjve na e kujton shumë bukur këtë: duke na e kujtuar se jemi afruar Hyjit, engjëjve dhe shenjtërve, veçon edhe këto fjalë të bukura: i jeni afruar «Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes se re dhe Gjakut stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit». Gjaku i Abelit kërkonte prej Hyjit hakmarrje për vrasësin e tij, ndërsa Gjaku i Krishtit flet më mirë se ai gjak, ngaqë kërkon prej Hyjit falje për gjaksorët e vet. Ja logjika ndryshe e Krishtit, së cilës ne të krishterët i jemi bashkangjitur!

Prandaj, nëse duam të jemi të shenjtë, le të përpiqemi të jemi të përvujtë! Ky është virtyti që më së miri na bën t’i përngjajmë Krishtit. Të përpiqemi të jemi të përvujtë e të thjeshtë si Ai!

Me sytë nga shembulli i Jezusit, të mos druhemi ta kemi përze­mër edhe ne atë porosinë e Siracidit: «Biri im, […] sa më i madh të jesh, përule vetveten në çdo gjë e do të gjesh hir para Hyjit!» Pak më sipër e pamë se si, Shën Antonit Abat, Zoti ia kishte bërë të kuptonte se ishte pikërisht përvujtëria ajo që njeriun e ndriçon që t’i kuptojë kurthet e djallit dhe e mëson se si t’u shmanget atyre.

Leximi i parë sot thotë edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme: «Ka shumë të mëdhenj e të lavdishëm, por Hyji të thjeshtëve ua zbulon misteret.» Për të hyrë gjithnjë e më shumë në jetën me Hyjin, u dashka të jemi të thjeshtë. Kush e ka zemrën plot me etje për lavdi dhe pushtet, nuk është i aftë të vërejë pëshpëritjet që Hiri i Hyjit vazhdimisht i bën në veshët e ndërgjegjes së tij. E kështu vetëpë­rjashtohet nga misteret e Tij.

Pastaj, në pjesën e sotme ungjillore, Jezusi na thotë edhe diçka tjetër të fundit: «Kur shtron drekë ose darkë, mos thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjtë e pasur, sepse mund të ndodhë se edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën, e kështu ta shpërblejnë! Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër! Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të të shpërblehet në të ngjallur të të drejtëve.»

Mbase menjëherë kemi filluar të mendojmë se çfarë nënkuptojnë këto fjalë, duke qenë se mendojmë që nuk ka mundësi që Jezusi dëshiron t’i nxjerrë gabim të gjitha festat tona (e në fakt nuk janë gabim), por të mos harrojmë të ndalemi edhe tek ajo që vetë fjalët thonë. Mund ta shtrojmë tryezën tonë edhe për ata që nuk kanë se si të na e kthejnë. Kjo do të ndodhë nëse do të kemi një zemër të madhe si ajo e Jezusit, i Përvujti që erdhi në mes nesh si Vëlla dhe Shërbëtor i yni. Në «ngjalljen e të drejtëve» do të na shpërblehen këto vepra. Po, «në ngjalljen e të drejtëve»: edhe kjo është një e vërtetë e besimit tonë e jo një metaforë në gojën e Jezusit. Të mos lejojmë shpesh t’ua zbusim rëndësinë fjalëve që na janë thënë nga Jezusi, sepse pastaj edhe fjalë si «jeta e pasosur», «ngjallja e të drejtëve», do të na duken pa ndonjë peshë reale. Kalitja në përvujtëri, në fakt, ka për qëllim pikërisht të na mësojë udhën drejt lavdisë së «ngjalljes së të drejtëve».

«E kush mund të na shpëtojë?», kishte pyetur me pikëllim Shën Antoni Abat. «Përvujtëria», kishte dëgjuar t’i përgjigjej zëri prej Qiellit. Pikërisht këtë virtyt, pra, Jezusi na e mëson me këmbëngulje në Ungjillin e sotëm.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *