KUSH NUK ËSHTË KUNDËR NESH, ËSHTË ME NE.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXVI GJATË VITIT B

Nr 11, 25-29; Ps 19 (18); Jak 5, 1-6; Mk 9, 38-43. 45. 47-48

Duke parë leximet e sotme, mund t’i ndajmë ata në dy tematika kryesore: e para është nevoja urgjente për bashkimin mes të krishterëve, ndërsa e dyta është nevoja edhe më urgjente e largimit tonë nga mëkati. Nuk janë pa lidhje në mes tyre këto tematika. Historia e ka vërtetuar këtë.

Në leximin e parë, sot na tregohet një episod i shkëputur nga Libri i Numrave. Për Izraelin e sapo dalë nga skllavëria e Egjiptit, Moisiut i duhej të jepte udhëzime konkrete për çdo çështje, si për bashkësinë në tërësi, ashtu edhe për çështje familjare e personale. Duke parë se praktikisht ishte e pamundur që t’i bënte ballë gjithë atij fluksi pune, Moisiu zgjodhi shtatëdhjetë burra të cilët do ta ndihmonin në një veprimtari të tillë. Së bashku me ta, hyri në praninë e Zotit e Shkrimi Shenjt thotë: «Zoti zbriti në re dhe zuri të bisedojë me Moisiun. Nga Shpirti që ishte në Moisiun, mori dhe u dha të shtatëdhjetë burrave pleq.» Filluan të profetizojnë, shenjë se ishin mbushur me Shpirtin e Zotit.

Por aty të pranishëm nuk ishin të gjithë burrat e paracaktuar. Dy prej tyre ishin në tebanishtë, pra diku tjetër. Por, prapëseprapë, edhe tek ata pushoi Shpirtit i Zotit e edhe ata filluan të profetizonin. Disa të tjerë shkuan t’i thonë Moisiut se çfarë kishte ndodhur dhe i këshilluan që t’ua ndalonte atyre të profetizonin, duke qenë se nuk kishin qenë të pranishëm së bashku me të tjerët në praninë e Hyjit. Por Moisiu dha një përgjigje të urtë: «Eh, po të ishte e mundur që i tërë populli të profetizojë e Zoti t’ia jepte Shpirtin e vet.» E rëndësishme ishte që edhe ata ishin mbushur me Shpirtin e Zotit. Problem do të ishte sikur të ishin të mbushur me shpirtin e të keqit.

I ngjashëm është edhe tregimi i Ungjillit të sotëm, i cili na tregon se si një njeri po dëbonte djajtë në Emër të Jezusit. Nxënësit ia ndaluan duke menduar se atij nuk i takonte të bënte ashtu, meqë nuk ishte prej të Dymbëdhjetëve. Por Jezusi i korrigjon apostujt: «Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua. Kush nuk është kundër nesh, është me ne.»

Nuk mund ta caktojmë ne si, kur dhe tek kush duhet të veprojë Shpirti i Hyjit. Jemi ne ata që, përkundrazi, duhet t’i hapemi veprimit të Tij. Kudo që ka ndonjë vepër realisht të mirë, pa hile, ajo është e frymëzuar nga Hyji. Në atë rast, neve na mbetet vetëm të përkulim kokën në nderim ndaj Hyjit që e ka frymëzuar e realizuar atë të mirë tek njeriu që kemi përballë. Kjo vlen edhe kur vetë ai njeri nuk e mban Hyjin si autor të kësaj të mire.

Ajo që më së shumti ne të krishterët duhet të përpiqemi të bëjmë për arritjen e një bashkimi real mes nesh, është që të kërkojmë çfarë është e mirë tek tjetri e jo edhe aq të kërkojmë çfarë na ndan me të. Këtë të vërtetë e theksonte sidomos Papa Shën Gjon Pali II. Kjo nuk do të thotë se duhet të lihen mënjanë ndryshimet, por se duhet të vihemi në ndjekje reale të Shpirtit të Zotit.

E kjo nuk është utopike: po të vihemi në ndjekje reale të Shpirtit të Zotit, atëherë – kur t’i hedhim një sy historisë, tek momente e përçarjes – do të dijmë t’i ndajmë veprimin e Shpirtit të Zotit nga veprimet egoiste të njeriut si edhe nga veprimet përçarëse të nxitura nga djalli.

Edhe pse jemi të ndarë, prapë se prapë Shpirti i Zotit vepron, si tek ne, ashtu edhe tek ata.

Po të shohim Kishën ortodokse, do të vëmë re se edhe ata kanë disa shenjtër vërtetë të mëdhenj. Aq sa do të na vinte të thoshim: «Po këta qenkan si shenjtërit që njohim ne në Kishën Katolike!» Ta merr mendja se janë të ngjashëm: është i njëjti Shpirt që ka vepruar tek secili.

Edhe në bashkësitë protestante: kanë një njohje shumë të thellë të disa pjesëve të Shkrimit Shenjt. E qartë: ka vepruar i njëjti Shpirt Shenjt, prandaj.

Kjo vlen jo vetëm për ekumenizmin, pra për bashkimin mes të krishterëve, por edhe për dialogun ndërfetar, me jo të krishterët. Po të shohim, për shembull islamizmin, induizmin, budizmin, etj., mund të vëmë re se edhe atje ka arritur të veprojë Shpirti i Zotit, edhe pse gabimet e mbjella në ta nga i Ligu janë shumë më të mëdha.

Përballë veprimtarisë së Shpirtit të Zotit, duhet të kemi një zemër të gjerë dhe t’i zgjerojmë edhe horizontet tona. Kjo ngaqë, siç thonë edhe disa teologë katolikë: «Zoti e ka lidhur shëlbimin për sakramente, por Zoti nuk është i lidhur nga sakramentet.» Ai vepron kudo.

Po cila, atëherë, është rëndësia e të qenit në Kishën Katolike? Rëndësia qëndron në të qenit në plotësinë e veprimit të Shpirtit të Zotit, plotësi e cila gjendet pikërisht në Kishën Katolike.

Por, e thamë në fillim, Shkrimi Shenjt sot na flet edhe për urgjencën e largimit nga mëkati.

Jezusi, në Ungjillin e sotëm, e thekson këtë me shumë forcë: «Nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr – në zjarr që s’fiket kurrë.» E me krahasime të tilla flet edhe përsa i përket këmbës e syrit.

Janë fjalë shumë të forta. Qëllimi i tyre është që të na bëjnë ta kuptojmë se sa e keqe e madhe është mëkati. «Të presësh dorën, këmbën apo të nxjerrësh syrin» nuk janë shprehje që duhet të merren fjalë për fjalë, por të kuptohet ideja që ato duan të shprehin.

Në jetën e Shën Antonit të Padovës thuhet se një herë shkoi të rrëfehej tek ai një djalosh, i cili i tha se kishte bërë një mëkat shumë të madh: i kishte rënë shkelm së ëmës. Shenjti i tha se ai kishte bërë një mëkat shumë të madh. Aq të madh, saqë ajo këmbë meritonte të pritej.

Djaloshi i mori seriozisht këto fjalë të Shenjtit. Shkoi në shtëpi dhe e preu këmbën e tij. Kur Shën Antoni e mori vesh, shkoi menjëherë te shtëpia e tij, ia mori këmbën e prerë dhe, duke ia bekuar, mrekullisht ia ngjiti sërish, duke i shpjeguar se nuk ishte ky qëllimi i fjalës që i kishte thënë.

Më fort se «prerje», pra, fjala e Jezusit sot nënkupton një «ndërprerje» urgjente të jetës me mëkate. Kjo sepse mëkatet e rënda janë të tmerrshme: na largojnë nga Hyji. Do të thotë se kështu humbim lumturinë tonë. Ferri shpesh imagjinohet si një vend mundimesh në zjarr, apo në ndonjë formë tjetër, përshkrim që në fakt deri diku e bën edhe Jezusi në Ungjill sot. Por këto janë veçse imazhe që na bëjnë të kuptojmë se sa e rëndë është humbja e përjetshme e Zotit. Prandaj duhet t’i ikim Ferrit, sikurse t’i iknim zjarrit.

Ferri ekziston dhe është i përjetshëm. Duhet ta marrim seriozisht shëlbimin e shpirtit tonë. Prandaj edhe Shën Jakobi sot në leximin e dytë përdor fjalë vërtet të forta, për të vënë në dukje pasojat e mëkateve: «Kujdes, tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju! Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarri.»

Pasaniku këtu nënkupton që mendon ta ndërtojë lumturinë në këtë botë. As sot nuk janë të paktë ata që e mendojnë kështu. Por ja, do të vijë çasti kur do ta shohin se ishin tepër gabim. Ky çast vjen kur do të dalin përpara Zotit dhe do ta vënë re se sa larg ishin. Prandaj do të ishte mirë të ndërgjegjësoheshin para se të ishte vonë.

Thuhet se mbretëresha franceze e shekullit XIII, Bianka e Kastilias, i thoshte të birit: «Do të më pëlqente më shumë që të të shihja të vdekur tek këmbët e mia, sesa ti të bëje ndonjë mëkat mortar.» I biri ishte ai që sot njihet si Shën Luigji IX, mbret i Francës.

A ka sot nëna të tilla? A ka prindër që e kanë vërtet përzemër – mbi çdo gjë – shëlbimin e amshuar të fëmijëve të tyre?

Shumë herë, në kishat tona gjatë të dielave, prania e fëmijëve është tejet e pakët, tmerrësisht e pakët. Jo të gjithë, por të shumtë janë prindërit që nuk e marrin edhe aq seriozisht shpëtimin e amshuar të fëmijëve të tyre.

Madje ka prindër që bëhen deri edhe pengesë në ecjen shpirtërore të fëmijës së vet! E pra Jezusi në Ungjill thotë: «Për atë që e mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua të mëkatojë, do të ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det.» Fjalë shumë të prera. Është e vërtetë se, kur thotë «të vegjël», Jezusi nuk e ka fjalën vetëm për fëmijët, por as nuk i përjashton ata.

T’i kërkojmë, pra, Zotit që të na bëjë të dëgjueshëm ndaj Shpirtit të Tij e të na ndihmojë që, nën veprimin e këtij Shpirti, t’i largohemi me ngut mëkatit.

Është urgjent largimi nga mëkati, sepse, përndryshe, përçarja (me Zotin, me të tjerët dhe me vetveten) është pas derës. Jo më kot Satani, ai që njeriun e shtyn për në mëkat, është quajtur nga tradita hebraike dhe ajo e krishterë edhe «djall», që në greqishten e vjetër do të thotë «përçarës».

Kush mëkaton, bëhet vegël e përçarjes, ndërsa kush dëgjon Shpirtin e Zotit, bëhet mjet i paqes.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *